MENU
klinika

Sfida e kthimit me PSG në Champions

Flick e Neuer besojnë te përmbysja pa Lewan

12.04.2021 - 16:02

Sulmuesi i Bayern Munich, Robert Lewandowski, është rikthyet në stërvitje të hënën, dy javë pasi i lëndoi ligamentet e gjurit në një ndeshje për kombëtaren e Polonisë. 32-vjeçari kreu vrapime të shpejta dhe disa ushtrime me topin në një seancë stërvitore individuale.

Ai i shënoi dy gola në fitoren e Polonisë 3-0 kundër Andorrës në një ndeshje të Grupit I kualifikues për Kupën e Botës 2022 më 28 mars, por u detyrua ta braktisë fushën në minutën e 63-të. Fillimisht, u tha se ai do të mungojë rreth një muaj dhe nuk ishte në gjendje të paraqitej kundër Leipzig, Paris Saint-Germain dhe Union Berlin.

Ai nuk ka udhëtuar me Bayern drejt Parisit për ndeshjen e kthimit çerekfinale kundër PSG-së në Ligën e Kampionëve dhe nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë kampionit në fuqi ta përmbysë humbjen 3-2 në shtëpi.

Hans-Dieter Flick, trajneri i Bayern Munich, foli në prag të ndeshjes së dytë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, e cila do të shohë ekipin e tij të provojë një rikthim të vështirë kundër Paris Saint-Germain (2-3 në ndeshjen e parë në Gjermani):

“Nuk është aq e lehtë për stafin të punojë kur ka shumë lojtarë të dëmtuar ose pozitivë me koronavirus. Lucas Hernandez dhe Leon Goretzka morën pjesë në stërvitje, kështu që nesër ata do të jenë pjesë e ekipit, ashtu si edhe Kingsley Coman dhe Jerome Boateng”, – tha ai.

Ndërsa Manuel Neuer është i bindur se Bayern Munich mund të bëjë kthesën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kundër PSG-së, rival për të cilin pretendon se “ka probleme në pjesën e pasme”:

“Duhet të qëndrojmë të qetë në aspektin psikologjik, por të kemi zjarr në zemrat tona. Ne duam t’i qasemi lojës në mënyrën e duhur, me motivim, me ekuilibër mes reparteve dhe natyrisht stabilitetin që nevojitet ndaj lojtarëve kaq të shpejtë.

Do të duhet të ruajmë qetësinë, të luajmë futboll sulmues dhe t’i vëmë nën presion. Ata kanë probleme në pjesën e prapme. Nëse krijojmë aq shumë shanse sa në Mynih, atëherë mund t’ia dalim. Skuadra gjithmonë merr përsipër një rrezik të lartë, por kur humbet topin nuk është më aq kompakte sa në sezonin e kaluar. Konstatoj një mungesë zgjuarsie dhe shpejtësie te lojtarët.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN