MENU
klinika

“Në shpërblimin që marrin, mezi dallohet artisti i talentuar, siç është Robert Ndrenika…”

Debatet për kinematografinë në Komitetin Qendror në ’90-ën

15.05.2021 - 10:24

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një proces – verbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”.

Në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si: Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj.

Proces-verbali i plotë i zhvillimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhëhqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.

“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë.

Në përgjithësi dhe në vëndet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjisurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjisurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë.

Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale.

Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjisurë.

Përshëmbull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjisurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak….!”

Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëhqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën.

Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë në disa numra të rubrikës dossier.

***

Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me kuadrot e sektorit të krijimtarisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”

SHOKU ALFRED UÇI: Teatri ynë e ka vënë në skenë këtë novelë të Ismailit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kurse kinematografia, e ka më të vështirë…

SHOKU PIRRO KONDI: Prandaj mendoj se pikërisht nëpër grupe xhirimi, është më e lehtë të zhvillohet kjo punë. Veç kësaj Kinostudioja është sa institucion ideologjik e kulturor, aq edhe institucion prodhimi, prandaj këtu duhet të sundojë mendimi ekonomik. Ai do të ndihmojë në prodhimin e cilësisë së punës.

Jam dakord me çështjen që shtroi Dhimitër Anagnosti përsa i përket sasisë vjetore të filmave. Nëqoftë se kemi mundësi që të kursejmë kohën, njerëzit, dhe shpenzimet, duke ruajtur cilësinë e filmave, të mos mbetemi të ngurtë në detyrimin e planit për të prodhuar 14 filma në vit.

Për hir të këtij plani, të mos detyrohemi të prodhojmë dhe ndonjë film të dobët.

Por sidoqoftë, Kinostudioja duhet të ketë një orientim për sasinë vjetore të filmave. Veç nuk duhet lejuar të na ndodhë me filmin, ashtu siç ndodh në letërsi, me disa libra të dobët që mbeten stoqe nëpër librari. Duhet të ketë një lloj kontrolli si për sasinë ashtu dhe për cilësinë e filmave.

Kur e shohim që është një skenar i dobët, më mirë ta heqim e të mos bëhemi formalistë vetëm për të ruajtur numrin. Duke organizuar më mirë punën dhe duke vendosur parimin ekonomik, do të luftohet dhe prirja për barazimin e vlerave. Do të gjykohet më me objektivitet për filmat e artistët më të mirë.

Në këtë drejtim duhet këmbëngulur më shumë se në mjaft raste në shpërblimin që marrin, mezi dallohet artisti i talentuar e i ndërgjegjshëm, si Robert Ndrenika, nga ai që nuk është i tillë e nuk punon sa duhet.

Problemin e bazës materiale, ka disa vjet që po e ngrenë shokët e Kinostudios. Dhe me të vërtetë kanë shqetësime. Në Radio-Televizion, me të cilin e krahasojnë ata bazën materiale, kemi bërë e do duhet të bëjmë disa shpenzime më shumë. Megjithëse edhe Televizioni në gjendjen që ka tani, ka paraqitur kërkesa shumë të mëdha. E dijmë që dhe aparaturat e kinostudios janë shumë të vjetra dhe pothuajse i kanë kaluar aftësitë e teknologjisë që i përkasin.

Mendoj se atje diçka duhet bërë, por jam dakord me mendimin e Dritëroit, se nuk mund t’i përballojmë të gjitha njëherësh. Në material jepet një mendim për shkurtimin e filmit dokumentar, për të cilin jam dakord. Mundet të kursejmë në drejtim të dokumentarit, dhe të zhvillojmë më shumë filmin artistik, duke kaluar më shumë filmin me ngjyra. Është anakronike që të vijojmë me filmat bardh e zi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka ndonjë shok tjetër për të diskutuar?! (Nuk ka) Mirë, atëherë po them dhe unë, disa mendime. Kinostudioja jonë, e ka afirmuar veten brenda një kohe relativisht të shkurtër. Filmi shqiptar, është bërë i dashur e i mirëpritur nga populli, sidomos nga brezat e rinj.

Në fondin e tij, numërohen 150 vepra. Regjisorët e artistët tanë, e kanë treguar dhe po e tregojnë veten se janë shumë të talentuar. Është me vend të përsërisim atë që shoku Enver Hoxha, ka thënë dy dekada më parë, që ne kemi artistë të nivelit botëror që janë të aftë të përballojnë role nga më të vështirët.

Është fakt që në raport me numrin e popullsisë, ashtu siç thuhet në raport, Shqipëria zë një vend të mirë midis prodhuesve të filmit artistik. Por duhet të bëjmë një sqarim. Mesatare të tilla shprehin anën e sasisë, dhe jo shkallën e plotësimit të kërkesave shpirtërore që kanë njerëzit.

Në rrugën prej katër dekada të Kinostudios sonë, mendoj se janë për tu përmendur dy përvoja që bien në sy. Në vitet ‘70 u trajtua me sukses tema e madhe epike, që kishte të bënte me historinë e lavdishme të popullit, me ngjarjet kulmore të saj, me betejat më të vështira për socializmin.

Kurse që nga fillimi i dekadës së viteve ’80-të e këtej, duke u angazhuar më shumë me problemet aktuale, u bënë kërkime për të depërtuar në botën e brendshme të njeriut.

