MENU
klinika

Festivali i Filmit Irlandez

Vargje në gjuhën shqipe, filmi triumfues europian!

12.04.2021 - 16:34

           Filmi i regjisorit irlandez Tadhg O’Sullivan, fiton çmimin e parë në Festivalin e Filmit Irlandez. Por, “To the moon” është filmi ku dëgjohet një poezi në gjuhën shqipe. Është “Elegjia e pyjeve”, e Visar Zhitit!

Në realizimin artistik të regjisorit O’Sullivan, prania e hënës, letërsia dhe format e tjera të artit në mbarë planetin, përbëjnë vetë subjektin.

Filmi vjen si një magjepsje kolektive me Hënën, që kryqëzon kulturat e traditat për t’i bashkuar ato, duke formuar idenë kryesore që përshkon filmin.

Regjisori është kujdesur të përzgjedhë tekste ndërkombëtare dhe klipe filmash, nga 25 vende, këto me muzikën nën soditjen e hënës dhe atmosferën poetike që simbolizon hëna.

Filmi, një ode kinematografike hënës, përshkohet nga pjesë arkivi përshtatur me fragmente letrare. Interesante ideja sesi njerëzit ndër shekuj, janë ndikuar nga hëna për arratisjet brenda labirinteve të shpirtit, mitet e parajsës, këngët e mallit dhe humbjes, apo histori të shkuara.

Më poshtë, poezia e plotë:

Elegjia e pyjeve – Visar ZHITI

Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe është shtuar sipërfaqja e frikës,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve,
ka më pak kafshë tani
më pak guxim e vetëtima më pak,
më pak bukuri
dhe hëna është e pambuluar
si një zhvirgjërim i dhunshëm dhe
pastaj i braktisur,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
sipërfaqja e poezisë, e psherëtimave,
fjalë gjethesh ka më pak
e thashetheme më shumë.
Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
lumenjtë s’magjepse , lumenjtë hutohen,
si zebra parqesh zoolog jik e na shohin
lumenjtë
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe sipërfaqja e turpit,
sa pak turp kemi tani
s’pendohemi për asgjë,
fare pak kohë kemi për t’u penduar.
Janë shtruar rrugët,
reklamat dhe dilemat
magazinat, kinematë e lavditë
është zmadhuar sipërfaqja e qyteteve
dhe sipërfaqja e turpit është zmadhuar
gjithe ato turpe sa s’i nxene gazetat
dhe vijojne ne numrin e ardhshëm
dhe ne abonimin e vitit tjetër të marrëzisë
Eshte zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe janë shtuar drejtoritë e pyjeve
sipërfaqja e dashurisë është zvogëluar
dhe zogjtë kanë më pak vend
për dashuritë e tyre
se ata sdinë të bëjnë dashuri zyrave
Eshte zvogëluar sipërfaqja e fytyrave
Një cunak vizaton pemë mureve
në sytë e mi vizaton pemët
bën tatuazhin e pemës
në lëkurën e krahut të tij të hollë
si fundi i shekullit XX
kaq shumë e ngul gjilpërën e nxehtë më bojë
sa pylli gumëzhin në gjak si dhimbje
e maisur plage.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit