MENU
klinika

Analiza

Albin Kurtit ia zgjat jetën dialogu me Serbinë

01.05.2021 - 18:23

Albin Kurti është në gjysmën e 100 ditëve të para, koha kur një parti maturohet para publikut por më shumë se kaq, kur tregon një fytyrë më të qartë para elektoratit të vet. Gjithsesi qasja e qeverisë së tij sa i përket ndihmës së vendit për daljen nga pandemia është më shqetësuesja. Deri më tani, Kosova, në skenarin më të mirë, ka vetëm 10% të vaksinave, kurse një betejë e madhe e pret në të ardhmen që të shkojë përpara në një fushatë sfiduese. Të mendosh se janë gati 60% e popullsisë, duke iu referuar burimeve prej kolegëve kosovarë, që kanë qasje problematike, atëherë e kupton problemin, që ai nuk po e merr parasysh si duhet. Çfarë e bën më paradoksale është edhe se ka gjetur justifikime aspak të llogjikuara për ndihmën e ofruar nga Shqipëria, ashtu si ka ngritur një mur pakënaqësie që e ka burimin prej selisë së VV për përfshirjen në zgjedhjet e Shqipërisë. Përveç faktit që kryeministri aktual i Shqipërisë, që mori mandatin e tretë, e ka pritur me sportivitet përfshirjen; kurse segmente të opozitës e kanë parë si një maksimalizim të votave; e presidentit që e ka përdorur si eufemizëm forcën e njërit prej deputetëve të saj, Vetëvendosja me Kurtin kanë humbur jo pak me ndërfutjen e tyre.

Por më paradoksale ka qenë ende plani i munguar për rimëkëmbjen ekonomike, që përkundrejt pritshmërive deri tani duket se do u japë krah thjesht bizneseve, që ja kanë dalë shumë më mirë gjatë kësaj kohe bllokimi, ku janë ndihur p.sh. kolegjet private dhe bizneset e marketeve, që kanë punuar non-stop. Ndërkohë që duhej të mbështeteshin bizneset e goditura realisht. Kurti-1 ishte shumë me më tepër shpresë se Kurti -2. Në mandatin e vockël, arriti që të hartonte një plan emergjent qysh me rastin e para me Covid, shfuqizoi rrogat e frikshme të Ekzekutivit dhe zbriti numrin e zv/ministrave treguan seriozitetin e skajshëm, që i dha udhë dhe besim për mandatin e dytë. Mbase edhe prej bashkimit me LDK-në, që me eksperiencën e saj, i dhanë një plan qeverisës të qartë. Atë, që Albin Kurti mendohet se do ta paraqesë këtë javë. Por që tashmë është konfuz dhe për më shumë i pasinqertë, siç ndodhi edhe me dialogun, që fajin për ngadalësimin po ia delegon qeverisë së LDK-së dhe mungesën e dokumentacionit të duhur prej saj!! Dhe ironia është më e madhe kur disa orë më parë Abdixhiku, shefi i ri i LDK-së ka shkruar se dokumentet i janë dorëzuar ditën e pranimit të detyrës, me 29 faqe raport, duke ia shpotitur paq kujtesën!!!

Qasja nga dialogu me Serbinë, që do të ishte në nivelet e ulëta të prioritetit të tij, tregon se tashmë do jetë kamardare që të largojë vëmendjen për problemet e brendshme të Kosovës ashtu si e provuan me “sukses” dhe paraardhësit e tij. Kur mendon se pengesa e një marrëveshjeje finale me Serbinë po ndikon në të gjitha problematikat e Kosovës, kupton se edhe Kurti do të futet jo vetëm i detyruar, ashtu si po ndodh, por edhe me shpresë t’i shpëtojë malit me probleme, që i qëndron në tryezën e zyrës së tij. Por më shumë se kaq dialogu dhe përfoljet i zgjat jetën në krye të ekzekutivit kosovar. (Javanews)