MENU
klinika

Biblioteka Kombëtare ekspozitë

Librat e ndaluar të Mit’hat Frashërit, thesare të rigjetura

23.04.2021 - 17:00

          Në Ditën Botërore të Librit edhe e të Drejtës së Autorit, çelet në Bibliotekën Kombëtare ekspozita me libra të sekuestruar gjatë regjimit komunist në bibliotekën personale të Lumo Skëndos. Drejtori Piro Misha, rrëfen për mediet, se disa nga thesareve mbajnë vulën e Lumo Skëndos.

Disa nga thesaret më të rëndësishëm që ruhen në Bibliotekën Kombëtare mbajnë vulën e Lumos Skëndos. Prandaj, në Ditën Botërore të Librit, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha në praninë e ministres së Kulturës Elva Margariti, rrëfen se kontributi i Mit’hat Frashërit nuk është i rëndësishëm vetëm në politikë dhe publicistikë, por edhe si bibliograf.

“Lumo Skëndo është një nga bibliofilët më të rëndësishëm, që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në Bibliotekën Kombëtare. Një pjesë e librave që janë ekspozuar sot janë libra që iu sekuestruan bibliotekës së tij, pasi u largua nga Shqipëria. Gjatë ekspozitës së antikuarëve me rastin e 100-vjetorit, pashë se një pjesë e mirë e librave që përbëjnë thesare, mbajnë vulën e bibliotekës së tij private. Është një figurë e rëndësishme, i cili, plotëson panteonin me figurat tona më të vlerësuara”- vlerëson Misha.

Disa nga librat më të vjetër, që sot ruhen në fondin e këtij institucioni, janë “Letra mbi kuvendin e Mantovës e Papa Piut II, bashkëkohësit të Skënderbeut, botuar në 1473 dhe ditarët e Franc Nopçës

“Duke parë librat që ai ka sjellë, kuptojmë dhe kush ka qenë ai. Duke nisur nga libri i Papa Piut II ose disa ditarët e Franc Nopçës, që mbajnë emrin e tij. Është një kontribut i madh që ka dhënë për trashëgiminë tonë” – thekson Piro Misha, drejtor i Bibliotekës.

Një tjetër arsye e ekspozimit të këtyre veprave, që pas largimit të Mithat Frashërit nga Shqipëria u sekuestruan nga regjimi komunist është dhe paralajmërimi i restaurimit të aneksit të Bibliotekës në Rrugën e Elbasanit.

“Kjo nismë është një paralajmërim i krijimit të aneksit të ndërtesës së bibliotekës sonë, në Rrugën e Elbasanit. Një aspekt i kësaj është krijimi i muzeumit me libra të sekuestruar pas Luftës së Dytë Botërore, një pasuri që s’ka qenë në dorë të publikut. Janë disa arsye, por jemi dhe në një fazë të avancuar të aneksit të bibliotekës në Rrugën e Elbasanit. Pjesë e atij projekti, krahas sallës franceze do të krijohet salla italiane, salla e Aubrey Herbert-it, e studimeve orientale etj. Të gjithë këta libra, s’do jenë më të ekspozuara nëpër fonde, por nëpër salla”.

Kush ishte Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo

Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.”, rrëfen studiuesi Uran Butka. Gjithashtu ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani.

Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920.

Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”.

I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hati Frashëri nuk u martua.

Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh,për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mithat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa, At Paul e V Rado.

Amaneti i tij për t’u prehur në atdhe, do të përmbushej 69 vite pas vdekjes, më 14 nëntor 2018.