MENU
klinika

Analiza

Pasaporta e vaksinimit të BE njeh edhe vaksinat kineze e ruse, shqiptarët…

15.04.2021 - 11:16

Vendet anëtare të Bashkimi Europian kanë miratuar zyrtarisht nxjerrjen e pasaportave të vaksinimit , duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve që kanë fituar imunitet.

Këto certifikata, të cilat do të hyjnë në përdorim që nga fillimi i verës, do të vlejnë edhe për qytetarët e Ballkanit Perwndimor dhe do të lëshohen për të gjitha vaksinat kundër Covid 19. Kjo do të thotë se me nisjen e sezonit turistik, qytetarët shqiptarë do të mund të lëviznin sërish në zonën Shengen, nëse tregojnë se janë të imunizuar. Ata do të lejohen të udhëtojnë pavarësisht vaksinës që kanë marrë dhe nëse paraqesin po ashtu një test seriologjik ku tregojnë se tashme e kanë kaluar Covid-19.

Didier Reynders, Komisioneri Europian për Drejtësinë, deklaroi në një debat përpara Komitetit të Lirive dhe Drejtësisë të Parlamentit Europian se qëllimi kryesor i certifikatave digjitale është të lehtësojnë lëvizjen e lirë në BE dhe të ndihmojnë qytetarët të rimarrin të drejtën e tyre për të udhëtuar, duke u kujdesur për shëndetin.

“Komisioni Europian ka propozuar po ashtu që certifikatat digjitale të gjelbra të shtrihen edhe për shtetasit e vendeve të treta dhe ata që banojnë ose udhëtojnë ligjërisht në B”. Deklaroi Reynders duke dhënë kështu një lajm të mirë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Me kalimin e kohës, certifikatat europiane do të njësohen me standardet ndërkombëtare dhe duhet të bëhet një harmonizim i sistemit që certifikatat e lëshuara nga vendet e treta pranohen automatikisht në BE, “tha Reynders.

Ai deklaroi se të gjithë qytetarët e BE-së do të marrin të njëjtin trajtim pasi të hiqen kufizimet e udhëtimit dhe se certifikatat do të lëshohen për të gjitha vaksinat, pavarësisht nëse ato ishin miratuar nga EMA. “Shteteve anëtare do t’u kërkohet të pranojnë vaksinat që janë miratuar në nivelin BE, por edhe do të jenë të lirë të pranojnë të gjitha vaksinat e tjera, si ato ruse dhe kineze ” tha Reynders.

Shqipëria ka nisur vaksinimin masiv me vaksinën kineze Sinovax dhe planifikon që muajt e ardhshëm të marrë në 1 milionë vaksina kineze, duke vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë aktive.

Për momentin, qytetarët e vendit tonë mund të lëvizin vetëm për arsye thelbësore, duke bërë një tampon dhe duke qëndruar në karantinë disa-ditore në vendin që mbërrijnë. Nga vendet fqinje, Greqia ka mbyllur pothuajse plotësisht kufijtë duke lejuar vetëm një numër të vogël shqiptarësh të kalojnë përmes Kakavijës, ndërsa Italia imponon një karantinë 5-ditore për qytetarët nga vendi ynë.

Në vitin 2019, më shumë se 43.835 emigrantë shqiptarë udhëtuan drejt Bashkimit Europian, 10 mijë prej të cilëve lëvizën në fillim të sezonit turistik në kërkim të vendeve të reja të punës.  Ndërkohë vitin e kaluar, edhe pse në mes të karantinës, Greqia arriti një marrëveshje në momentin e fundit me Shqipërinë për lëvizjen e mbi 10 mijë punonjësve sezonalë përpara verës.

Deri sa të hyjnë në fuqi pasaportat e vaksinimit, shqiptarët mund të lëvizin në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, e cila është ndër të paktat vende që pranon të gjithë udhëtarët, pa karantinë dhe test negativ.

Për të udhëtuar në Itali, shqiptarët duhet të vërtetojnë se po lëvizin për arsye shëndetësore ose pune dhe udhëtimi për turizëm dhe arsye të tjera jo thelbësore nuk lejohet. E njëjta gjë vlen edhe për udhëtimet drejt vendeve të tjera europiane. Greqia ndërkohë do të hapë javën e ardhshme kufijtë për qytetarët e vendeve të Bashkimin Europian dhe Serbisë, me të cilën ka lidhur një marrëveshje, por jo me Shqipërinë.

Sipas rregullave në fuqi, të gjithë qytetarët që vijnë nga vende jo anëtarë të BE, duhet të testohen 72 orë para se të mbërrijnë në vendet e unioni, por udhëtimet nga vendet e treta janë jo të këshilluara. BE ka vendosur që nga korriku i vitit të kaluar se do të lejohen vetëm udhëtime të domosdoshme nga familjarë të rezidentëve të vendeve të BE dhe që atëherë shqiptarët mbeten të izoluar.

Por të imunizuarit do të mund të lëvizin sërish, duke filluar nga mesi i majit, kur pritet të hyjnë në fuqi certifikatat e vaksinimit. Reynders  deklaroi se sapo OBSH të njoftojë fundin e pandemisë, ato do të pezullohen.

“Sapo të vendosim pandeminë pas nesh, nuk do të ketë nevojë për certifikata, por instrumenti, të cilin ne po prezantojmë tani, do të ruhet në rast se duhet të riaktivizohet për shkak të një pandemie të re,” tha Reynders.

Propozimi i Komisionit Evropian për futjen e certifikatave digjitale të gjelbra mori mbështetje nga Parlamenti Europian dhe pritet të miratohet këto ditë nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së./SI

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN