MENU
klinika

Rritje taksash për amerikanët e pasur

Biden prezanton planin 6 trilionë dollarësh për shpenzime

29.05.2021 - 13:12

Presidenti amerikan Joe Biden ka publikuar planin e tij të parë për shpenzime vjetore në vlerë të 6 trilionë dollarëve, që përfshin rritje të taksave për amerikanët e pasur. Në këtë propozim përfshihen edhe programet e reja sociale dhe investimet për luftim të ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, për t’u zbatuar, plani duhet të miratohet nga Kongresi, ku senatori republikan Lindsey Graham e ka konsideruar “çmendurisht të shtrenjtë”. Sipas planit, borxhi do të arrijë në 117 për qind të bruto prodhimit të brendshëm deri më 2031, duke tejkaluar kështu nivelet e Luftës së Dytë Botërore. Ajo situatë do të krijohej pavarësisht të paktën 3 trilionë dollarëve të propozuar për rritje të taksave për korporata.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, republikan, po ashtu ka rritur deficitin çdo vit sa ka qenë në zyrë, dhe plani përfundimtar i shpenzimeve vjetore pati arritur në 4.8 trilionë dollarë.

Në buxhetin e Bidenit përfshihen 1.5 trilion dollarë amerikanë për shpenzime operative për Pentagonin dhe departamente tjera qeveritare. Aty përfshihen edhe dy plane tjera: njëri 2.3 trilionë dollarë për vende të punës dhe tjetri 1.8 miliard dollarë për familje.

Biden, demokrat, ka thënë se buxheti i tij “investon në mënyrë të drejtpërdrejtë për popullin amerikan dhe do të fuqizojë ekonominë e kombit, por edhe do të rrisë gjendjen fiskale për kohë të gjatë”.

Çfarë ka në plan?

Shtëpia e Bardhë ka thënë se propozimi do të ndihmojë në rritje të ekonomisë nga të gjitha nivelet.

Në buxhet janë përfshirë:

Më shumë se 800 miliardë dollarë për luftim të ndryshimeve klimatike, përfshirë investime në energji të pastër,
200 miliardë dollarë për të ofruar regjistrim falas në institucione parashkollore për fëmijët e moshës 3-4 vjeç,
109 miliardë dollarë për dy vjet falas të kolegjit për të gjithë amerikanët
225 miliardë dollarë për program të pushimit të paguar mjekësor
115 miliardë dollarë për rrugë dhe ura si dhe 160 miliardë dollarë për hekurudha dhe transport publik
100 miliardë dollarë për përmirësim të qasjes në internet për secilën shtëpi amerikane.
Në buxhet megjithatë nuk është përfshirë amendamenti që thotë se paratë e taksapaguesve nuk mund të financojnë abortet në shtetet amerikane, me përjashtim të rasteve të incestit dhe dhunimit.

Biden është presidenti i parë amerikan në dekada që ka përjashtuar ndalesën për mbulim të aborteve, hap që është përshëndetur nga mbështetësit e linjës progresiste./REL/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Bloomberg/ Çfarë po i pengon vendet e zonës së euros?

Evropa ka mbetur pas në garën e rimëkëmbjes

Mbështesin demokratin Joe Biden për president

Republikanë me peshë tradhtojnë Donald Trump