MENU
klinika

Tenis

Numri dy del pozitiv, humb shansin për kapur Djokovic

13.04.2021 - 11:35

Organizatorët e turneut Masters të Montecarlo, që sapo ka nisur, bënë me dije se tenisti rus Daniil Medvedev, numri 2 në botë për meshkuj, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Tenisti është futur menjëherë në izolim në hotelin ku ishte akomoduar, por frika ka pushtuar organizatorët dhe personat që ishin në kontakt me rusin. Për të evituar çdo të papritur, janë kryer disa dhjetëra teste të shpejta të personave që kanë qenë afër Medvedev.

Rusi është nën monitorimin e stafit mjekësor të ATP-së. Tenisti duhej të luante të enjten në raundin e dytë, por tashmë i duhet të qëndrojë në karantinë edhe pse nuk ka simptoma.

Mungesa e tij do t’i kushtojë jo pak, pasi Medvedev synonte triumfin në këtë turne dhe të arrinte në renditje Djokovic, ndërsa tani rrezikon edhe vendin e dytë, pasi Rafael Nadal është pranë tij.

Turneu i Montecarlos është Masters i parë që zhvillohet në Europë, në fushat me dhè. “Më vjen keq që nuk mund të luaj në këtë turne. Shpresoj të rikuperoj sa më shpejt, për të vijuar sezonin tim”, – shkroi Medevev në twitter.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN