MENU
klinika

Analiza/ Mustafa Nano zbërthen skenarët

Krijimi i një ‘Grand Koalicioni’ PS + PD? Si do ndërtohet Parlamenti…

17.04.2021 - 12:09

Edi Rama është dëgjuar ditët e fundit të thotë se bashkëpunimi midis Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim është një kapitull i mbyllur, se LSI është një gjë e papërdorshme për qëllime të mira. Dhe se kur vjen puna te bashkëpunimi midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ky bashkëpunim është jo vetëm i mundur, por edhe i mirëpritur e i dëshiruar prej meje.

Kjo është gjëja që ai ka lënë të kuptohet. Dhe me këtë ai ka ngacmuar fantazinë e shumë njerëzve, të cilët janë duke bërë pyetje të tipit: “Çfarë ka dashur të thotë?” “Çfarë ka në mendje kryeministri Rama?” “Ka në mendje që të pas datës 25 prill, nëse do të jetë në krye të një shumice qeverisëse, ai do të ndërmarrë një lloj aksioni për të ndërtuar një marrëdhënie, apo një mirëkuptim të shëndetshëm midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, secila në vendin e vet: PS-ja në mazhorancë dhe PD-ja në opozitë?”. “Apo ka në mendje ndërtimin e një Grand Koalicioni PS + PD?”.

Sot paradite, ai u kujtua t’i rikthehej këtij argumenti në një takim me përfaqësueset e grave socialiste në sheshin “Italia”, dhe aty u përpoq ta zhvillonte idenë. E përsëri, ndoshta qëllimisht, apo pa dashje, ai nuk arriti ta sqaronte deri në fund këtë ide. Unë, megjithatë, bëj pjesë tek ata njerëz që besojnë se ai ka në mendje që pas zgjedhjeve të 25 prillit t’i kërkojë Partisë Demokratike ndërtimin e një koalicioni të përbashkët.

Unë besoj se ai ka në mendje dhe ka dëshirë që në mandatin e tretë të jetë në krye të një Grand Koalicioni, nëse fiton. Sepse nëse humbet situata përmbyset e thjeshtohet.

Përpara disa ditësh, kryeministri Rama premtoi përpara kamerave se “nëse Partia Socialiste nuk fiton zgjedhjet, nëse merr më pak se 70 mandate, unë do të jap dorëheqjen. Unë do të largohem nga drejtimi i Partisë Socialiste.”

Unë e besoj këtë gjë. Por ka shumë njerëz të tjerë nuk u zënë besë deklaratave, qëndrimeve, apo zotimeve të Edi Ramës. Këta njerëz mendojnë se nëse pas zgjedhjeve të 25 Prillit Edi Rama humbet, ai gjithsesi do të jetë kryetari i partisë që ka marrë numrin më të madh të votave. Dhe si i tillë, ai do të ketë të drejtën kushtetuese për të iniciuar një proces negocimi me faktorë të ndryshëm brenda Parlamentit të ri.

Ai do të ketë mundësinë të hetojë e të lexojë dinamikën në Parlamentin e ri. Dhe në këto përpjekje e sipër, ai ndoshta  e gënjen mendja – sipas atyre që nuk e besojnë – se mund të identifikojë elementë, lojtarë, aktorë, faktorë të tjerë, pjesë e listës së Partisë Demokratike apo e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njerëz, pra, që për një arsye apo një tjetër, do të ishin të interesuar të bashkëpunonin me Edi Ramën në funksion të krijimit të një shumice të re qeverisëse.

Unë, përsëris, nuk e besoj se kjo ka për të ndodhur. Nëse Edi Rama do të jetë i aftë që në Parlamentin e ri, ai të negociojë me deputetë që nuk janë demokratë dhe nuk janë anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, me deputetë të këtyre partive të vogla, me ndihmën e të cilave ai mund ta krijojë shumicën qeverisëse, atëherë kjo e fundit do të jetë legjitime dhe Edi Rama mund të startojë me nge dhe i relaksuar mandatin e tij të tretë si kryeministër.  Sa më sipër, unë ekspozova, a lashë të nënkuptuara, dy bindje të miat, të cilat përmbledhtazi po i përsëris:

  1. Nëse Edi Rama fiton, një ditë më pas, apo qysh atë ditë, do t’i kërkojë Partisë Demokratike që të ndërtojnë së bashku një koalicion qeverisës.
  2. Nëse Edi Rama humbet, ai nuk ka për të bërë asnjë përpjekje për të krijuar, sajuar, improvizuar një shumicë me ndihmën e deputetëve renegatë, dezertorë, me ndihmën e deputetëve që në momentin e duhur, janë aty për të ndërruar fanellën, për të veshur fanellën e Rilindjes. Ka të tjerë që mua më shohin si naiv. Ata mendojnë bash të kundërtën. Ata janë të mendimit se nëse Rama humbet, ai nuk do të lerë gur pa lëvizur e mjet pa përdorur, në mënyrë që ta improvizojë shumicën e re, me ndihmën e deputetëve tradhtarë. Dhe nëse fiton, as nuk ka për t’i shkuar kurrë në mendje të ndajë pushtet, sepse ai di të ndajë pushtet. Do të duhen dy apo tre javë për të marrë vesh nëse jam unë ai që është naiv, apo të tjerët që janë paranojak.

