MENU
klinika

Nga Mustafa Nano

Janë të gjithë të çmendur?

24.04.2021 - 09:05

Nga Mustafa Nano

Stuata politike është e nxehtë, është delikate, është e tensionuar, frikshmërisht e tensionuar. Dhe të gjithë ne kemi bërë tonën për ta çuar situatën në këtë pikë, ku mjafton një fije shkrepëse e ndezur për të bërë zjarr dynjanë. Janë të shumtë ata që do të donin ta ndiznin këtë fije shkrepëse. Janë politikanët, madje edhe një pjesë e politikanëve të rëndësishëm të vendit. Janë aktivistët politikë, por janë edhe njerëzit e zakonshëm, që janë të fare zakonshëm në rrethana të zakonshme, por që bëhen të jashtëzakonshëm, dua të them bisha, në rrethana elektorale. Në fund, janë edhe gazetarët. Një pjesë e gazetarëve, të cilët kanë kohë që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të nxjerrin vrer nga goja. I keni parë nëpër studiot televizive se çfarë thonë dhe si flasin? U keni lexuar shkrimet që i publikojnë nëpër portale, nëpër gazeta, nëpër rrjete sociale? Ata përcjellin vetëm një mesazh: mesazhin e tensionimit të situatës.

Ata përpiqen të radikalizojnë situatën, të radikalizojnë aktivistët politikë, të radikalizojnë madje edhe udhëheqësin e partisë që ata mbështesin, i cili në një rrethanë të caktuar mund t’u duket i butë, i moderuar. Për dreq u duket gjithmonë i moderuar. Ata duket se kanë për qëllim që me atë lentën e tyre, me atë filtrin e tyre të çuditshëm të vëzhgojnë, të kapin, çdo veprim të kundërshtarit me synimin për të gjetur atje një mbrapshti politike. Dhe kur nuk ka mbrapshti politike, këta nuk e kanë për gjë ta sajojnë atë mbrapshti politike, nëpërmjet leximit allasoj që mund t’i bëjnë një veprimi politik të kundërshtarit. Sepse kjo mbrapshti politike u duhet për të legjitimuar sjelljen e tyre në situatën e tensionuar. Dhe me sjelljen e tyre kam parasysh ndezjen e fijes së shkrepëses.

Janë të gjithë të çmendur? Jemi të gjithë të çmendur? Janë të shumtë ata që janë të çmendur. Ndoshta janë të shumtit. Por shoqëria shqiptare, madje edhe politika shqiptare (dhe këtë nuk po e them për të bërë një efekt televiziv, por po e them sepse e besoj) ka potencialin e të mirës, ka potencialin e urtësisë dhe të mençurisë. Të mençurisë për të kuptuar se një palë zgjedhje janë një palë zgjedhje. Se një palë zgjedhje normale vlejnë më tepër sesa rezultati, më tepër sesa fitorja e njërës palë, apo e palës tjetër. Se humbja e zgjedhjeve nuk është një gjëmë dhe se jeta e një njeriu, e çdo njeriu, edhe e njeriut më të lig në Shqipëri, vlen më tepër sesa ideja e marrjes së pushtetit me dhunë, apo e mbajtjes së pushtetit me çdo çmim. Për të kuptuar më në fund se vendi, të cilit ne i përkasim që të gjithë, vlen më tepër sesa partia së cilës i përket ti, së cilës i përkisni ju, që jeni një pjesë e vogël, një porcion i parëndësishëm i shoqërisë shqiptare.

Kur thashë se shoqëria shqiptare, madje edhe politika shqiptare, ka brenda potencialin e së mirës, pata parasysh (mund t’ju vijë për të qeshur, por ky është fakt) një fotografi të thjeshtë. Një fotografi e cila është publikuar para dy-tre ditësh. Aty kishin dalë Ilir Metaj (jo presidenti jonë i Republikës), kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Vlorë, i cili kishte dalë bashkë me Genc Deromemajn, kryetar i Partisë Demokratike në Vlorë. Përsëris: është një fotografi e thjeshtë, e zakonshme, madje një fotografi banale, tek e cila mua, por edhe gjithkujt tjetër, nuk do të duhej t’i shkonte syri ndonjëherë. Unë nuk kisha pse të ndalesha te kjo gjë. Madje, kjo fotografi nuk kishte pse të ishte një foto-lajm, sepse u publikua në shumë portale si një foto-lajm. Por në fakt, u publikua me të drejtë si e tillë. Sepse sot, në rrethanat elektorale në të cilat ne po jetojmë, në rrethanat e tensionuara, frikshmërisht të tensionuara, kjo ishte një nga gjërat më të bukura që mua më kanë parë sytë gjatë muajit të fundit, gjatë kësaj fushate. Madje, për mua është gjëja më e bukur.

Dhe unë do t’u bëja thirrje të gjithë ilirmetajve (jo presidentit të Republikës) dhe gencderomemajve të Shqipërisë që të bënin të njëjtën gjë, të bënin fotografi të tilla dhe t’i shpërndanin në rrjetet sociale, në mënyrë që të përcillnin mesazhin, apo t’u jepnin një lloj mësimi atyre mendjeve të prishura në Tiranë, apo atyre njerëzve që kanë dalë mendsh nëpër gjithë Shqipërinë. Unë do t’u bëja thirrje demokratëve dhe socialistëve, të gjithë vajzave dhe djemve, që të gjejnë komshiun, shokun e tyre, mikun e tyre, apo edhe një njeri dosido që mund ta shohin në rrugë, në një lokal, apo në supermarket (tek i cili dallojnë që ai i përket një partie tjetër, tek i cili e dallojnë këtë gjë nëpërmjet shenjave apo sinjaleve nga më të ndryshme), ta ndalojnë atë dhe t’i thonë: “Mund të bëjmë një selfie bashkë? Mund të bëjmë një fotografi bashkë?”, dhe të bënin një fotografi bashkë, duke qeshur, duke bërë edhe shenja, që do të na jepnin të kuptonim se ata i përkasin partive të ndryshme.

Do të ishte mirë të dilnin të përqafuar, madje edhe të putheshin. Madje të jepnin edhe ndonjë puthje franceze. Dhe këto fotografi t’i shpërndajnë kudo nëpër rrjete sociale, në Facebook, në Instagram dhe kudo që të jetë e mundur. Do të ishte mirë që të hapej kjo garë fotografish të tilla. Do të doja që ndonjëri prej jush që është duke më dëgjuar, ta iniciojë këtë gjë, sepse do të ishte një fushatë e bukur që do të mund të sensibilizonte shumë njerëz. Ndoshta, kjo do t’i bënte edhe mendjet e prishura të Tiranës, apo të Shqipërisë, t’i thërrisnin mendjes në këtë moment delikat e të tensionuar, që është i tillë pikërisht për shkak të tyre. Kjo fushatë do të ishte shërbimi më interesant që mund t’i bënin vendit në këtë moment, dhe nuk do të kishte asnjë lloj kostoje. Thjesht, do të kishin një fotografi që do ta postonin në rrjetet sociale.

REMOTE_ADDR:[]