MENU
klinika

“Ethet” e votave preferenciale

Surprizat: Rama kryeson në Vlorë, Basha renditet i dyti

28.04.2021 - 09:16

Në kampet politike kanë nisur ethet e votave preferenciale. Pas përfundimit të numërimit të votave për subjektet politike, nisi menjëherë numërimi edhe i votave që kanë marrë kandidatët në emër të tyre ose më saktë në numrin e tyre, pasi me numra u identifikuan në fletën e votimit.

Gazeta “Panorama” ka bërë listën me kandidatët që kishin marrë më shumë vota preferenciale në kutitë e para që ishin hapur deri në mesnatë. Nga të dhënat e para rezultojnë jo pak surpriza. Në Vlorë duket se kryesocialisti Edi Rama ka marrë mbështetje të gjerë nga socialistët.

Nga numërimi i kutive në 317 qendra votimi, nga 445 qendra votimi në total në qarkun e Vlorës, kryesocialisti Edi Rama rirenditet i pari nga i 8- ti që ishte në listën fillestar. Më pas ai ndiqej nga Damian Gjiknuri, Vullnet Sina dhe ministrja Anila Denaj. Ndërsa nga krahu tjetër, nga numërimi i kutive të votimit në 19 qendra votimi, nga 1243 të tilla, Basha rirenditet i dyti, një vend më poshtë sesa vendosja në listën fillestare. Sipas rezultatit të kutive të para, kreu i të rinjve të PD-së, Belind Këlliçi, rirenditet i pari në listën e PD-së nga i 10-ti që ishte vendosur në fillim. Lista e mëposhtme përmban emrat që kanë më shumë vota në të gjithë Shqipërinë veç qarkut të Durrësit ku deri në mesnatë nuk kishte nisur numërimi.

Ndërkohë në analizë do të merren qarqet kryesore. Në kryeqytet në listën e PS-së ka më shumë vota preferenciale në kutitë e para të hapura ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku, e cila ishte në listën e sigurt fituese të PS-së. Ndërsa i dyti renditet ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili u rendit në listën e PS-së në Tiranë i 23-ti. Ndërkohë, sipas rezultateve deri në mesnatë, në listën e PSsë kanë zhgënjyer dy figurat e reja, inxhinierja Luljeta Bozo dhe mjekja Najada Çomo, të cilat kanë pasur më pak vota preferenciale. Ndërsa në listën e PD-së në qarkun e Tiranës kanë zhgënjyer aleatët e PDsë. Përveç Shpëtim Idrizit që kaloi numrin 100 të votave preferenciale, ndërsa të tjerët deri në mesnatë kishin vota minimale. Më pak rezultoi të kishte kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, me vetëm 7 vota preferenciale.

REZULTATI NË RRETHE

Qarku i Elbasanit, i Durrësit dhe i Fierit luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e maxhorancës qeverisëse. Deri në mesnatën e së martës në Durrës nuk kishte nisur ende numërimi i votave preferenciale. Ndërkohë, nga numërimi i kutive të votimit në 181 qendra votimi, nga 511 në total, i pari renditej Saimir Hasall, i cili në listën paraprake të PS-së renditej i 5-ti. Ndërsa i dyti renditet Besion Ajazi që në listën e PSsë ishte renditur i treti. Ndërkohë, numri dy i Partisë Socialiste, i cili ishte drejtues politik i qarkut të Elbasanit, sipas trendit të votave të marra deri në mesnatë, edhe nëse PS do të merrte më pak se 8 deputetë në qarkun e Elbasanit, do të siguronte votat e nevojshme për të thyer herësin. Deri në mesnatë Balla renditej i treti me numrin më të lartë të votave preferenciale. Nga ana tjetër, drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, i cili ishte renditur i pari në listën paraprake, në rirenditjen e bërë sipas votave preferenciale të marra deri në mesnatë, ishte i treti. I pari, sipas votave preferenciale nga PD-ja në Elbasan, rezulton Dashnor Sula dhe i dyti Luçiano Boçi, i cili nga Basha u rendit i 7-ti në listë. Në listën e mëposhtme numri në anën e kandidatit simbolizon renditjen në listë sipas qarkut që i bëri partia, ndërsa rirenditja në tabelë bëhet sipas numrit të votave preferenciale.