MENU
klinika

"Bujar Kapexhiu mbron islamin, por s’ka lexuar dy rreshta nga Kurani!"

Provokon Mustafa Nano: Pse intelektualët myslimanë në Shqipëri janë frikacakë, burracakë dhe ekstremistë!

01.04.2021 - 14:59

NGA MUSTAFA NANO

Përpara disa ditësh në Batley të Anglisë, një qytet afër Leeds-it, saktësisht në shkollën “Batley Grammar School” ndodhi një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e të gjithë britanikëve. Kjo ngjarje është një film i njohur, i parë e i stërparë, e madje shumë i mërzitshëm, por gjithsesi reflektorët e medias ranë mbi të. Në qendër të ngjarjes është mësuesi i lëndës së edukimit fetar. (Në Shqipëri, për fat të mirë, nuk kemi një lëndë të tillë. Para disa vitesh, qeveria aktuale ndërmori një nisëm për ta futur këtë lëndë në kurrikulat e shkollës së mesme, por fatmirësisht, nisma nuk u materializua.)

Mësuesi në fjalë, teksa po shpjegonte, iu referua disa karikaturave të profetit Muhamed. Bëhet fjalë për karikaturat e publikuara para disa vitesh nga e përjavshmja satirike franceze “Charlie Hebdo”. Në një moment të caktuar, mësuesi mori një prej këtyre fotove dhe e ekspozoi në një ekran përpara nxënësve, dhe më këtë ai synonte të shtronte një diskutim midis tij dhe nxënësve mbi lirinë e shprehjes, që është një nga vlerat më të rëndësishme të qytetërimit perëndimor; për mua është më e rëndësishmja.

Është ajo vlerë që më së pari e karakterizon këtë qytetërim, e përkufizon atë. Pasi përfunduan mësimin, nxënësit shkuan në shtëpi dhe informuan prindërit mbi atë që kishte ndodhur në shkollë, e sigurisht edhe mbi ngjarjen konkrete. Prindërit u shokuan, u skandalizuan. Nëpërmjet rrjeteve sociale, ata e përcollën lajmin gjithandej. Të nesërmen, një grup myslimanësh, midis tyre edhe prindërit e nxënësve, shkuan në shkollë dhe nisën të protestonin me forcë. Drejtori i shkollës, i ndodhur nën presion, mori vendimin për ta pezulluar kolegun e tij. Madje, ky i fundit mori edhe kërcënime me vdekje për këtë rast. Që prej këtij momenti, mësuesi është nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e policisë. Ai nuk dihet ku jeton. As prindërit e tij nuk e dinë se ku jeton ai.

Kjo është ngjarja që trazoi britanikët këto ditë. Ata reaguan në mënyrën e tyre, siç e kanë zakon të reagojnë, në mënyrë adekuate, me tolerancë dhe me kujdes. Mua më bëri përshtypje një reagim “i pakujdesshëm”, i cili i përkiste një studiuesi mysliman. Ai quhet Rakib Ehsan. Ai bëri një shkrim që e publikoi në gazetën e njohur “The Guardian”. Po perifrazoj se çfarë thoshte ai në thelb në atë shkrim: “Unë e marr me mend se nxënësit myslimanë të asaj klase, prindërit e tyre, myslimanët në përgjithësi, ndihen të lënduar nga gjeste të tilla.

Unë e marr me mend këtë gjë, sepse i njoh mirë myslimanët. Jo për gjë, por unë jam vet mysliman, dhe mua nuk më vjen mirë kur kjo gjë ndodh. Por thënë kjo, mua më duket se protesta dhe reagimi i prindërve myslimanë ishte i shpërpjestimuar, i gabuar, i pakuptimtë. Ne myslimanët e Anglisë, por edhe myslimanët nëpër botë, në përgjithësi, duhet të heqim dorë nga protesta të tilla, të cilat duken se nuk kanë funksion tjetër veçse të ushqejnë, të mbajnë gjallë dhe të promovojnë një stereotip të rrezikshëm, stereotipin e myslimanit radikal, mendje mbyllur dhe të prapambetur. Jo çdo gjë që na lëndon është islamofobi.

