MENU
klinika

Andi Bushati

Kush i bleu votat e Exit Poll-eve?

26.04.2021 - 16:16

Andi Bushati

Ende pa u mbyllur numërimi i plotë i votave, këto zgjedhje kanë provuar një anomali që do një shpjegim. Rezultati real që po përvijohet, nuk përputhet aspak me atë që na thanë pothuajse njëzëri matësit “e pavarur” të opinionit me anë të Exit Polleve. Rezultati që shpallën të dielën në orën 19 00 televizionet pranë qeverisë, por edhe ato afër opozitës ndryshonin për një fije floku nga njëri- tjetri. Të parat predikonin një barazim apo një fitore minimale të Rilindjes. Të dytat një përmbysje në favor të opozitës.

Në fakt rezultatet e dala nga kutitë e votimit demostrojnë të kundërtën. Ato flasin për një konfirmim plebishitar të regjimit.

Atëherë ç’ka ndodhur? Pse gabuan exit pollet, madje edhe ato të TV shumë pranë pushtetit (pra që nuk mund të quhen të manipuluara)?

Përgjigjja është e thjeshtë: sepse ata të cilëvë iu është blerë vota nuk u janë përgjigjur anketuesve. Ata kanë pasur ngurim dhe sypërmbysje për të deklaruar votën e tyre të turpit. Dhe sipas kësaj llogarie, kjo votë turpi, ajo e hendekut të mospërputhjes mes exit polleve dhe rezultatit faktik që po përvijohet, i bie të jetë nga 7 deri në 9 mandate që dalin të pashpjegueshme në favor të rilindjes.  Ajo është prova e pakundërshtueshme se këtë radhë kemi qenë përpara një masakre elektorale me blerje industriale votash.

Por, për këtë, ka edhe argumente të tjerë. A e di vallë ndokush se ku kanë shkuar ato dhjetra miliona euro të ndara së fundi nga qeveria, për koncesione e tendera pa garë? A mos duhet kërkuar aty diferenca e gabimit të matjeve të opinionit? A di ta shpjegojë njeri, se si, në qarkun më të emancipuar të vendit, në Tiranë, grupime djemsh të rinj dhe pa asnjë njollë korrupsioni, si Endrit Shabani apo Bojken Abazi marrin të dy sëbashku më pak vota sesa Tom Doshi? A mund të flitet në këtë rast për një votë të pastër e të ndershme? A nuk kemi këtu një provë se gjithçka është vendosur me lekë?

Besoj se këto pyetje retorike nuk kanë nevojë për koment. Të gjitha ato së bashku provojnë një gjë të thënë e të stërthënë, se sa më shumë një regjim implikohet në krim, aq më pak ai është i përmbysshëm me votë. Zgjedhjet e këtij prilli dëshmojnë se vendi ka hyrë përfundimisht nën lëngatën e gjatë të një autokracie. Hërën tjetër ata që këtë radhë organizuan gjithçka, nuk do të bëjnë gabime të vogla si ato të exit polleve. Dhe herën tjetër, as opozita që duhet të hyjë në një proces të pakthyeshëm dorëheqjesh e rinovimi nuk do ta ketë më luksin të besojë se autokracia shembet në rrugë elektorale. Krerët e saj duhet të largohen përfundimisht, jo se nuk fituan, por se na garantuan se vjedhja nuk është më e mundshme. Tani është radha që regjimi të mbetet i vetëm përballë njerëzve të tij.