MENU
klinika

Teatri shëtitës

“Boeing Boeing” ose një beqar i përvëluar u kap mat!

03.05.2021 - 14:55

       Komedia e suksesshme franceze, rivjen në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. “Boeing Boeing” rikthehet me teatrin shëtitës, pranë një publiku që respekton distancat. Me interpretimin e aktorëve të njohur dhe me regjinë e Kiço Londos, komedia rikthehet më 7, 8 dhe 9 maj, në orën 19:30.

Vepra e autorit Marc Camoletti, ka qenë sukses i menjëhershëm në çdo skenë.

Ditët e majit, Teatri Shëtitës e risjell për publikun, që kohës së gjatë pa teatër, mund ta ndjekë për tre net me radhë një prej komedive më të bukura. Me mbi 150 shfaqje në skena të ndryshme, aventurat dashurore të beqarit francez Bernard, me stjuardesat e tij bukuroshe vijnë në komedinë me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera dhe me regji nga Kiço Londo.

Rolet në vepër interpretohen nga aktorët Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katertina Fili. Kostumografia në vepër është nga Sofi Kara dhe skenografia nga Gerta Qyrku. Teatri shëtitës “Çajupi” nisi udhëtimin e tij këtë vit me komedinë franceze “Boeing Boeing”, një nga veprat teatrore që vjen në vijim të punës së Londos si regjisor.

Shfaqja më e suksesshme teatrore e 30 viteve të fundit, gjatë marsit u ngjit në teatrin e qytetit të Gjakovës, “Hadi Shehu”. “Në një kohë çmendurie, t’i qëndrosh përballë çmendurisë është çmenduri” – ishte slogani që regjisori Londo, kishte zgjedhur për të prezantuar “Boeing Boeing”, në skenën e teatrit në Kosovë.

Teatri shëtitës “Çajupi”, paralelisht me këtë vepër që u shfaq në Gjakovë dhe tanimë maji e risjell për tre net rresht, në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, ka filluar punën dhe me përgatitjen e premierave të reja, në vijim. Më herët, Londo u shpreh se ka ardhur koha që teatri të fitojë funksionin e tij. “Teatro, do të thotë bashkë dhe teatri, nuk mund të ndiqet nga aparati celular” – theksoi ai, teksa prezantoi komedinë që shtegtoi në Gjakovë.

Komedia e ditëve të sotme

“Boeing Boeing” i vendos ngjarjet, në Parisin e sotëm.

Një komedi e bujshme, ku ngjarjet rrjedhin si në vrullin e komedive të Shekspirit, me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” demaskon aventurat dashurore të beqarit francez Bernard, me stjuardesat e tij bukuroshe.

Tri stjuardesa dhe njëra më e bukur se tjetra,.. një franceze, një gjermane dhe një amerikane, secila me besimin se është ajo, e fejuara e Bernardit. Më parë, Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre.

Kur situata ndryshon dhe të tria mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij, Robertit, lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën.

Ai e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjitha personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dalë nga situata e nderë, falë Robertit.

Bazuar në një farsë klasike, të shkruar nga dramaturgu francez Marc Camoletti, më 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime: “Tony Award, 2008” dhe “Broadway Revival Edicion”, po atë vit.