MENU
klinika

Ja si u mbrojt

Rezistenca e tregut të pensioneve private

10.04.2021 - 10:17

Rritja e kursimeve dhe përmasat e vogla e mbrojtën tregun e pensioneve private nga kriza në 2020-n

Ersuin Shehu

Tregu i pensioneve private u ndikua më pak nga kriza e pandemisë vitin e kaluar, të paktën po ta krahasojmë me tregun paralel të fondeve të investimit. Asetet neto të fondeve të pensioneve u rritën vitin e kaluar me 23.8%, ndërsa numri i përgjithshëm i anëtarëve, me 9.8%. Vijimësia e rritjes në tregun e fondeve të pensioneve private mund të shpjegohet, së pari, me natyrën e ndryshme të këtyre fondeve, që janë më shumë një kursim për pleqërinë, sesa një formë e mirëfilltë investimi.

Personat e anëtarësuar në këto fonde kanë vazhduar të rrisin kontributet e tyre, edhe sepse në një pjesë të madhe, ata janë pjesë e skemave që financohen ose bashkëfinancohen nga punëdhënësit e tyre. Zakonisht, skemat e financimit të pensionit të punonjësve u takojnë kompanive të mëdha dhe shëndetshme financiarisht, që nuk u prekën shumë nga kriza dhe vazhduan të derdhin kontribute.

Në këndvështrimin individual, kriza e beftë e vitit të kaluar shtoi pasigurinë dhe nxiti prirjen e njerëzve për të kursyer. Kjo u ilustrua qartë nga rritja e depozitave bankare dhe konfirmohet pjesërisht, edhe nga rritja dyshifrore e aseteve të pensioneve private.

Përfitimet e akumuluara janë ende modeste

Në fund të fundit, pavarësisht rritjes dyshifrore, përmasat e tregut në vlerë absolute ngelen mjaft modeste. Në fund të vitit 2020, vlera e aseteve neto ishte vetëm 3.6 miliardë lekë, ose rreth 29 milionë euro. Që nga viti 2013, aktivet e tregut janë rritur me afërsisht nëntë herë, por rritja ka ardhur nga një bazë shumë e ulët. Përmasat modeste të tregut të pensioneve në Shqipëri mund të kuptohen qartë, duke parë vlerën e deritanishme të përfitimeve mesatare për çdo kontribuues. Sipas statistikave të AMF, në fund të vitit 2020, çdo kontribuues zotëronte mesatarisht 116 mijë lekë, ose rreth 940 euro asete neto në llogarinë e fondit të pensionit, në rritje me afërsisht 13% krahasuar me një vit më parë.

Tregu i pensioneve private në Shqipëri është ende shumë i ri dhe zgjerimi i mirëfilltë i fondeve nisi vetëm një dekadë më parë, pas hyrjes së investitorëve me përvojë nga tregu bankar dhe ai i sigurimeve. Gjatë këtyre viteve, rritja e tregut është mbështetur sidomos në skemat e ndërmarrjeve, përmes të cilave punëdhënësit derdhin një kontribut mujor për pensionin privat të punonjësve. Në disa raste, këto skema funksionojnë në formë bashkëkontributesh nga punëdhënësi dhe punëmarrësi. Por, vlera mesatare e kontributeve duket të jetë ende e vogël.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në fund të vitit 2020, paga mesatare bruto në Shqipëri është afërsisht 55 mijë lekë në muaj. Shumica e të punësuarve vështirë se do të kishin mundësi të investonin për një pension privat nga paga, ose do të mund ta bënin këtë vetëm në përmasa simbolike.

 

Burimi: AMF

 

Burimi: AMF

 

2.5% e punonjësve shqiptarë investojnë në një pension privat

Vetëm 2.5% e punonjësve shqiptarë investojnë sot për një pension privat shtesë. Shifrat tregojnë se, me gjithë rritjen e ndjeshme të numrit të kontribuuesve në vitet e fundit, brezat që janë sot aktivë në tregun e punës do të ngelen në masën dërrmuese të varur nga pensioni shtetëror.

Të dhënat e AMF-së tregojnë se në fund të vitit 2020, rreth 31 mijë shqiptarë ishin të regjistruar si kontribuues në skemat e pensioneve private. Në pesë vitet e fundit, numri i kontribuuesve është zgjeruar me 56%, ose rreth 11 mijë individë. Megjithatë, ende sot kontribuuesit në skemat e pensioneve private përbëjnë një pjesë të vogël të numrit aktiv të të punësuarve në ekonomi. Sipas INSTAT, në fundin e vitit 2020, Shqipëria kishte rreth 1.23 milionë të punësuar. Sipas këtyre shifrave, rezulton se vetëm 2.5% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve paguan kontribute për një pension shtesë.

