MENU
klinika

Rekordi i kilianit

Askush si Vidal, 9 tituj kampionë në 10 vjet

03.05.2021 - 16:45

Arturo Vidal të sjell titullin kampion. Kjo vlen në masën 90%, pasi mesfushori kilen ka arritur të fitojë 9 tituj kampionë në 10 sezonet e fundit, ndonëse ka ndërruar 4 skuadra të ndryshme si Juventus, Bayern Mynih, Barcelona dhe së fundi Interi.

I kërkuar me ngulm nga Antonio Conte, Vidal iu bashkua zikaltërve vjeshtën e vitit të kaluar dhe ndonëse nuk arriti të bindë shumë me paraqitjen e tij, sërish u bë pjesë e suksesit të klubit, që fitoi titullin kampion pas 11 vitesh mungesë.

Pasi spikati te Bayer Leverkusen, Vidal u transferua verën e 2011-ës te Juventusi dhe me mbërritjen e tij, bardhezinjtë u rikthyen te titulli kampion, madje duke e fituar plot 9 herë radhazi, nga të cilat 4 me mesfushorin kilen në fushë.

Më pas në verën e 2015-ës Vidal u rikthye në Gjermani, për t’iu bashkuar Bayernit të Mynihut, një skuadër që ka vendosur diktatin prej vitesh në Bundesligë dhe vijoi ta fitojë edhe në tre sezonet që kileni ishte pjesë e tyre, deri më 2018-ën.

Në gusht të 2018-ës mesfushori iu bashkua Barcelonës dhe fitoi titullin kampion me katalanët që në vitin e parë, ndërsa viti i dytë ishte një dështim për skuadrën “blaugrana”, duke u regjistruar si sezoni i vetëm që Vidal nuk ka fituar titullin kampion.

Vlen të theksohet se këtë sezon me Interin, Vidal numëron 23 ndeshje të luajtura në kampionat dhe vetëm një gol, por atë e ka shënuar ndaj rivalit kryesor në luftën për titullin, Juventusit, duke fituar edhe simpatinë e tifozëve zikaltër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Protagonistët e titullit tek Inter

Dyshja “Lu-La”, Vidal dhe triumfi i Antonio Contes