MENU
klinika

Sa janë ulur ndihmat ekonomike?

Reduktohen pagesat sociale

12.04.2021 - 11:21

Viti 2021 ka nisur me një rënie të ndjeshme të pagesës për familjet që marrin ndihmë ekonomike, për ish të përndjekurit politikë si dhe për bonusin e bebeve. Ministria e Financave ka publikuar së fundmi raportin paraprak për nivelin e shpenzimeve dhe të ardhurave në dy muajt e parë të 2021. Në të dhënat e publikuara, menjëherë vihet re se shpenzimet për një kategori të rëndësishme janë tkurrur shumë.

Rënie më të ndjeshme kanë pësuar shpenzimet për pagesën e ish të përndjekurve. Qytetarët e kësaj kategorie gjithmonë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për pagesa shumë të ulta, por viti 2021 i gjeti me një tkurrje drastike. Referuar të dhënave, në janar-shkurt fondi për pagesën e tyre regjistrohej në 240 milionë lekë, ndërsa po në të njëjtën periudhë të 2021 për ta janë paguar vetëm 52 milionë lekë. Gjithashtu, pagesat për këtë kategori kanë pësuar ulje edhe në raport me planin fillestar të buxhetit 2021.

“Për muajin e dytë të vitit 2021, arritën në rreth 69.17 miliardë lekë, ku plani ishte 69.887 milionë lekë. Shpenzimet korente arritën në 2 mujor rreth 62.963 milionë lekë, për të cilat plani fillestar ishte 71. 015 milionë lekë. Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve procesi nuk ka ecur në ritmet e parashikuara, pasi fondi i kaluar për trashëgimtarët është realizuar vetëm 5%, nga 1 miliardë lekë të parashikuara për vitin. Pra 188 milionë lekë më pak në 2021”, thuhet në raportin e ministrisë.

Sakaq, evidentojmë këtu se dëmi për këtë kategori është edhe më i madh. Sepse gjatë diskutimeve për këtë çështje në miratimin e buxhetit u tha se, brenda muajve të parë të 2021 do të shpërndahet fondi, i cili nuk u dha gjatë 2020 dhe 900 milionë lekë do të fokusohen tek familjet e ish-të përndjekurve, të cilët duhej të ishin prioritet për këtë vit. Por, me sa duke kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani, pasi faza e parë për shpërblimin e tyre nuk ka nisur ende.

Ndihma ekonomike

Edhe pagesa për ndihmën ekonomike është reduktuar në janar-shkurt të 2021, krahasuar me janar-shkurt të 2020. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave pagesa për këtë kategori është regjistruar 1 miliard lekë më pak. Konkretisht, në dy muajt e parë të 2020 qeveria pagoi 4. 180 milionë lekë për familjet që përfitojnë asistencë, ndërsa për këtë fillim vit janë paguar vetëm 3. 176 milionë lekë. Në pikiatë ka qenë edhe pagesa për strehimin social. Në buxhetin e vitit 2021 qeveria parashikonte 300 milionë lekë vetëm për banesat sociale dhe 1.5 miliardë lekë për bonuset e qirave. Edhe pse shpenzimet në këtë drejtim kanë qenë të bollshme, çështja e strehimit është fokusuar më së shumti tek të prekurit nga tërmeti, duke lënë mënjanë të tjerët që përfitojnë nga ligji për strehim social.

Reduktohet fondi i bebeve

Sipas të dhënave të ministrisë edhe pagesa për fondin e bebeve ka qenë shumë më e vogël në këta dy muaj. Bonusi i lindjeve regjistroi gjatë muajit janar dhe shkurt vetëm 400 milionë lekë, ndërsa një vit më parë janë shpenzuar për këtë kategori mbi 570 milionë lekë. “Çeku i bebeve nuk ka shënuar rritje dhe për shkak të rënies së lindshmërisë dhe një faktor i shtuar në këtë sezon kanë qenë pikërisht frika dhe pikëpyetjet që krijoi pandemia pas rasteve të para që u diagnostikuan në mars. Përgjatë muajve janar-shkurt, nga fondi i shpenzimeve të përgjithshme janë dhënë 400 milionë lekë për bonusin e bebeve në të gjithë vendin. Në total, për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për bonusin e bebeve e për përfituesit e ndihmës ekonomike, për dy muajt e vitit janë lëvruar 3.7 miliardë lekë ose 1.3 miliardë më pak se e periudha janar-shkurt e vitit të kaluar”, theksohet në raport.

Ndërkohë, evidentohet se përjashtim bën vetëm pagesa e papunësisë, e cila është rritur për shkak të shtimit të numrit të individëve që humbën punën dhe u regjistruan si punëkërkues.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kush përfiton dhe dokumentet që kërkohen

COVID-19/ Hyn në fuqi paketa e ndihmës për bizneset

Adrian Civici/ Leku në raport me euron dhe dollarin

Çfarë po ndodh në tregjet monetare?