MENU
klinika

Rebeli u mposht nga covid-19

Luis Sepulveda, me ëndrrat për të ndryshuar botën…

16.04.2021 - 13:51

        I mbijetoi burgut dhe torturave, shkrimtari kilian u nda nga jeta më 16 prill 2020, për shkak të covid-19, pas një beteje 51-ditore, mirëpo kryeveprat e tij, nuk do të harrohen kurrë./Konica.al

Një vit më parë, do të shuhej Luis Sepulveda. Guerilasi që mbërriti nga Kili, i mbijetoi burgut dhe torturave, njeriu që me veprën dhe jetën e vet luftoi kundër diktaturave në Amerikën e Jugut, krimeve mjedisore dhe racizmit, na la në 16 prill 2020, i vrarë nga covid-19, në një spital në Oviedo. U largua në vetminë e izolimit, por fjalët e tij na kanë shoqëruar përgjatë këtyre muajve të gjatë, duke provuar se paraardhësit e tij, Mapuche, kishin të drejtë: të shkruarit është fuqia për t’i mbajtur të paprekura ëndrrat, prej harrimit. Luis Sepulvedës, mërgimtari politik, guerilasi, ekologu, udhëtari me hap kokëfortë dhe kundërshtar, vdiq në moshën 70-vjeçare. Mes kryeveprave citojmë “Historia e një pulëbardhe dhe macja që e mësoi atë të fluturojë”, “Plaku që lexonte romane dashurie”, kushtuar Chico Mendes, “Ditari i një vrasësi sentimental”, “Bota në fund të botës”, etj.

Ëndrrat e tij ishin të mëdha, të paana, konceptuar në valën e entuziazmit rinor, kur Kili të jepte përshtypjen e një vendi utopi dhe poezia ishte një mënyrë për t’u ndier i gjallë: lexonte Pablo Nerudën, Antonio Makadon, Garsia Lorkën, donte ta bënte botën një vend më të mirë. Vdekja e Çe Guevarës ndryshoi gjithçka: shkoi vullnetar në Bolivi, ku një grup i vogël gueril vijonte të bënte ende rezistencë. Shkuan tridhjetë, gjashtë u kthyen.

Ndërkohë, Aljende po fitonte zgjedhjet dhe po i hapte rrugën ëndrrës. Sepulveda iu bashkua rojës personale të presidentit dhe vazhdoi gjatë gjithë jetës, për të treguar vlerën dhe realitetin e atij grupi shokësh. Takoi Karmen Janez, gruan me të cilën u martua dy herë, dashurinë e madhe, shoqen e jetës dhe të luftës. Fundi një histori më vete: grushtshteti i Pinoçetit, klandestinitet dhe, së fundmi, burgim, tortura, internim. Sepulveda ishte vetëm 24-vjeç kur nisi arratisjet: Argjentinë, Uruguaj, Brazil, Bolivi, Peru, Ekuador, Nikaragua. Nga një ekspeditë në xhunglën amazoniane, ku takohet me indianët Shuar, do të marrë spunto romani i famshëm: “Plaku që lexonte romane dashurie”. Pjesë të jetës që bëhen letërsi, siç do të ndodhte  më vonë, me “Bota në fund të botës”, një roman i frymëzuar nga përvoja në një anije të “Greenpeace”, e para që dëshmon për angazhimin e tij ndaj mjedisit. Duhej të dilte edhe një tjetër, ai po e shkruante atë në shtëpinë madhe në Gjion, por nuk pati kohën e duhur: në fund të shkurtit, duke u kthyer nga një festival letrar në Portugali, e kapën të dridhura dhe ethe. I infektuar me covid, rasti i parë në Asturias, ai luftoi me virusin për 51 ditë. Fillimisht, të gjithë menduan se do t’ia dilte: aftësia që kishte për t’u bërë ballë fatkeqësive ishte e tillë që shpresonim se do të dilte nga ai makth. Nuk ndodhi: fiziku u dorëzua dhe romani, i menduar për një kohë të gjatë, mbeti i papërfunduar./Konica.al

Miku i tij Bruno Arpaia, shkrimtar dhe përkthyes, në librin e kujtimeve kushtuar atij: “Luis Sepulveda, rebeli, ëndërrimtari”, – shprehet se alteregoja letrare, ish-guerilasi Juan Belmonte, ishte protagonist. Në “Agua Mala” (ky ishte titulli) Belmonte do hetonte shkatërrimin e bregdetit jugor nga shumëkombëshet e bujqësisë së salmonit dhe “luftëtarët e Zotit”, sekte të reja ungjillore në shërbim të tyre. Nuk do të kishte qenë një biografi, ato Sepulveda ua linte të tjerëve, por midis rreshtave do gjenim pjesë të tjera të jetës. Kujtesa dhe fantazia letrare do të përziheshin lehtë për të komunikuar zemërimin ndaj padrejtësive.

“Ishim kaq të lumtur dhe nuk e dinim”, – shkruan e shoqja, Karmen, ndërsa ai ishte në spital. Poezia e lindur në ditët e pritjes si një reagim instiktiv, u botua në përmbledhjen “Pa kthim”, e përqendruar në temën e mërgimit. “Historia e Luis Sepulvedës dhe maces së tij Zorba” është gjest dashurie ndaj shkrimtarit, por edhe dëshmi e veprës së tij: e mësuar të ecë në gjurmët e tjetrit, zgjodhi zhanrin me të cilin, Sepulveda, lartësoi konceptet etike të diversitetit, të barazisë, respektit për të tjerët dhe solidaritetit. […]

Në heshtjen fantazmë të qytetit të shkretuar, kafshët e tij ishin kthyer për të folur për miqësinë, respektin për natyrën dhe diversitetin… Ëndrrat e mëdha të Sepulvedës, ato që ai i hodhi në letër, për të mbetur të paprekura./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Luis Sepulveda: Letërsia, akt rezistence

“Plaku që lexonte romane dashurie”

Luis Sepulveda, nuk e mund covid-19...

Narratori magjepsës i bashkohet përjetësisë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit