MENU
klinika

Nga Mustafa Nano

Çfarë mund ta shkarkojë Ilir Metën nga posti i Presidentit

08.05.2021 - 09:18

Nga Mustafa Nano

Socialistët kanë nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Është hera e dytë që bëjnë një tentativë të tillë. Herën e parë dështuan. Në fakt, u tërhoqën. Por këtë herë nuk ka gjasa që ata të tërhiqen. Do ta çojnë deri në fund këtë përpjekje, sido që nuk duket edhe aq e lehtë. Jo se nuk i kanë votat. Votat i kanë, por koha që kanë në dispozicion është e pamjaftueshme. Do të ishte boll një sabotim i bërë pa dashje nga dikush, dhe rrjedhimisht, do të krijoheshin vonesa procedurale që do të hidhnin në erë të gjithë procesin. Përveç kësaj fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.

Lind pyetja: Duhet të shkarkohet Presidenti i Republikës Ilir Meta? Sikur të bëhej një anketim sot(televizionet tona i kanë harxhuar të gjitha paratë e tyre kur vjen puna tek anketimet, sepse bënë me dhjetëra gjatë fushatës elektorale. Donin të dinin nëçdo kohë, nëçdo ditë gjatë fushatës rezultatin elektoral), edhe nën dritën e rezultatit elektoral që ne e dimë: LSI-ja dështoi në mënyrë të qartë e të padiskutueshme, mendja të shkon se shumica e shqiptarëve, shumica dërrmuese e tyre do të ishte në favor tëidesë se Presidenti i Republikës, Ilir Meta, të shkarkohej. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, sidoqoftë. Presidenti i Republikës nuk shkarkohet ngaqë shumica e shqiptarëve, apo 100% e shqiptarëve duan që ai të shkarkohet.

Sipas Kushtetutës, në nenin 90, pika 2 thuhet se “Presidenti i Republikës shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës, dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”. Përsa i takon krimit të rëndë, nuk ka asnjë provë e asnjë logjikë që të mendohet se Presidenti i Republikës ka kryer krim. Ai nuk ka kryer asnjë lloj krimi të rëndë. Madje, asnjë lloj krimi. Ka ndonjë zë socialist tek-tuk, që nuk e ka për gjë të bëjë një lidhje midis Presidentit Ilir Meta, më saktë midis retorikës së egër të tij, dhe ngjarjes së Elbasanit, në të cilën një militant i armatosur i Partisë Demokratike shtiu pa të keq, pa u menduar dy herë mbi një militant të Partisë Socialiste duke e lënë këtë të fundit të vdekur në vend. Pra, ka ndonjë zë që bën lidhjen e shkurtër midis Ilir Metës dhe kësaj ngjarje, për të arritur në përfundimin se kjo ngjarje u provokua dhe u orkestrua nga Ilir Meta. Por kjo është një gjepur, një broçkull. Asnjë më shumë!

Mbetet pra, që socialistët ta reduktojnë, ta kondensojnë akuzën e tyre vetëm te shkeljet e rënda të Kushtetutës. Por, vini re! Termi është pak i mjegullt dhe i paqartë: “shkelje e rëndë e Kushtetutës”. Ne të gjithë e kemi të qartë se çfarë nënkupton “shkelje e Kushtetutës”. Ajo do të thotë që të mosrespektohet, të mospërfillet , apo të dhunohet një përcaktim kushtetues, një nen i Kushtetutës. Ndërsa “shkelja e rëndë e Kushtetutës” është diçka që ka nevojë për interpretim, dhe përkufizimin. Dhe këtë gjë nuk e ka bërë askush deri më sot.

Por socialistët nuk janë stepur përballë kësaj paqartësie. Ata kanë mundur të identifikojnë e zbulojnë, sipas tyre disa shkelje të rënda, ku më e rëndësishmja (përsëris: sipas tyre) është ajo që thotë se Presidenti ka nxitur dhunë dhe vetëgjyqësi. Teksa thonë këtë gjë, ata i referohen retorikës, të cilën, pak më sipër, unë e kualifikova si retorikë e egër e Presidentit. Në fakt ka qenë një retorikë e dhunshme, shpeshherë e çoroditur, madje në ndonjë rast edhe prej të lajthituri. Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve gjatë fushatës elektorale, më shumë se një herë, të bëjnë gati kosoret, sëpatat, çekiçët, apo nuk e di çfarë tjetër. Madje, ai ka folur edhe për prerje duarsh. Dhe nuk e ka thënë këtë në mënyrë metaforike. Në një studio televizive, i ndodhur mes gazetarëve, njeri prej tyre, koleg i imi, i bëri një pyetje normale, që të gjithë do të donin t’ia bënin: “Z. President, Ju flisni për prerje duarsh, por sigurisht, kjo është një metaforë. Është një metaforë e papërshtatshme, por është metaforë.” Dhe Presidenti, pa të keq fare, bëri saktësimin fatal: “Nuk është aspak metaforë. Duhet ta merrni në kuptimin literal. Unë do t’u pres duart.” Uau!!!

