MENU
klinika

Me garanci edhe nga PSD

Socialistët thyejnë traditën drejt mandatit të tretë

27.04.2021 - 07:18

/ Partia Socialiste po shkon drejt thyerjes së traditës së rrotacionit pas dy mandateve. Maxhoranca e 8 viteve të fundit është drejt zyrtarizimit të fitores së mandatit të tretë e vetme.

Megjithatë në çdo rast Partia Socialiste ka gjasë që nëse do të duhet, mund të bashkëpunojë me Partinë Socialdemokrate, që drejtohet nga Tom Doshi dhe rezultoi surprizë në këto zgjedhje, duke marrë 3 mandate. Në votimet e parafundit Doshi arriti që të merrte vetëm një mandat në qarkun e Shkodrës. Ndërkohë, ajo që vihet re është një rënie e ndjeshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila nga 19 mandate që fitoi në zgjedhjet e 2017- ës, në këto zgjedhje është midis kufirit nga 5 mandate deri në 7 mandate.

ZGJEDHJET

Në zgjedhjet e 25 prillit numri i votuesve që morën pjesë në zgjedhje ishte me rreth 100 mijë më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Numri i lartë i pjesëmarrësve në votime lidhet me faktin e ndryshimit të periudhës ku zhvillohen votimet. Në zgjedhjet e parafundit ato u zhvilluan në stinën e verës kur qytetarët në masë shkojnë me pushime kryesish në bregdet dhe neglizhojnë procesin e votimit. Njëkohësit, një tjetër faktor që mund të ketë ndikuar në pjesëmarrjen e lartë është edhe mënyra e re e votimit, ku qytetarët përveç subjektit politik, kishin të drejtë të votonin edhe kandidatin e preferuar, ndonëse ata identifikoheshin në fletën e votimit me numra dhe jo me emrat e tyre. Ndërkohë, nga eksperienca e mëparshme kur ka pasur një rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes, qytetarët kryesisht ndëshkonin me votë partinë në pushtet. Por duket se ky fenomen nuk ka qenë për këto zgjedhje. Deri në mesnatën e kaluar kur ishin numëruar më shumë se 75% e kutive të votimit në të gjithë Shqipërinë, Partia Socialiste fitonte e vetme 73 mandate, njësoj sa edhe në zgjedhjet e kaluara të 2017-ës. Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit Partia Socialiste deri në mesnatë, sipas përllogaritjes, fiton 8 mandate, një më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Kryeministri Rama vendosi të 8-tin në listën e PS-së në qarkun e Elbasanit, numrin dy të Partisë Socialiste, Taulant Ballën. Ndërkohë, nga ana tjetër kemi një rritje të theksuar të Partisë Demokratike krahasuar me zgjedhjet e kaluara të 2017-ës. Në votimet e parafundit Partia më e madhe në opozitë siguroi vetëm 43 mandate në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, në votimet e 25 prillit deri në mesnatë kur ishin numëruar më shumë se 75% e kutive të votimeve rezultonte se fiton 59 mandate, pra 16 mandate më shumë. Me këto rezultate, Partia Demokratike shkon në kuotat e vitit 2013, kur mori po 59 mandate. PD ka shënuar rritje në disa qarqe të Shqipërisë, po nuk garantoi dot rrotacion të pushtetit.

LSI

Në këto zgjedhje vërehet rezultati jo i favorshëm i partisë së dytë më të madhe në opozitë, Lëvizja Socialiste për Integrim. Në zgjedhjet e 2017-ës, LSI-ja e cila njësoj si PS e PD garoi më vete, pa koalicione, arriti të fitonte 19 mandate në rang kombëtar. Por në këto zgjedhje ajo ka pësuar një rënie të konsiderueshme, duke shkuar në kuotat nga 5 deri në 8 mandate maksimalisht. Deri në mesnatë, kur ishin numëruar 4060 kuti votimi, nga 5199 në total, LSI rezultonte të kishte marrë vetëm 5 mandate, pra 14 mandate më pak se në 2017-ën. Sakaq, e kundërta ka ndodhur me Partinë Socialdemokrate, e cila drejtohet nga Tom Doshi. Ndonëse në zgjedhjet e 2017- ës mori vetëm 1 mandat në Shkodër, në këto zgjedhje PSD ka përforcuar pozicionin e saj në qarkun e Shkodrës duke marrë dy deputetë, sipas rezultateve deri në mesnatë, por PSD surprizoi edhe me një mandat në kryeqytet. Një numër të konsiderueshëm votash nëse i mbledh të gjitha bashkë kanë siguruar edhe ishanëtarët e PD-së që u shkëputën nga PD dhe garuan me logot e tyre dhe ish-aleatët e vegjël të PD-së. Në të gjithë vendin së bashku ishanëtarët e PD dhe ish-aleatët e PD deri në mesnatë kishin marrë mbi 27 mija vota në rang kombëtar. Por për shkak të sistemi asnjëri prej tyre nuk arriti që të siguronte një vend në Parlamentin e ardhshëm për shkak të sistemit. Kjo bën që vullneti i mbi 27 mijë qytetarëve, të cilët kanë zgjedhur ato forca politike, të mos merren fare parasysh në maxhorancën që do të krijohet për 4 vitet e ardhshme. Duket se ndryshimet e korrikut të vitit të kaluar, ku u ndalua formula tradicionale e koalicioneve dhe dështimi për të siguruar një opozitë kompakte kanë luajtur një rol domethënës në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo është hera e parë që pas ‘92-shit që një forcë e vetme të fitojë besimin e qytetarëve për t’i qeverisur për 12 vite pa ndërprerë.