MENU
klinika

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan

Kush është “Kel Çami”, krahu i djathtë i Suel Çelës?

23.04.2021 - 12:17

Në lidhje me përplasjen me armë të ndodhur dy ditë më parë në Elbasan, është bërë këqyrja e disa kamerave të sigurisë, por që kanë rezultuar pa interes për hetimin.

Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Kelmend Xhaferri, i cili akuzohet për “Vrasje në rrethana cilësuese”, të mbetur në tentativë, në dëm të disa personave. Zyrtarisht as drejtori i Përgjithshëm, as prokurori i çështjes që ishin dje në konferencë për shtyp, nuk dhanë shpjegime se kush kishte qëlluar i pari në vendngjarje. Por, burime nga grupi hetimor thanë se i pari ka qëlluar Arbër Paplekaj dhe më pas është kundërpërgjigjur me armë Kelmend Xhaferri, i cili është shpallur në kërkim.

Në konferencën për shtyp të zhvilluar dje në Elbasan, nuk u dha përgjigje as për ndonjë hetim të mundshëm në lidhje me hetimet e Policisë, pasi dy zëvendësdrejtorët e Elbasanit dhe disa punonjës të Njësisë “Shqiponja”, kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë që ndodhi të mërkurën. Ata janë pyetur për atë që ka ndodhur, po ashtu sikurse ishte sekret hetimor momenti se si ka nisur shkëmbimi i zjarrit, duket se sekret hetimor është edhe dëshmia e oficerëve të Policisë që kanë qenë në vendngjarje.

I KERKUARI

Kelmend Xhaferri, i cili njihet si krahu i djathtë i Suel Çelës, është shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”. Megjithatë sipas burimeve, ai dyshohet të jetë personi që ka plagosur dy ish-policët, Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, që ishin pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës të Partisë Demokratike. Kelmend Xhaferri është një personazh i njohur në qytetin e Elbasanit.

Ai u bë i njohur pak vite më parë nga përplasja me Policinë para tregut Ushqimor të Elbasanit. Xhaferri, i njohur edhe si Kel Çami, u denoncua nga drejtuesi politik i PD-së në Elbasan Gazment Bardhi pas përplasjes ditën e Verës. “Kelmend Ymer Xhaferri (pseudonimi Kel Çami) ka qenë më parë i dënuar për disa vepra penale dhe i përfshirë në incidentin kundër punonjësve të Policisë në Elbasan te Tregu Ushqimor, duke thyer me forcë postobllokun e policisë”, deklaroi Bardhi.

Mbrëmjen e së mërkurës, gazetarja Klodiana Lala ka treguar në emisionin “Opinion” se Xhaferri e ka telefonuar personalisht dhe i ka deklaruar se është i gatshëm të përballet me Prokurorinë dhe Policinë. Lala tha se e ka të regjistruar bisedën dhe se Xhaferri i ka thënë që është gjendur në atë ngjarje disa minuta pasi ka ndodhur vrasja pasi banon në atë zonë.

Ndërkohë më herët, Gazment Bardhi tha se një nga personat e përfshirë në këtë ngjarje është Klement Xhaferri, i cili ka tentuar të largonte makinën dhe personin që po blinte vota. Sipas tij, Xhaferri është autori i plagosjes së dy anëtarëve të SMV-së së PD-së. “Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish-punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan. Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve”, tha Bardhi në një deklaratë për shtyp.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Beteja e përgjakur për qarkun e Elbasanit, si ndahen votat mes partive

BIRN: Lëvizjet e Pjerin Xhuvanit nga PDK te LSI e PDIU deri te PS

"Atentati dyshohet i parapërgatitur"

Detaje mbi vrasjen e Pjerin Xhuvanit: Viktima bënte…