Të gjithëkëtë ai e ka bërë në emër të një shqetësimi opozitar. Ai ka qenë për një kohë të gjatë disamujore kryeopozitari i Shqipërisë. Ka qenë opozitar me kohë të plotë. E ka braktisur për fare presidencën, apo e ka shndërruar në një vatër opozitarizmi, duke provokuar me siguri (unë jam i sigurt për këtë) edhe xhelozinë e LulzimBashës, i cili ka dalë zbuluar në funksionin e kryeopozitarit, që ai e ka mbuluar, dhe e mbulon edhe aktualisht, de jure.

Kjo ka bërë që socialistët, por edhe shumë të tjerë (duke u përfshirë edhe unë), të mendojnë se me këtë sjellje ai ka dhunuar një nen të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për nenin 86 pika 1, ku thuhet qartazi: “Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit shqiptar dhe (vini re!) përfaqëson unitetin e popullit.”Kjo është ajo që thotë Kushtetuta. Në këtë pikë, pra, socialistët kanë të drejtë. Por vetëm në këtë pikë. Pikat e tjera duken të sforcuara, të improvizuara me pahir. Siç edhe një pikë që thotë se Presidenti ka cenuar marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Jo se nuk është e vërtetë. Kjo është absolutisht e vërtetë. Megjithatë, ajo nuk ka pse të jetë pjesë e jetës publike, në një proces parlamentar që po synon shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Përsëris: ajo është e vërtetë. Antiamerikanizmi i Ilir është metës është i vërtetë. Ai e ka shpalosur atë vazhdimisht kohët e fundit, me vend e pa vend, nëpër studiot televizive, në konferenca shtypi e madje kulmoi dy ditë përpara ditës së votimeve, në televizionin Syri, ku ai e çoi antiamerikanizmin e vet në nivele absurde. Madje edhe të rrezikshme. Theksoj: “të rre-zik-shme”, sepse sipas meje Shtete e Bashkuara tëAmerikës janë një aleat strategjik i yni. Ne duhet të ndihemi me fat që amerikanët janë miqtë tanë. Ka vende të tjera, ka popuj të tjerë që janë edhe më të rëndësishëm sesa ne, të cilët çfarë nuk do të jepnin, çfarë nuk do të paguanin të fitonin mendjen dhe dashamirësinë amerikane, ët cilat ne i kemi fituar gratis, pa asnjë kosto, për një trill rrethanash.

Dhe është ky fakt që duhet të na bëjë ta ruajmë me më shumë xhelozi këtë lloj marrëdhënie, këtë aleancë tonën me amerikanët. Por ne nuk duhet të lejojmë qëky tëshpaloset nëpër institucione. Ne nuk kemi luksin që në krye të shtetit shqiptar të jetë njëanti-amerikan. Por (dhe këtu ka një “por” të rëndësishme) këto që sapo thashë janë arsyetime të natyrës politike, nuk ka pse të jenë pjesë e një akuze publike të ngritur ndaj Presidentit të Republikës, nërrethanat kur ky i fundit po kërkohet nga mazhoranca parlamentare të shkarkohet nga posti që ai mban.

Presidenti i Republikës sonë, ashtu si çdo president në botë, shkarkohet bazuar në shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi. Dhe jo për shkak, apo bazuar në arsyetime politike. Socialistët duhet ta heqin këtë pjesë nga akuza e tyre. Duhet ta zhveshin atë akuzë nga arsyetimet politike. Ndryshe, e gjithë kjo që po bëjnë, i gjithë aksioni dhe procesi parlamentar që kanë nisur, dhe dëshirojnë ta finalizojnë, do të jetë në fund të fundit qesharak, dhe ata duhet ta shmangin këtë situatë.

REMOTE_ADDR:[]