Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar udhëzimin mbi bazën e të cilit do të bëhet indeksimi i pensioneve, sipas kontributeve të derdhura ndër vite. Më një prill të këtij viti hyri në fuqi vendimi, i cili bën indeksimin me 2.7 për qind të pensioneve në të gjithë vendin.
Në një pikë të atij vendimi sqarohet se, do të ketë indeksim në bazë të pagës bazë që pensionistët kanë marrë në kohën kur ishin të punësuar, pasi nga indeksimi i pagës rritet vlera e kontributeve dhe rrjedhimisht vlera e pensionit. Prandaj, në udhëzimin e publikuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet koeficienti i kontributeve duke filluar nga të punësuarit para vitit ‘93 deri në 2021.
“Instituti i Sigurimeve Shoqërore udhëzon: Për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensioneve me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 571, datë 3.10.2018, “Për koeficientët e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”. Koeficientët aplikohen për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur deri në vitin 2021, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit që do të caktohet me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim”, udhëzon ISSH.
Në udhëzim është pasqyruar koeficienti i pagës, përmes të cilës do të llogariten kontributet çdo vit. Për këtë arsye theksohet këtu se, do të llogarisin rritjen e pensionit po me atë koeficient edhe qytetarët që kanë marrë statusin pensionist deri në fund të marsit 2021, ndërsa nga prilli e në vijim llogariten me tjetër koeficient. “Koeficientët e indeksimit të pagave, të përcaktuara me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 571, datë 3.10.2018, “Për koeficientët e indeksimit të pagave, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”, vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 180, datë 4.4.2019, “Për koeficientët e indeksimit të pagave, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve” dhe vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 262, datë 30.3.2020, “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2018, për llogaritjen e pensioneve”, mbeten në fuqi dhe përdoren për indeksimin e pagave mbi të cilat janë paguar kontributet vetëm për pensionet me datë fillimi deri më 31.3.2021”, sqaron udhëzimi.
Indeksimi për pensionistët e rinj
Ashtu sikur e theksuam më lart, ata qytetarë që kanë dalë në pension pas 1 prillit do të llogarisin indeksimin me tjetër koeficient. Konkretisht, llogaritja për vlerën e pensioneve të përftuara nga 1 prilli e në vijim nuk duhet të jetë më shumë se trefishi i rrogës minimale aktuale në vend dhe as më i lartë se niveli i pagës maksimale në fuqi. “Baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit që do të caktohet me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk mund të jetë më e lartë, se; trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 30.000 lekësh, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001; paga maksimale në shkallë vendi prej 130 312 lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit nr. 10, të ligjit nr. 7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim. Indeksimi i pagave me koeficientët e pasqyruar më sipër, për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve, do të bëhet vetëm për pensionet me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.4.2021”, përcakton udhëzimi”, sqaron ISSH. Pra, ISSH thekson se llogaritja e pensioneve do të bëhet duke pasur parasysh ligjin e kontributeve të miratuar në vitin 1993, në përllogaritje me indeksimin e pagës sipas koeficientëve të sqaruar më lart. “Në zbatim të vendimit nr. 196, datë 31.3.2021, të Këshillit të Ministrave, baza e vlerësuar e vitit 2019 do të indeksohet me indeksin 2,8%, të llogaritur sipas kritereve të përcaktuara ligjin datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë””, thekson udhëzimi.
Ja niveli i koeficientit për pagat e çdo viti
1. Për pagat referuese deri më datë 31.12.1993 koeficienti është 9.562
2. Për pagat e vitit 1994 koeficienti është 9.562
3. Për pagat e vitit 1995 koeficienti është 7.696
4. Për pagat e vitit 1996 koeficienti është 5.971
5. Për pagat e vitit 1997 koeficienti është 5.971
6. Për pagat e vitit 1998 koeficienti është 4.989
7. Për pagat e vitit 1999 koeficienti është 4.049
8. Për pagat e vitit 2000 koeficienti është 3.689
9. Për pagat e vitit 2001 koeficienti është 3.155
10. Për pagat e vitit 2002 koeficienti është 2.914
11. Për pagat e vitit 2003 koeficienti është 2.608
12. Për pagat e vitit 2004 koeficienti është 2.369
13. Për pagat e vitit 2005 koeficienti është 2.151
14. Për pagat e vitit 2006 koeficienti është 1.954
15. Për pagat e vitit 2007 koeficienti është 1.867
16. Për pagat e vitit 2008 koeficienti është 1.649
17. Për pagat e vitit 2009 koeficienti është 1.517
18. Për pagat e vitit 2010 koeficienti është 1.452
19. Për pagat e vitit 2011 koeficienti është 1.397
20. Për pagat e vitit 2012 koeficienti është 1.344
21. Për pagat e vitit 2013 koeficienti është 1.288
22. Për pagat e vitit 2014 koeficienti është 1.288
23. Për pagat e vitit 2015 koeficienti është 1.113
24. Për pagat e vitit 2016 koeficienti është 1.113
25. Për pagat e vitit 2017 koeficienti është 1.092
26. Për pagat e vitit 2018 koeficienti është 1.053
27. Për pagat e vitit 2019 koeficienti është 1.028
28. Për pagat e vitit 2020 koeficienti është 1.000
29. Për pagat e vitit 2021 koeficienti është 1.000