Depërtimi i pensioneve private në forcën e punës në Shqipëri ngelet i ulët, qoftë edhe në raport me numrin e kontribuuesve në skemën e detyrueshme të pensioneve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore raportonte gjithsej rreth 738 mijë kontribuues në skemën e detyrueshme të pensioneve, sipas të dhënave të mesit të vitit 2020. Mbi këtë shifër, mund të llogarisim se vetëm rreth vetëm 4.2% e kontribuuesve të skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore kontribuojnë paralelisht për një pension privat. Edhe ata që janë të regjistruar në skemat e pensioneve private, në shumicën dërrmuese, investojnë shifra të vogla në to.

 

Pensioni privat tatohet

Legjislacioni aktual i përjashton kontributet për pension privat nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në një kufi prej 200 mijë lekësh në vit nga punëmarrësi dhe 250 mijë lekë në vit nga punëdhënësi. Teorikisht individi, që kontribuon në mënyrë individuale, mjafton të paraqesë pranë institucionit ku është i punësuar kontratën e anëtarësimit në fondin e pensionit vullnetar që ka zgjedhur, ku është i specifikuar kontributi, i cili duhet të deklarohet si i zbritshëm për punëmarrësin përpara se t’i aplikohet tatimi mbi të ardhurat personale.

Por, sipas drejtuesve të shoqërive që administrojnë fondet, praktikisht individi përballet me refuzimin e institucionit punëdhënës për të zbatuar zbritjen fiskale të kontributit, që vjen si pasojë e paaftësisë për të përthithur të gjithë kuadrin ligjor, deri te papërgjegjshmëria për ta zbatuar atë.

Në projektligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, që u hodh për konsultim vitin e kaluar, propozohej që përjashtimi për kontributet e paguara nga punëmarrësi të rritej në 240 mijë lekë në vit, ndërsa shuma e zbritshme nga tatimet për kontributet e derdhura nga punëdhënësi do të mbetet në kufirin e 250 mijë lekëve në vit.

Kompanitë që veprojnë në këtë treg kanë kërkuar një limit më të lartë të përjashtimit të kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin për shoqëritë punëdhënëse. Sipas tyre, edhe limiti i propozuar me projektligjin e ri është ende i ulët, duke marrë në konsideratë se ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2009.

Problem edhe më i madh është fakti që, sipas legjislacionit aktual, pensioni privat tatohet i plotë, ashtu si çdo e ardhur tjetër individuale. Nëse një individ sot përfiton një pension privat, ai do të tatohet i gjithi në masën 15%; ai që quhet përjashtim nga tatimi, në fakt, është thjesht një shtyrje e këtij tatimi, nga momenti i derdhjes së kontributeve në momentin e përfitimit të pensionit. Fakti që pensioni privat do të tatohet si një e ardhur tjetër e çfarëdoshme mund të jetë një faktor frenues në vendimmarrjen e individëve për të investuar.

Për sa i përket tatimit të përfitimeve, skenarët e propozuar nga aktorët e tregut janë disa. Një propozim është mostatimi në asnjë masë i përfitimeve nga pensioni privat, në momentin kur plotësohen kushtet për përfitimin e pensionit; një alternativë tjetër është që të tatohet vetëm kthimi mbi investimin; një rrugë e tretë, e sugjeruar nga tregu, është që nëse pensionet private tatohen, të paktën të aplikohet sistemi progresiv i tatimit, sikurse mbi të ardhurat nga paga. Një qëndrim të ngjashëm institucional ka mbajtur historikisht edhe AMF, që në projektligjin e fundit që ka përgatitur, propozonte që pensionet private të mos tatoheshin më për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi. Deri tani, asnjë nga këto alternativa nuk është pranuar zyrtarisht nga qeveria.

 

Kursimet e individëve janë një potencial i madh

Problemi bëhet edhe më i madh, nëse kontributet për një pension privat nuk financohen nga pagat, që në teori janë të përjashtuara nga tatimi deri në një shumë të caktuar. Megjithëse të ardhurat mesatare të shqiptarëve ngelen relativisht të ulëta, individët kanë kursime të konsiderueshme, të mbajtura në depozita bankare apo letra me vlerë të qeverisë.

