MENU
klinika

Shqiptari i famshëm i kubizmit

Ibrahim Kodra mes Da Vinçit e Mikelanxhelos

22.04.2021 - 16:08

          Nënën dhe Shqipërinë, i mbajti përherë në zemër…

Ibrahim Kodra… ” primtivi i një qyteterimi të ri” kështu e ka përkufizuar më 1947, poeti francez, Paul Eluar, shpirtin e penelit të shqiptarit nga Ishmi i Durrësit, Ibrahim Kodra.

“Miku im piktor shqiptar! Një piktor i veçantë! Edhe firma juaj është një vizatim, si edhe veprat e tua”, dihet t’i ketë thënë Kodrës, spanjolli i kubizmit, Pablo Piccasso, i cili u njoh me Ibrahim Kodrën gjatë një konference ndërkombëtare për paqen më 1948.

“Ai, – shkruan Hans Kinkel në “Stuttgarter Zeitung” më1 959 – është konsideruar si një prej më të mëdhenjve të gjeneratës së re të piktoreve italianë.

Në pikturat e tij ka një origjinalitet midis lirizmit dhe gjeometrisë. Pëlqen ngjyrën e kaltër që e luan në të gjitha tonalitetet, duke e bërë pjesë themelore të shprehjes. Lirizmi i lehtë, është një mënyrë gati “naive” qe na kujton Paul Klee”

“Lirizëm dhe magji, por edhe autenticitet, në të cilin drama antike dhe moderne janë në konflikt me njëra-tjetrën…” citon Francesco Carbone.

”Me një sinteze kapriçioze, abstragime gjeometrike dhe kompozime piktoreske, Kodra arrin efekte të mrekullueshme të peizazheve detare…” shprehet më 1959, Karl Diemer.


Piktori shqiptar Ibrahim Kodra, lindi në 22 prill 1918 në fshatin Ishëm, Durrës. Në moshën 3 vjeç, mbetet jetim dhe u rrit nga gjyshi i tij. Ai studioi në Shkollën e Mesme Teknike “Harry Fultz” në Tiranë dhe njëkohësisht u fut në një klasë pikture në shkollën e parë të vizatimeve nën drejtimin e skulptorit Odhise Paskali (Artist i Popullit). Në vitin 1938, falë një burse, ai realizoi ëndrrën e tij për të shkuar në Milano dhe për t’u regjistruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, ku mjeshtrit e tij të parë të pikturës ishin Carrà, Carpi dhe Funi, ndërsa në skulpturë, Francesco Messina. U përfshi në lëvizjet artistike të pasluftës, një periudhë që korrespondonte me epokën e surealizmit, ekspresionizmit, kubizmit dhe futurizmit. Ibrahim Kodra, brenda këtyre formave të artit, realizoi rrugën e tij të veçantë që u quajt “primitivi i një civilizimi të ri”. Pa dyshim, Kodra ishte një nga më të dalluarit nga një brez piktorësh të viteve 1960-1970. Në vitin 1947, ai u takua me Paul Eluard dhe më 1948, me të famshmin Pablo Picasso. Në vitin 1953, ai mori pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Universitetit të Parisit dhe vazhdoi të ekspozojë veprat e tij në të gjithë botën.

Kodra ka ekspozuar krahas me Picasso, Chagal, Roualt, Dufy, Matisse dhe Modigliani në Ekspozitën Ndërkombëtare të Venecies.

Punimet e tij gjenden në shumë antologji të artistit në disa muze në Evropë, Amerikë dhe në panaire të artit ndërkombëtar. Për më shumë se 30 vjet, ai jetoi në Milano, ku vdiq në 7 shkurt 2006. Piktori që kishte miqësi me artistët më të mëdhenj të epokës, nuk e harroi asnjëherë origjinën shqiptare.  Dy ishin gjërat më të shtrenjta për të: nëna që e la jetim dhe Shqipëria, nga ku iu desh të ikte… Vizatimet e para për nënën, i ruajti gjatë gjithë jetës. Ndërsa flamurin shqiptar e mbajti me vete edhe në shtratin e spitalit ku mbylli sytë.

 Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar, i njohur ndërkombëtarisht.

Në librin e tij “Kujtime”, thuhet: “Ishte marsi i vitit 1984 dhe ekspozita ime ‘Fantastikja në art’ bëri shumë bujë, sepse gazetarët shkruanin se Kodra qëndron midis Da Vinçit dhe Mikelanxhelos”. Kaq mjafton për të zbuluar ngjashmëritë. Efekti i “V”- së, formuar në pikturën “Darka e fundit” të Da Vinçit, midis Krishtit dhe Maria Madalenës, është një mesazh. Nëse Dan Braun, autori amerikan i romanit “Kodi i Da Vinçit” do të njihte dhe Ibrahim Kodrën, ndoshta do të gjente një hapësirë më të madhe, për të zgjeruar idetë e tij.