MENU
klinika

Studimi nga Aleks Buda

Shkatërrimi dhe grabitjet e gjermanëve në Apolloni e Butrint

18.04.2021 - 13:22

         Në një raport të gjatë e të detajuar, i hartuar nga Aleks Buda dhe një ekip specialistësh për dëmet e luftës në sektorin e trashëgimisë në Shqipëri, pasqyrohen detaje të imëta mbi objektet e shkatërruara plotësisht, grabitjet, apo edhe objektet arkeologjike të dëmtuara rëndë nga ushtria gjermane.

Në një pjesë të raportit të tij hartuar në janar 1947, Aleks Buda sjell në vëmendje shkatërrimet hasur në Apolloni dhe Butrint, si dhe në disa prej qyteteve të vjetra shqiptare, si: Berati, Durrësi, Elbasani etj.

Por, Buda ndez alarmin për shkatërrimet, grabitjet dhe dëmtimet e rënda në Apolloni, në raportin e mbi dëmet të luftës nga ushtria gjermane në Shqipëri, duke shkruar:

“Shqipnia gjatë luftës kundër okupatorit gjerman ka pësue dame kolosale në pasuninë e saj arkeologjike-artistike; qoftë nga veprimet e luftës drejt për drejtë, qoftë nga fortifikimet që ndërtoi ushtria gjermane në bregun e detit ose në vend e të tjera të përshtatshme, qoftë nga grabitje kolektive apo individuale nga ushtarë gjermanë. Me gjithë pengesat që ka statistika në gjetjen e dameve private, tabela nr.1 na ep nji shumë të konsiderueshme për objekte me vleftë artistike ose antikuare që u janë grabitë privatëve nga ushtarë gjermanë.

Por dami ma i madh që i asht shkaktue pasunisë arkeologjike së Shqipërisë asht vandalizmi i bamë në qytetin antik të Apollonisë (Pojan). Qyteti i rrëmuem nga misionin arkeologjik francez nën drejtimin e prof. Leon Rey u transformue në një fortifikatë detare. Pa marrë parasysh vleftën arkeologjike, gurët u çkëputën nga muret, nga kamaret, e u përdorën për me ndërtue fortifikime ose strehime antiajrore të mëdhaja.

Xhevahire si portiku i shek.II-të para Krishtit u shkatërrue tue i marrë shtyllat e stilit jonik maqedonik, nji stil që gjindet vetëm në Apolloni. Muri i Akropolit u prish për të hapë strehime antiajrore. Asht dëmtue randë theatri, monumenti i Agustëve etj, duke lanë me nj’anë materialin e lujtshëm si fragmente etj, që asht grabitë nga ushtarët gjermanë. Dami i shkaktuem në Pojan-Apolloni asht kolosal e me çdo shumë reparacionesh nuk mund të vihet në vend.

Në fushën tjetër të rrëmimëve me famë botnore, në Butrinto, përveçse nga grabitjet e materialit të luejtshëm nga fushat e rrëmimeve na asht shkaktue nji dam i madh me shkatërrimin e plotë të fortesës e të pallatit venecian nga fortifikimet detare gjermane. Me këtë asht zhdukë monumenti ma me rëndësi nga historia mesjetare e Butrintos.

Dame të konsiderueshme kanë pësue fortesa të vjetra karakteristike për qytetet e vjetër të Shqipërisë e që datojnë nga kohë të vona të antikitetit, nga epoka byzantine, veneciane ose turke. Kështu p.sh me rastin e një bombardimi që bani ushtria gjermane në Durrës ditët e kapitullimit të Italisë (shtator 1943) e me rastin e fortifikimeve detare asht damtue kalaja e Durrësit; nga ndërtime strehimesh antiajrore dhe nga nji bombardim i Beratit ditët e çlirimit nga ushtria N.Ç. (shtator 1944) asht damtue Kalaja e Beratit. Nga ndërtimi strehimesh antiajrore asht damtue ma në fund edhe kalaja e Elbasanit”.

Aleks Buda ishte ngarkuar nga qeveria e pasluftës, menjëherë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, për të verifikuar e analizuar dëmet e luftës në fushën e trashëgimisë historike e artistike, sikurse edhe për sistemimin dhe administrimin e pasurive të trashëgimisë të sekuestruara nga regjimi komunsit në vitet e para të pasluftës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pacolli thirrje publike Metës dhe Ramës

“Mblidhni në një tryezë faktorin shqiptar”