MENU
klinika

Ku shkoi humori i hollë?!

Besnik Çinari ka një mesazh të pastër: Më shumë kulturë!..

02.05.2021 - 16:10

         Hareja shkodrane gjithmonë shpotitëse, me doza të forta optimizmi. Është qyteti që i ka dhënë shumë Shqipërisë: në letërsi, muzikë, sport, në traditën e besimit fetar, por veçantia më e madhe mbetet “shkolla e humorit” që buron nga shpirti i popullit. I këtij populli të zgjuar të veriut të vendit, që as diktatura më e egër, nuk e mposhti. Madje, humori u bë arma më e fortë kundër dukurive të kohës, kundër spiunazhit, kundër shpifjes prej injorance, kundër servilizimit e kundër gjithfarë sajese komuniste.

Tanimë, një pjesë e madhe e artistëve shkodranë janë pensionistë. Me moshë, por kurrë me shpirt…

I tillë është Besnik Çinari – një prej legjendave të humorit shkodran, i cili, i ftuar në një prej ekraneve, nuk ka ngurruar t’u asdresojë këshilla të gjithë aktorëve të rinj të humorit, në Shqipëri.

“Shoh shumë pak humor, tani. Të gjithë janë shumë të mirë, ka të talentuar, por doza e banalitetit është pak e tepruar. Edhe ne kemi e kemi përdorur në kohën tonë, por fjalë me dy kuptime. Humori shkodran, nuk e toleron banalitetin.

Një tjetër gjë që doja të theksoja, është mungesa e shkrimeve. Aktorët e rinj të humorit, nuk shkruajnë vetë dhe gjatë, do të jetojnë vetëm ata që arrijnë t’i bëjnë shkrimet vetë”- u shpreh Çinari

Mbase, pakkush e di se “Estrada e Shkodrës” ka marrë jetë në vitet ’50-të e sidomos, më 1954, kur mori emrin e ri “Estrada në penxhere”, kohë kur aktorët luanin në ish-kinematë verore të qytetit, për herë të parë. Po ashtu dhe modeli profesionist i saj bashkuar si fillim humori ndryshe – e vitit 1958, me regjisorin e parë, Paulin Sekuj!

Krijuar pas çlirimit, me talentet që vinin nga ndërmarrjet dhe kolektivat ku spikasnin mijëra talente shkodrane, zunë fill estradat amatore. Ndërsa Estrada Profesioniste e Shkodrës, që do të vinte në skenë me qindra shfaqje dhe premiera, ishte fruti i një pune kolosale e talenteve dalë jo nga shkolla sesa nga jeta, nga përditshmëria. Nga Shkodra, humori shkodran. Dhe aktorët që i dhanë shpirtin kësaj estrade, i kujtojmë me nderim të thellë për artin e vërtetë, nga Tano Banushi e deri tek emrat e mëdhenj, që tashmë i janë afruar pensionit.

Të gjithë në harmoni të plotë, secili lehtësisht i dallueshëm për profilin artistik… Çfarë mnund të themi, për artistët e mëdhenj, që i mungojnë skenës ku vulosën humori fin: Tano Banushi, Paulin Preka, Zef Deda, Besnik Çinari, Zyli Miloti, Drande Xhaji, Katrina Biga, apo Gjosho Vasia e Gëzim Kruja dhe Sandër Ruçi?