MENU
klinika

Çfarë propozohen?

Ligjvënësit e BE miratojnë udhëzuesin për certifikatën

30.04.2021 - 08:23

Parlamenti Evropian ka bërë të ditur se ka miratuar qëndrimin e tij negociues mbi certifikatat e Bashkimit Evropian (BE) për koronavirusin e ri (COVID-19).

Dokumenti do të udhëzojë negociatorët e Parlamentit Evropian në bisedimet me Komisionin Evropian, i cili ka propozuar një sistem të lejeve të udhëtimit COVID-19, si dhe me Këshillin Evropian që përfaqëson qeveritë e vendeve të bllokut.

Institucionet e BE-së synojnë sa më parë të arrijnë një marrëveshje që sistemi të jetë funksional deri në fillimin e sezonit turistik veror.

Sipas ligjvënësve të BE-së, certifikatat COVID-19 duhet të lehtësojnë udhëtimin e lirë pa diskriminim brenda bllokut evropian.

Ata propozojnë që vendet anëtare të BE-së për personat që posedojnë certifikatën COVID-19 të heqin të gjitha kufizimet e udhëtimit, si karantinën e detyrueshme, vetë-izolimin apo testimin.

Parlamenti Evropian po ashtu bën thirrje për teste falas PCR dhe analiza të antitrupave për të shmangur diskriminimin ndaj atyre që nuk janë vaksinuar.

Po ashtu shprehet këmbëngulje se sistemi i certifikatës duhet të jetë i përcaktuar vetëm për 12 muaj, me rregulla të rrepta për mbrojtjen e të dhënave.

Komisioni Evropian në muajin mars paraqiti një propozim për një leje të përbashkët digjitale për të lehtësuar udhëtimin brenda bllokut gjatë pandemisë duke hequr dorë nga karantina ose kërkesat e testit për mbajtësit e certifikatave.

Këto dokumente do të konfirmojnë nëse një person është vaksinuar kundër pandemisë COVID-19, nëse ka një test negativ ose është shëruar nga sëmundja brenda një periudhe të caktuar kohore.

Komisioni Evropian aktualisht po punon për një sistem të përbashkët të certifikatave COVID-19, duke mbledhur të dhëna nga regjistrat kombëtar të shëndetit.

Megjithatë, vendet e BE-së janë të ndara në lidhje me skemën. Përderisa vendet mesdhetare po bëjnë presion për zbatim të shpejtë me shpresën për të shpëtuar sezonin turistik veror, të tjerët kanë frikë se sistemi do të çojë në pabarazi midis shtetasve të BE-së që janë vaksinuar dhe atyre që nuk e kanë bërë këtë.