MENU
klinika

Zgjedhjet. vetëm disa ditë larg

Në rrezik projekti i identifikimit të votuesve me gisht/ Celibashi del garant për votimin elektronik

17.04.2021 - 14:01

Pas dyshimeve të hedhura nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dy ditë më parë për votimin elektronik në Njësinë 10, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kërkon të qetësojë partitë politike dhe qytetarët, duke u shprehur se nuk ka vend për manipulim.

Në një prononcim për mediat, Komisioneri Shtetëror shprehet se procesi është 100% i sigurt dhe nuk ka asnjë mundësi për transformim të rezultatit të votës së 25 prillit.

“Ajo që mund të them me siguri në lidhje me procesin zgjedhor që do zhvillohet në Njësinë 10, ku do të votohet nëpërmjet elektronikës, procesi është 100% i sigurt dhe nuk ka shans që edhe dikush tjetër në mënyrë joinstitucionale të manipulojë atë proces”, tha Celibashi.

Por mesa duket edhe teknologjia nuk do t’u vijë në ndihmë kandidatëve të qarkut të Tiranës, konkretisht në Njësinë numër 10, ku do të aplikohet projekti pilot i votimit elektronik. Edhe në këtë njësi, ndryshe nga sa ishte përgatitur modeli në pajisjet teknologjike që kandidatët të identifikoheshin me emra, burime të gazetës “Panorama” bëjnë me dije se pas kërkesës insistuese të PS-së, edhe në pajisjet teknologjike kandidatët do të identifikohen me emra.

Kujtojmë që pretendimi i maxhorancës që këmbënguli që në fletën e votimit të mos ishin emrat e kandidatëve por numrat ishte fakti se fleta e votimit do të ishte shumë e madhe dhe do ta bënte të vështirë për votuesin që të zgjidhte. Por megjithëse në votimin elektronik ky problem nuk ekzistonte, madje vetëm se lehtë- sonte procedurën e votimit, Partia Socialiste ka insistuar sërish që kandidatët të identifikohen me numra.

RREZIKU

Por teksa na ndajnë 8 ditë nga data e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë përballë një sfide të madhe që mund të rrezikojë edhe procesin e identifikimit elektronik. Duke qenë se në këto zgjedhje është risi përdorimi i teknologjisë për identifikimin elektronik të zgjedhjeve, lind nevoja për të siguruar teknikë të trajnuar që të menaxhohen pajisjet elektronike.

Partitë politike nuk pranuan që pajisja të administrohej nga një nga komisionerët, ndaj KQZ-së i lindi detyrimi që të rekrutojë mbi 5200 teknikë për të qenë përgjegjës për përdorimin e pajisjes elektronike. Pikërisht këtu është edhe problemi. Sipas burimeve të gazetës “Panorama”, kanë qenë rreth 11 mijë aplikues për këtë post, por mësohet se numri i atyre që kanë shkuar për t’u trajnuar dhe që kanë ndjekur aplikimin ka qenë më i ulët sesa qendra votimi ka Shqipëria ditën e zgjedhjeve. Ndërkohë, KQZ-ja pritet që të zgjasë afatin e aplikimit për teknikët./panorama