MENU
klinika

Edhe lëvizja “Për PD” pritet që të shpallë…

Beteja për kreun e demokratëve, kush janë kritikët dhe kandidati përballë Lulzim Bashës

18.05.2021 - 13:35

Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin për përzgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.

Fatbardh Kadilli është kandidati i parë, i cili ka shpallur publikisht kandidaturën e tij si kandidat për kryetar të Partisë Demokratike. Në deklaratën e parë publike Kadilli u shpreh se Lulzim Basha u besua me vetëmohim nga demokratët për të bërë betejën e tij për të çuar PD-në në pushtet, por që sipas Kadillit dështoi, ndaj ai u shpreh se selia blu ka nevojë për ide dhe frymë të re.

Kandidati i për kryetar të PD-së u la jashtë listës së PD-së për deputet në vitin 2017 dhe në listën e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit. Në 2017 Kadilli ishte ndër personat me funksion në PD i qejfmbetur me lidershipin e PD-së, Lulzim Basha, megjithatë deklaratat e tij publike në atë kohë ishin të përmbajtura dhe të sforcuara në linjë me PD-në.

Ndërkohë, në zgjedhjet për kryesi në 2019 ai u zgjodh sërish anëtar kryesie në PD. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe ka qenë publikisht në mbështetje të aksioneve të Partisë Demokratike. Ndërsa refuzimi për herë të dytë nga ana e kryedemokratit Basha i rriti edhe më shumë pakënaqësitë ndaj kreut të PD-së. Por, serish gjatë fushatës në publik ai nuk u shfaq kundër kryedemokratit, ndonëse aktivizimi i tij në fushatë nuk ka qenë shumë i dukshëm të paktën në publik. Edhe kur u pyet publikisht se ku kishte kontribuar gjatë fushatës për të siguruar fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit, ai nuk dha raste konkrete me emra, por u shpreh se në 4 zonat ku iu besua nga Basha siguroi rezultat maksimal, por pa dhënë detaje.

LËVIZJA “PËR PD”

Pak më pas se z. Kadilli, kritik kundër Lulzim Bashës për humbjen e zgjedhjeve përball Edi Ramës, dolën edhe persona të tjerë si Bujar Nishani, Arben Imami, Endira Bushati, Edvin Kulluri, Indrit Hoxha Ibsen Elezaj etj.

Në fakt ky ishte një riaktivizim i grupit përveç disa ndryshimeve. Risi e grupit ishte Bujar Nishani, ish-Presidenti i Shqipërisë dhe anëtari i komisionit për selektimin e kandidatëve për deputet të PD-së. Në fillim grupi kritik i kreut të PD-së pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit nisi veçmas. Ishte ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi, që protestoi disa ditë rresht para selisë së PD-së dhe kërkoi dorëheqjen e Bashës dhe nisjen e një procesi për analizën e humbjeve.

Ndërkohë nga ana tjetër, ish-Presidenti Nishani bëri përgjegjës kryedemokratin Basha për rezultatin negativ. Ndërkohë, më pas ata u bashkuan së bashku duke krijuar lëvizjen “Për PD”. Ata kërkojnë dorëheqjen e Bashës dhe hapjen rrugë të një procesi të analizimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe një garë që sipas tyre të jetë reale për kreun e PD-së. Ndërkohë, mësohet se sot ose nesër grupi “Për PD” të shpallë kandidaturën e tij për drejtimin e PD-së. Ndërkohë nga ana tjetër, Lulzim Basha pritet që të kandidojë për një mandat të tretë në krye të PDsë për të arritur atë që ai e quan çmontimin e regjimit./panorama