MENU
klinika

Nga Dr (c). Igli Tola

(Sh)përdorimi i parave të shqiptarëve

16.04.2021 - 15:04

Investimet publike në buxhetin e çdo viti mesatarisht zënë nga 14-18% të totalit të shpenzimeve, rreth 90 Miliardë lekë (750 Milionë Euro). Shumë ekspertë me të drejtë shprehen se pak nga paratë publike shkojnë për zërin e Investimeve, krahasuar me mbi gjysmën e Buxhetit që alokohet për pagat e administratës, përkrahjen sociale dhe pensionet; në total 235 Miliardë lekë (afro 2 Miliardë Euro). Megjithatë, shqetësim më objektiv do të qe se sa mirë përdoren këto para që destinohen për investime, infrastukturë etj.

Abuzimet me tenderat, prokurimet dhe blerjet publike, së fundmi edhe me PPP-të janë një histori që na ka shoqëruar gjatë gjithë historisë mbi 30-vjeçare në ‘ekonomi të lirë’. ‘Gangrenë’ e mirëfilltë për të cilin të gjithë flasin, akuzojnë, aludojnë e premtojnë; por që në fund asgjë nuk ndryshon. Fenomen që në mënyrë sintetike përmblidhet nga teoria alla-absurde: “Ndryshojmë gjithçka që në fund mos të ndryshojë asgjë.”

Organi publik suprem për auditim, KLSH-ja vetëm për 6-mujorin e parë të 2020 (Janar – Qershor 2020) raporton se vetëm nga auditimi i procedurave të prokurimit ka një dëm ekonomik në shumën e 336 Milionë lekëve. 270 Milionë lekë ose 81% e totalit të dëmit të evidentuar është në procedurat e prokurimit dhe 65.3 Milionë lekë (19% e totalit) vjen gjatë zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve. Zinxhiri i abuzimeve është i qartë, fillon me planifikimin e projekteve, në lidhjen e kontratave e deri në zbatimin dhe marrjen në dorëzim të tyre prej organeve kontratore.
Në një spektër më analitik, mund të analizojmë që dëmi ekonomik në fushën e prokurimeve publike konstatohet si shkelje në:

 Përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit; që mund të krijojë favorizim të padrejtë të një pale që në krye të herës.
 Llogaritjen e vlerës së kontratës; respektimin e kufijve monetar / përzgjedhjen e procedurës së prokurimit publik
 Paraqitjen dhe pranimin e ofertave; hapjen dhe shqyrtimin e ofertave të paraqitura në konkurrim
 Njoftimin e fituesit, në procedurat e prokurimit me një ofertues, në lidhjen e kontratave dhe marrëdhëniet me nënkontraktorët, arkivimin e dosjeve për tenderat e zhvilluar; zbatimin e kontratave nga kontraktorët në përputhje me kushtet e përgjithshme etj.

Ndërsa, po qe se të dhënat nga institucionet tona i marrim me rezervë mund të citojmë raportin e BERZH, ku qartësisht pohohet se 22.8% e tenderave janë me probleme, duke i etiketuar ato me ‘red flag’ (flamur të kuq). Tregues për një ekspozim apo risk të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose etikën e biznesit. 319 prej tyre rezultonin me mungesë të konkurrencës (garës) apo negocim të drejtëpërdrejtë, 276 me skualifikim të padrejtë të një ose disa operatorëve pjesëmarrës në garë etj.
. . .
Kërkesat e Ligjit Nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar janë të qarta dhe rigorozisht të rrepta ama historikisht ka pësuar ‘goditje’ të papreçedenta. Dobësitë dhe thyerjet e sistemeve të kontrollit përgjatë të gjithë ciklit buxhetor, programimi i dobët, çeljet buxhetore, alokimet dhe rialokimet e fondeve jo gjithmonë të dokumentuara, pasuar me mos regjistrim të qëllimshëm të një pjese të shpenzimeve, për të qëndruar në vlerën e buxhetit të miratuar, me marrjen e angazhimeve buxhetore nëpërmjet hapjes së tenderave ose nënshkrimit të kontratave, pa pasur në dispozicion fondet e miratuara në buxhet etj; janë vetëm disa nga fenomenet e konstatuara. Të gjitha këto që sapo cituam shprehen qartëisht në stë dhënat zyrtare nga MFE, ku në periudhën 2014-2020, detyrimet jashtë llogarive fiskale/buxhetore, zë që përmbledh detyrimet e prapambetura ndaj këtyre kontraktorëve, arriti gati 70 miliardë lekë në nisje të tremujorit të tretë të 2020 ( mbi 570 milionë euro).

Po ashtu, nga raporti i nxjerrë nga Auditi i Brendshëm i kësaj ministrie në 2020, zbuloi se vetëm në 2019, 46% e faturave për detyrimet e prapambetura nuk ishte kontabilizuar nga njësia ekonomike brenda afatit ligjor prej 30 ditësh në Thesarë (SIFQ. ‘Grumbulli’ i detyrimeve ka dalë jashtë kontrollit, kryesisht prej kapaciteteve të mangëta menaxhuese.
Kësisoj, kur shohim rrugë ‘të mbetura rrugëve’ (papërfunduara), shkolla apo objekte të tjera civile të tej-amortizuara etj, kujtoni se qindra miliona euro (shpesh edhe miliarda) janë buxhetuar dhe faturuar për to ndër vite, por që gjithë ai ‘kalvari’ i shkeljeve proceduriale nuk i ka lejuar të nisin apo finalizohen.

* PhD(c). Ll M. Igli Tola
Pedagog, Ekspert Ekonomik

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


ANALIZË EKONOMIKE

Ne taksapaguesit dhe shteti