Pasuria financiare e individëve, e llogaritur si diferencë mes mjeteve dhe detyrimeve të tyre financiare, në fund të vitit të kaluar ishte mbi 8 miliardë euro. Kursimet e individëve në formën e depozitave bankare janë afërsisht 10 miliardë euro. Në teori, një pjesë e këtyre kursimeve mund të shërbejnë si burim potencial për të zgjeruar investimin në fondet e pensioneve.

Në rast se individët do të donin të investonin për pension privat kursimet e tyre, që supozohet se janë tatuar një herë në momentin e përfitimit të tyre, ata do të paguanin sërish tatim në momentin e përfitimit të pensionit. Ky trajtim fiskal sigurisht nuk i nxit individët që, një pjesë të kursimeve, të cilat mund t’i kenë në banka t’i investojnë në fondet e pensioneve private.

“Ne mund ta kuptojmë tatimin vetëm për të ardhurat nga investimi, por mendojmë se tatimi edhe i kontributit i frenon individët për të investuar në pensione private dhe nuk e ndihmon zhvillimin e këtij tregu. Po marrim një shembull të thjeshtë: nëse dikush ka kursime që i mban në bankë dhe dëshiron t’i investojë në një fond pensionesh, kur të vijë koha që ai do të përfitojë pension, shteti do t’i mbajë tatim. Për mendimin tim, është e pakuptimtë dhe e padrejtë që të tatohen kursimet e individëve. Po flasim për pensione, në fund të fundit” – thotë Elvis Ponari, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese të fondeve të pensioneve, Sigal Life Uniqa Group Austria.

Përderisa investimi në një pension privat ngelet vullnetar dhe përfitimet nga pensioni trajtohen si një e ardhur e çfarëdoshme nga pikëpamja fiskale, masivizimi i pensioneve private në Shqipëri mbetet i vështirë.

 

Kolona e dytë, si pjesë e zgjidhjes së problemit të pensioneve

Aktualisht, sistemi i pensioneve në Shqipëri nuk ka një kolonë të detyrueshme private, siç ndodh në shumë vende të botës. Investimi në skemat private mund të bëhet mbi baza vullnetare. Përfshirja e një kolone të detyrueshme private do të kishte kosto afatshkurtër për buxhetin, sepse një pjesë e kontributeve do të transferoheshin drejt fondeve private të pensioneve.

Kjo është arsyeja kryesore pse reforma e fundit e pensioneve, që nisi zbatimin në vitin 2015, nuk parashikoi ngritjen e një kolone të detyrueshme private. Por, në afatin e gjatë, një kolonë e dytë do të ulte barrën mbi skemën publike të pensioneve, që është burimi kryesor i të ardhurave për të moshuarit.

Për vitin 2020, deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore ishte pothuajse 51 miliardë lekë, ose rreth 410 milionë euro. Projeksionet demografike që parashikojnë tkurrjen e popullsisë dhe plakjen e saj e bëjnë më të zymtë të ardhmen e skemës së pensioneve. Me kalimin e viteve, shteti pritet të ketë gjithnjë e më shumë pensione për të paguar dhe më pak individë në moshë pune që paguajnë kontribute. Ndarja e “barrës” së pensioneve me fondet private mund të jetë pjesë e zgjidhjes afatgjatë të problemit.

“Kolona e tretë, fondet e pensionit vullnetar, nuk mund të pretendohet të jetë zgjidhje e problemit të pensionit për shqiptarët. Kjo kolonë, sikurse është edhe në vendet e zhvilluara, do të jetë plotësuese e dy kolonave kryesore. Me keqardhje vërejmë se nuk ka asnjë strategji afatgjatë, që të adresojë problemin madhor të sistemit të pensioneve në Shqipëri.

Nisma e dy viteve më parë për të zhvilluar sistemin privat të pensioneve dhe specifikisht, kolonën e detyrueshme private, duket sikur është lënë përsëri në harresë. Është fakt që kolona e parë, apo skema e detyrueshme shtetërore në Shqipëri, nuk është vetëfinancuese, aktualisht ka më shumë përfitues (pensionistë) sesa kontribuues (të punësuar që derdhin kontribute të sigurimeve shoqërore) dhe raporti parashikohet të rritet në 140% në 2040, sipas parashikimeve demografike” – thotë Estela Koçi, drejtore e përgjithshme e shoqërisë administruese Credins Invest.

Elton Korbi, drejtor i shoqërisë administruese Albsig Invest, mendon se është i nevojshëm vlerësimi i mundësive për vënien në zbatim të skemave të detyrueshme të pensionit privat.