Këto dy përvoja duhen bashkuar e shkrirë në një të vetme. Ato, do t’i japin mundësi filmit tonë të pasurojë epopenë njerëzore të realizmit socialist, dhe të mposhtë presionin e skematizmit. Kjo është e nevojshme që në veprat filmike, jeta jonë socialiste dhe transformimet e medha, të reflektohen në tërë dimensionet e tyre.

Në kohët e sotme prodhimi i filmave është bërë dhe për Televizionin një veprimtari e domosdoshme. Ne kemi një studio për filmat artistikë në Televizion, por me një veprimtari të kufizuar.

Këtu ka vënd për ndryshime pozitive. Teknika që disponon Televizioni, duhet të përdoret më me dobi për të prodhuar filma artistikë.

Kinostudio, Teatri, dhe Televizioni, përmes bashkëpunimit, mund t’i vijnë në ndihmë njëri tjetrit me avantazhet që kanë. Ndryshimet konceptuale duhet të bëhen për filmin dokumentar. Për këtë, nevojitet të hiqet dorë nga lustra, inskenimet, dhe pozimet. Dokumentarit i lipset e vërteta autentike, pa shtrirje, pa sajime. Përndryshe ai s’ka vlerë që të dëshmojë historinë. Të gjithëve u pëlqejnë ato pak sekuenca që ruhen në arkiv për aksionet e viteve të para.

Askujt si bëjnë përshtypje të keqe vështirësitë e punës. Po sot, a ka vështirësi në veprimtarinë tonë prodhuese e shoqërore?! Natyrisht që ka. Mirëpo rrallë herë gjen ndonjë film që të tregojë sesi punohet në minierën e Bulqizës. Disa ngjarje kur i shikon në dokumentar, e humbin peshën e tyre reale. Vështirësitë e pengesat, ekzistojnë realisht.

Po të mos i pasqyrosh ato, zbeh heroizmin e popullit. Dokumentari nuk do zbukurime, as nxirje, por jetën ashtu siç është.

Vendimet e fundit të Pleniumit të K.Q. të PPSH-së, duhet të gjejnë pasqyrim në kinostudion “Shqipëria e Re”, dhe në aspektin ekonomik. Sot ndaj këtij institucioni por dhe ndaj të tjerave aplikohet donacioni për diferencë.

Pra ato, i shpenzojnë tërësisht të ardhurat që krijojnë, dhe pavarësisht nga planet, subvencionohen nga shteti për tërë shpenzimet e tjera që u rezultojnë.

Në vitin 1988, ishte planifikuar që kinematë pa investimet, të merrnin 800 mijë lekë donacion. Por kanë marrë, 1.5 milionë, se nuk realizuan të ardhurat. Nga ana tjetër, veprimtaria ekonomike dhe financiare e Kinostudios, është e ndarë nga rezultatet e kinemave. Pra ajo nga ana ekonomikë, nuk do t’ja dijë se ku përfundojnë, sa shihen, e ç’të ardhura realizojnë filmat e saj. Kjo ndodh edhe me shtëpitë botuese.

Kjo mënyrë e drejtimit ekonomik nuk është racionale. Ka mundësi më të dobishme për administrimin e të ardhurave të institucioneve artistike, por për këtë duhet të mendojë seriozisht qeveria. Dihet si është aktualisht, gjendja e kinemave. Sallat e tyre janë lënë jashtë vëmendjes dhe po përkeqësohen nga dita në ditë, në një kohë kur kinemaja gjëndet përballë sfidës së Televizionit.

Nevoja për investime është evidente. Zgjidhja më e drejtë do të ishte që këto investime, të përballohen kryesisht me tejkalimin e të ardhurave, nga kinematë duke përmirësuar rrënjësisht punën e tyre. Parimi “të marrim ç’të na japin, e t’u sigurojmë ç’kërkojnë” rëndon mbi ekonominë popullore. Kinemave, dhe institucioneve të tjera kulturore, u duhet dhënë mundësia për të fituar me mekanizmat e nevojshme me qëllim që ta përballojnë vetë mirëmbajtjen.

Shokët këtu, ngritën disa probleme. Për çështjen e sigurimit të kuadrove të specializuar, bashkohem me mendimin që t’i kushtohet më shumë kujdes Institutit të Lartë të Arteve. Edhe specializimet jashtë shtetit nevojiten, por të jenë të shkurtra dhe të nivelit pasuniversitar. Lidhur me nevojat për përtëritje tekonologjike, mund të them se kjo gjendje njihet.

E shohim edhe nga programet televizive që teknika po vjetërohet. Këtë çështje le t’a studiojnë organet shtetërore, sepse kërkesat për përsëritje të teknikës janë shtuar, dhe duhet përcaktuar rradha prioritare e realizimit të saj sipas fuqisë ekonomike.

Kinostudioja mund e duhet ta lehtësojë shoqërinë nga kjo barrë, duke siguruar valutë nga shitja e filmave. Kjo është rruga më rracionale. Për raportet dhe lidhjet me kinematë, studioni, gjykoni, e pastaj vendosni.

Kryesore është që të forcohet llogaria. Shpreh bindjen se të gjithë artistët, regjisorët, skenaristët, dhe operatorët, do t’u përgjigjen më së miri detyrave që shtrohen para tyre. Ju faleminderit shumë për të gjitha mendimet që sollët në këtë mbledhje. Tani kalojmë në diskutimin e çështjes së dytë. /Memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN