MENU
klinika

Si do votojnë shqiptarët më 25 prill?

Listat e hapura mbeten një dëshirë, Kolegji Zgjedhor cakton fletë votimi me numra!

05.04.2021 - 08:53

Kolegji Zgjedhor vendosi dje që të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ-së, që kandidatët të identifikohen në fletën e votimit me numra.

Të enjten që shkoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi një tjetër fletë votimi, ku kandidatët identifikoheshin me emrat dhe mbiemrat e tyre. Celibashi tha të enjten se identifikimi i kandidatëve me emrat e tyre e lehtësonte procedurën e zgjedhjes nga votuesit.

Po ashtu, ai iu referua edhe një sondazhi që institucioni i KQZ-së kishte bërë në rrjetet sociale, nga ku rezultoi se shumica e qytetarëve preferonte që, përveç logos së partive, qytetarët të zgjidhnin edhe kandidatin e parapëlqyer. Por, një ditë më votë, ditën e premte, Partia Socialiste e ankimoi në KAS vendimin e z. Celibashi.

Me ndihmën edhe të ish-deputetit demokrat Ilir Rusmajli, që aktualisht është anëtar i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, vendimi i z. Celibashi që identifikonte kandidatët me emra dhe përbri tyre edhe numri, ra poshtë dhe KAS miratoi kërkesën e PS që kandidatët të identifikohen me numra.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshtuan këtë format të fletës së votimit dhe fillimisht PD dhe më pas iu bashkua edhe LSI, ankimuan vendimin e KAS në Kolegjin Zgjedhor. Në fjalën e tij në seancën e djeshme të kolegjit zgjedhor, sekretari për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, tha se versioni me emra është më i përshtatshëm për qytetarët dhe më në përputhje me Kodin Zgjedhor.

“Ka qenë vetë KQZ që ka nxjerrë në faqen zyrtare modele të fletëve të votimit dhe ishte një fletë që kishte marrë më shumë vota nga një sondazh i bërë. Është një sondazh që ishte bërë për disa vite dhe kishin marrë dhjetëra vota, e cila ishte ajo portret, e propozuar edhe nga ne. Në çdo manual të drejte, për sa kohë që flitet për shtetas, njerëz, kërkohet identifikimi i tyre me emër dhe jo me numra”, tha Kaso.

PËRPLASJA

Por avokati i Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, Eridian Salianji, mbrojti idenë e PS-së se në versionin e fletës me numra rezultati i zgjedhjeve del më herët. Ndërkohë, Salianji tha se meqë fushata ka nisur prej disa ditësh edhe zyrtarisht, kandidatët janë duke reklamuar numrat, me të cilat ata identifikohen.

“Po të shikojmë, të gjithë kandidatët bëjnë reklamën e tyre për numrat. Pra, numri është ai që të identifikon, kjo bëhet që zgjedhësit të krijojë lehtësira, sepse numri gjendet më kollaj, për arsye se për të votuar janë shtresa të ndryshme të qytetarëve që duan ta kenë procesin sa më të lehtë. Fleta e miratuar nga KAS është një fletë që paraprin. Në qoftë se do të ishte e mundur të ishte e qartë me emra, po, jemi dakord, brenda këtij formati ku të duken qartë emrat dhe mbiemrat, po, jemi dakord. Por nuk ka qartësi, sepse përmasa e fletës duhet të ishte shumëfish më e madhe”, tha përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji.

Ndërkohë, si shembull suksesi, Salianji mori rastin e Kosovës, e cila në fletën e votimit kandidatët i identifikon me numër dhe, sipas Salianjit, rezultati doli për 8 orë. “Kandidat i parapëlqyer, ai që shkon në qendrën e votimit, e ka menduar kandidatin. Dhe normalisht, çdo kandidat, të gjithë identifikimin e tyre e bëjnë nëpërmjet numrit dhe zgjedhësi, para se të shkojë në qendrën e votimit, e pëlqen atë dhe e ka vendosur për një x kandidat dhe duhet të gjejë numrin. Edhe në Kosovë me numra është bërë votimi.

Identifikimi i tyre është me numra dhe është një eksperiment i qartë që zgjedhësit të orientohen fare lehtë me numra. Procesi më i rëndësishëm është numërimi, siç doli në Kosovë brenda 8 orësh, të dalë rezultati sa më shpejt dhe të jetë i besueshëm, ndërsa me fletën aktuale del brenda një jave. Ndërsa me fletët me emra, rezultati del brenda 24 orëve ose më shpejt”, tha avokati.

Por, ajo që nuk tha avokati i PS-së në Kolegjin Zgjedhor është fakti se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë të njëjtin sistem zgjedhor. Shqipëria ka sistem zgjedhor proporcional me 12 rajone, ndërsa Kosova ka sistem kombëtar. Ky është edhe fakti që në Shqipëri bërja e fletës me numra e bën listën thuajse të mbyllur. Ndryshe nga Kosova, ku me numrin 1 mund të identifikohet vetëm 1 kandidat në Shqipëri, me numrin 1 do të identifikohen 12 kandidatë, aq sa rajone ka sistemi ynë zgjedhor. Kjo e bën shumë të vështirë që në këto 20 ditë që na kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve që kandidati të mund të reklamojë mjaftueshëm veten te zgjedhësit.

Si do votohet

Tashmë është shumë e qartë se si do të votojnë qytetarët më 25 prill. Votuesi, pasi të identifikohet te komisionerët, do të marrë fletën e votimit dhe do të shkojë në dhomën sekrete. Në cepin e majtë të fletës së votimit, do të vendoset logo e partisë (subjektit zgjedhor), ndërsa në cepin e djathtë të fletës së votimit do të jetë kutia që do të shënjohet nga votuesi për të përzgjedhur partinë e preferuar. Pasi të shënjojë partinë në atë rresht, qytetari, nëse preferon, mund të votojë kandidatin e preferuar që është i identifikuar me një numër specifik në të njëjtin rresht ku ka shënjuar edhe për partinë politike. Vota do t’i numërohet partisë dhe më pas edhe kandidatit, edhe në rastet kur qytetari shënjon vetëm numrin e kandidatit preferencial. Vota i numërohet automatikisht partisë dhe më pas edhe kandidatit të asaj partie në qarkun përkatës. Në rastet kur qytetari shënjon vetëm te kutia e partisë, atëherë vota i numërohet vetëm subjektit zgjedhor. Fleta e votimit do të cilësohet e pavlefshme nëse votuesi vendos shenjën te një parti dhe kandidatin preferencial e zgjedh nga një parti tjetër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN