MENU
klinika

Gazeta jetëshkurtër opozitare

Ora e Maleve e fjalës shqipe!

16.04.2021 - 12:16

        Pas shkretimeve të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria kishte nevojë më shumë për dije dhe për këtë qëllim, Koliqi vendosi të botojë një gazetë. Kështu, së bashku me Anton Harapin (1888-1946) dhe Nush Topallin, ai themeloi të përjavshmen opozitare “Ora e maleve”, numri i parë i së cilës doli në Shkodër më 15 prill 1923.

“Ora e maleve” ishte organ i Partisë Demokratike Katolike, që me mbështetjen e klerit katolik kishte fituar zgjedhjet në Shkodër.

Ky periodik, ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më gjerë. Një vit më vonë, pas një farë përvoje edhe si një poet i ri midis figurave më të njohura politike e letrare të kohës, si Gjergj Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid’hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli (1882-1965), Ernest Koliqi botoi një të quajtur poem dramatik, me titull “Kushtrimi i Skanderbeut”, Tiranë 1924.

Ajo përmban një radhë odesh për heroin kombëtar të Shqipërisë e për figura të tjera të mëdha të së kaluarës, krijuar sipas traditës së letërsisë së Rilindjes.

Gazeta ka qenë organ i grupit “Ora e maleve” –  një grupim intelektualësh katolikë, për të mbrojtur të drejtat e tyre e për të dhanë ndihmesën e vet në zhvillimin demokratik të vendit. Ky Grup u krijue nga Imzot Lazer Mjeda, vëllai i poetit Ndre Mjeda. Ai pati rreth vetes një brumë vërtetë mbrujtun me ideale kombëtare dhe shoqnore të përparueme, si: Fishta, L. Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shuk Gurakuqi, Harapi, Shantoja, Palaj, P.Ambroz Marlaskaj, Ndoc Ҫoba, vëllaznit Simoni e Nush Topalli, që zgjidhi i pari qesen me dhanë ndihmë në parë.

Gazeta “Ora e maleve” doli: Numri i parë, me 15 prill 1923. Gjatë këtij vjeti, 1923 dolën 43 numra, vazhdoi në vjetin 1924, me 1.I.1924 e deri me 25 dhetuer 1924, gjithsej 52 numra. Pra: 43 numra në vjetin e parë e 52 në vjetin e dytë, madje pati edhe shtesë numrash.

Më poshtë, poema dramatike me titull “Kushtrimi i Skanderbeut”, shkruar nga Ernest Koliqi:

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924.