“Në periudhën afatgjatë, ato do të jenë një mbështetje shumë e mirë e skemës shtetërore të pensioneve. Vlen të theksohet që një reformë e tillë kërkon studim të thelluar mbi qëndrueshmërinë e të gjitha skemave të pensionit shtetëror apo privat, por nga ana tjetër, mbetet nevojë emergjente, duke parë deficitin që krijon skema e pensioneve shtetërore, si dhe zhvillimin e pakët dhe të ngadaltë të skemave të pensionit privat vullnetar” – shprehet ai.

 

Ndarja e tregut, Sigal kryeson me asete, Credins me numër anëtarësh

Fondi më i madh i pensioneve private për nga vlera e aktiveve neto edhe vitin e kaluar ishte Sigal. Sipas statistikave të AMF-së, Sigal zotëronte 44.2% të aseteve neto të tregut, për një vlerë totale prej rreth 1.6 miliardë lekësh. Krahasuar me një vit më parë, pjesa e tregut e Sigal ka pësuar rënie të lehtë, me rreth 1.5 pikë përqindje.

Fondi Credins Pension renditej i dyti, me një vlerë asetesh neto prej afërsisht 1.1 miliardë lekësh, ose sa rreth 30.1% e tregut. Credins Pension e ka rritur pjesën e vet të tregut me rreth 1.7 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë.

Fondi i pensioneve Raiffeisen, në fund të vitit 2020, renditej i treti, me rreth 880 milionë lekë asete neto, duke zënë rreth 24.4% të tregut, nga 25.9% një vit më parë. Fondi më i ri i pensioneve, Albsig, në vitin e parë të aktivitetit, ka raportuar asete neto në vlerën e 46 milionë lekëve, ose rreth 1.3% të tregut.

 

Burimi: AMF

 

Sipas numrit të anëtarëve,  edhe për vitin 2020, tregu u dominua nga fondi Credins Pension, me rreth 17,600 anëtarë, ose 56.8% të numrit të përgjithshëm të tyre. Pjesa e tregut të Credins Pension ka rënë disi nga niveli prej 60.6% i një viti më parë, megjithatë ai ruan një avantazh të konsiderueshëm ndaj konkurrentëve të tjerë për këtë tregues, edhe falë mbështetjes në promovimin e produktit përmes rrjetit të kompanisë mëmë, Credins Bank.

Fondi Sigal renditet i dyti, me 8,400 anëtarë, ose rreth 27.2% të tregut. Edhe Sigal ka pësuar rënie me 1.4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.  Fondi Raiffeisen, në fund të vitit 2020, kishte rreth 3,100 anëtarë ose 10% të tregut, nga 10.8% një vit më parë.

Fondi Albsig ka arritur të fitojë një peshë tregu më domethënëse të llogaritur në numër anëtarësh. Në afërsisht 10 muaj aktivitet, Albsig raportoi rreth 1850 kontribuues, ose rreth 6% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve në treg.

 

Burimi: AMF

 

Kthimet nga investimi, në rënie

Edhe fondet e pensioneve, vitin e kaluar, vuajtën rënie të lehtë në kthimet nga investimi, tendencë e ngjashme me fondet e investimeve. Tendenca e njëjtë e kthimeve në tregun financiar vitin e kaluar lidhet kryesisht me faktin që portofoli i fondeve të investimeve dhe të pensioneve në lekë është i përqendruar pothuajse i gjithi në bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare.

Në fund të vitit 2020, investimet e fondeve të pensioneve konsistonin 100% në bono dhe obligacione. Këto instrumente kanë një nivel të ulët rreziku, gjë që, në afatin e gjatë, përkthehet edhe në kthime relativisht të ulëta nga investimi. Në fund të vitit të kaluar, normën më të lartë të kthimit e ofronte fondi i pensioneve Raiffeisen, me 4.35% me bazë vjetore. Kthimi nga ky fond ishte në rënie krahasuar me nivelin 4.89% në fund të vitit 2019.

Fondi më i madh për nga vlera e aseteve, Sigal, në fund të vitit 2020, kishte një kthim nga investimi në nivelin 3.53%, nga 4.17% një vit më parë.

Në fund të vitit 2020, fondi Credins Pension raportoi një kthim nga investimi në nivelin 2.85%, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 4.89% i vitit 2019. Në fund të vitit të parë të aktivitetit, fondi i pensionit, Albsig, rezultoi me një kthim nga investimi pranë nivelit të 2%. Pavarësisht rënies në vitin 2020, fondet e pensioneve përgjithësisht vazhdojnë të ofrojnë norma kthimi më të larta krahasuar me depozitat bankare, që janë edhe alternativa kryesore e mbajtjes së kursimeve për individët.

 

Burimi: AMF