MENU
klinika

Masat për COVID-19

Kosovë/ Nga e hëna nxënësit i rikthehen mësimit në shkolla

16.04.2021 - 09:36

Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë, nga e hëna, do të vazhdojë pa kufizime në pjesëmarrjen fizike të nxënësve në shkolla.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha përmes një postimi në Facebook se vendimi u mor në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Nxënësit e arsimit parauniversitar, përjashtuar ciklin e ulët nga klasa e parë deri në të pestën, janë duke mbajtur mësim online qysh më 12 prill.

Kjo ka qenë një nga masat e Qeverisë së Kosovës, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Kosova, javëve të fundit, është përballur me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus dhe të viktimave.

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka raportuar për 17 viktima dhe gati 600 raste të reja me koronavirus.