Prandaj, nuk ka asnjë arsye që ne të protestojmë e të presim që ata që na lëndojnë apo na fyejnë të kërkojnë falje publikisht. Mjaft bëmë rolin e viktimës! Myslimanët nuk mund të gjejnë në këtë botë një vend më të mirë se Britania e Madhe për të jetuar. Britania e Madhe është një vend bujar që na ka hapur dyert, na krijuar mundësinë të vijmë këtu, të ndërtojmë familjet dhe të realizojmë veten tonë. Britania e Madhe, përveç të tjerash, është edhe lokomotiva e botës kur vjen puna tek aspekti i respektimit të drejtës së njerëzve për të ushtruar besimin e tyre.”

Midis të tjerash, studiuesi në fjalë u ndal edhe te gjesti i drejtorit të shkollës, në lidhje me vendimin e tij për të pezulluar kolegun, duke e konsideruar këtë një masë të pakuptimtë, absolutisht të gabuar, madje drejtorin e etiketoi si një frikacak dhe burracak. Sipas tij shkolla “Batley Grammar School” nuk është shkollë islamike. Përkundrazi, ajo është një shkollë publike, laike, e cila ekziston prej 400 vjetësh, madje në origjinë ka qenë shkollë kristiane, dhe si të gjitha shkollat publike në Britaninë e Madhe, apo edhe në Europë, kjo shkollë ka për qëllim të edukojë nxënësit me frymën e të menduarit kritik. Ka për detyrë t’i vendosë nxënësit në rrethanat në të cilat atyre u bëhet e mundur të diskutojnë me njëri-tjetrin, apo edhe me mësuesit, në lidhje me çështje kontraverse. Shkollat publike kanë për detyrë t’i hapin mendjen nxënësve.

Kjo është ajo që tha në thelb, në shkrimin e vet, profesori e studiuesi mysliman Rakib Ehsan. Ai është një nga shumë intelektualët myslimanë të Britanisë së Madhe dhe të Europës që bëjnë të gjitha përpjekjet për të pajtuar Islamin me shekullin XXI. Për ta thënë ndryshe, bëjnë të gjitha përpjekjet për të promovuar, apo për t’ia bërë familjare besimtarëve të tjerë të Islamit, disa vlera të qytetërimit perëndimor, siç është liria e shprehjes , që e përmenda më herët, por edhe vlera të tjera, si: të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, shekullarizmi etj. Rakib Ehsan, bashkë me intelektualë të tjerë të Europës, që shprehen në këtë mënyrë e mbajnë këto qëndrime, rrezikojnë, marrin një kosto përsipër. Prandaj, ata meritojnë t’u heqim kapelën. Unë kam admirimin më të madh për këta intelektualë. Madje, këta janë në mënyrë të veçantë intelektualët e Europës në ditët e sotme që unë çmoj. Unë do të doja që në Shqipëri të kishim sa më shumë intelektualë të tillë. Mirëpo, nuk kemi asnjë.

Intelektualët myslimanë shqiptarë janë të trembur, janë frikacakë, burracakë dhe ekstremist. Unë po përmend termin “intelektualë mysliman”, por kam frikë se nuk bëhet fare fjalë për intelektualë, sepse nuk janë të tillë. Ndoshta, nuk janë as myslimanë. Ndoshta janë si Bujar Kapexhiu. Unë u çudita kur mora vesh gjatë emisionit, kur e pata të ftuar Bujarin në studion time (dhe unë po e përmend jo për ta fyer, ofenduar a denigruar atë, por thjesht për të ilustruar idenë time), se Bujar Kapexhiu, një nga intelektualët myslimanë protagonistë në debatin publik, në mbrojtje të Islamit, nuk ishte lutur asnjëherë në jetën e vet, nuk kishte shkuar kurrë në xhamí, e madje, me sa kuptova, kam përshtypjen se ai nuk kishte lexuar as dy rreshta nga Kurani, nga libri i shenjtë i myslimanëve.

Unë kam frikë se shumë “intelektualë” myslimanë janë të këtij kallëpi, bëjnë protagonistin pa ditur në thelb asgjë, lidhur me çfarë thonë e me atë që mbrojnë. Këta tanët, që mbahen si intelektualë myslimanë, do të duhej të ndiheshin ligsht, do të duhej të ndiheshin keq përballë intelektualëve të vërtetë si Rakib Ehsan. Në mos tjetër, për faktin se këta tanët, në ndryshim nga Rakib Ehsan dhe soji i tij, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të bëjnë avokatin për të gjitha prapësitë që e kanë burimin tek komuniteti i tyre, apo të ngrenë zërin kundër të gjithë atyre që kritikojnë këto prapësi. Kjo është e gjitha. Gjynah! / Monologu i emisionit “Arnautistan” në MCN TV

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin