Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës është futur në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend.
Ka mbetur vetëm qarku i Tiranës pa u mbyllur procesi i numërimit.
Deri më janw numëruar 5154 nga 5199 kuti, pra kanë mbetur vetëm 45.
Socialistët kanë arritur që të marrin 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni. E thënë ndryshe në gjuhën e shifrave, ajo ka arritur që të marrë 48.62 % ose 753262 vota.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk ka arritur që të sjellë ndryshimin e premtuar, duke dalë në këto zgjedhje si forcë e dytë, ose 39.49 % të votave. Megjithatë, ia vlen të theksohet se demokratët kanë njohur një rritje krahasuar me zgjedhjet e 2017, ku nga 46 mandate që kanë pasur, në 25 prill kanë marrë 59.
Këto zgjedhje sollën disfatën më të madhe elektorale të LSI-së, e cila është “zhdukur” nga harta elektorale në 9 qarqe të vendit, pasi në 25 prill mori vetëm 4 mandate, 2 në Tiranë, 1 në Fier dhe Shkodër. Në zgjedhjet e 2017, LSI-ja mori 225 975 vota ose 14,28%, përthyer në 19 mandate. Pas katër vitesh nën drejtimin e Monika Kryemadhit, në zgjedhjet e 25 prillit 2021, LSI ka marrë vetëm 4 mandate, rreth 110 mijë vota ose 6.82 %. Pas katër vitesh, LSI-ja ka humbur më shumë se sa gjysmën e mbështetësve.
Celibashi udhëzues për grupet e numëruesve
Surpriza e këtyre zgjedhjeve ishte PSD e Tom Doshit që mori 3 mandate, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë, e megjithatë po aq surprizë ishte vendimi i tij për t’u tërhequr nga marrja e mandatit me një dorëheqje të parevokueshme, teksa tha se do bëjë koalicion me PS.