Por çfarë ndodh në krahun tjetër? Si i shohin gjërat demokratët? Për momentin, ata janë duke i dhënë munxët kësaj ideje, qëndrimit të Edi Ramës. Ata janë duke e parë atë si një diversion, si një pilulë që Edi Rama ua jep në gojë për t’i vënë në gjumë, dhe për t’ua çmprehur vigjilencën. Në fakt, kanë të drejtë. Sepse ata e kanë pësuar një herë këtë gjë. E kanë pësuar në kohën përpara zgjedhjeve të vitit 2017. Dhe duke qenë se janë djegur një herë nga qulli, tani janë të prirur në mënyrë të natyrshme që t’i fryjnë edhe kosit. Të gjithë demokratët, nëse do të pyeteshin një e nga një, do të jepnin të njëjtën përgjigje për pyetjen nëse do të donin të bëhej një Grand Koalicion. Dhe përgjigja e tyre do të ishte e thjeshtë, e menjëhershme. “Koalicion me PS-në?! As që mund të bëhet fjalë!” Dhe në fakt, në këtë moment ata janë të fokusuar te fitorja. Ata besojnë se mund të fitojnë.

Dhe nëse do të jetë ky skenari, nëse demokratët do të fitojnë, bie ideja e Grand Koalicionit ashtu si e përfytyron Rama. Mund të ketë një tillë nën presionin e partnerëve ndërkombëtarë dhe ai mund të jetë midis demokratëve me në krye Bashën dhe socialistëve pa Ramën. Sepse nëse Rama insiston të jetë në krye të Partisë Socialiste – ashtu siç besojnë disa, në rast se Rama humb – ai nuk do të pranojë kurrë të jetë violinë e dytë në koalicion.

Nuk do të pranojë kurrë të jetë zëvendësi i Lulzim Bashës. Unë as nuk mund ta përfytyroj Ramën zëvendës të Lulzim Bashës. Unë me lehtë mund të përfytyroj veten time me barrë, sesa atë gjë. Dhe më besoni. Pohimi se Muç Nano është shtatzënë dhe është në muajin e shtatë ka më shumë kuptim, sesa pohimi tjetër se Rama është ministër i kabinetit me kryeministër Lulzim Bashën.

Nëse ndodh që Basha i humbet zgjedhjet, çfarë ndodh me të? Në këtë rrethanë të padëshiruar nga Basha, unë mendoj se si rregull, Basha do të gjendet përballë vetëm një alternative: të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike. Do të ishte i çmendur nëse do të këmbëngulte të qëndronte ende në krye. Për mua do të ishin të çmendur edhe vet demokratët. Por unë nuk besoj se demokratët do të jenë të çmendur.

Ata do t’i kërkojnë Bashës të largohet. Nuk do t’i njohin e nuk do t’i pranojnë asnjë lloj justifikimi, asnjë lloj alibie. Ata nuk do t’ia falin dymbëdhjetë vite të gjata, të pafundme, të pasosura në opozitë. Sipas meje ka një, dhe vetëm një mënyrë, nëpërmjet së cilës Basha mund të qëndrojë të paktën edhe katër vjet në krye të Partisë Demokratike. Dhe kjo mënyrë është që ai duhet t’u japë pushtetin demokratëve.

Dhe pushtetin ai mund t’ua japë demokratëve duke fituar zgjedhjet, ose nëse humbet, duke pranuar idenë e Grand Koalicionit. Unë e di. E thashë edhe më sipër. Aktualisht, demokratët i japin munxët kësaj ideje. Nuk e pranojnë, e refuzojnë, sepse janë përpara datës 25 prill, përpara zgjedhjeve. Dhe ata besojnë se do të fitojnë.

Por pas datës 25 prill, nëse ata humbasin, do të jetë një rrethanë e re, dhe ata do jenë me mendje të reja, me arsyetime të reja. Dhe ata, si pragmatistë që janë – sepse ata janë të tillë, ashtu siç janë të gjithë aktivistët politikë në Shqipëri – ata nuk do të kishte se pse të preferonin vuajtjet e mëdha e të gjata në opozitë, përpara qejfit, kënaqësisë dhe lumturisë në pushtet. Pastaj, ata do të bënin edhe një llogari të thjeshtë. Edhe katër vite të tjera në opozitë do të ishin katastrofike për Partinë Demokratike. Do të ishin katër vite të copëtimit, të dromcimit, të ndarjes, madje edhe të shpërbërjes. Ndoshta, do të ishte fundi i Partisë Demokratike./ Marrë nga emisioni “Arnautistan”