MENU
klinika

Serie A, Java 29

“Lu-La” afron Interin me titullin, Juve mposht Napolin

07.04.2021 - 19:46

Kanë përfunduar ndeshjet e prapambetura në Serie A. Inter ka fituar në shtëpi 2-1 ndaj Sassuolos, ndërsa Juventus mposht po 2-1 në Torino ekipin e Napolit. Inter shkëputet në 11 pikë nga Milan i vendit të dytë dhe 12 pikë para Juves në vendin e tretë.

Romelu Lukaku është padyshim lojtari i sezonit për Interin. Sulmuesi ka shënuar golin e avantazhin për zikaltrit ndaj Sassuolos. Vetëm 10 minuta i kanë mjaftuar belgut për ta çuar ndeshjen në 1-0. Goli i Lukakut erdhi pas një krosimi perfekt të Young, me Romelun që goditi saktë me kokë.

Zikaltrit kanë gjetur golin e 2-0 me Lautaro Martinez, por mes shumë protestave. Sassuolo pretendonte për një penallti përpara aksionit të golit të Inter, ku Raspadori u mbajt nga fanella. Për gjyqtarin ishte gjithçka e rregullt dhe Inter nisi kundërsulmin, që u finalizua perfekt nga Lautaro Martinez. 2-0 për Inter. Në fund Sassuolo ngushton në 2-1.

Ndeshje e bukur edhe mes Juventus dhe Napolit. Pasi humbi ndoshta rastin e vitit një metër larg portës, Ronaldo ka shlyer gabimin. Pasimi perfekt i Chiesa ka gjetur devijimin e duhur nga portugezi dhe 1-0 në 13’. Kaq për pjesën e parë.

Paulo Dybala është rikthyer dhe e ka bërë në mënyrën më të mirë, duke shënuar një gol siç është edhe në stilin e tij. Argjentinasi arriti të dyfishonte rezultatin i hedhur në fushë në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 73-të.

Argjentinasi vinte pas një dëmtimi të gjatë dhe këtë sezon ka qenë fantazmë. Por, edhe nga polemikat për përjashtimin pas festës së bërë në shtëpinë e McKennie. Napoli përfiton penallti dhe në 90’ ngushton në 2-1 me Insigne, por vetëm kaq. Hysaj ishte titullar, u zëvendësua në mesin e pjesës së dytë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN