MENU
klinika

Nga Ylli Pata

E vërteta e marrëdhënieve të ndera të Sali Berishës me amerikanët në 30 vjet

28.05.2021 - 16:44

Ish-Presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, tashmë një person i kuotuar “non grata” nga qeveria e SHBA-së, deklaroi mbrëmë te Alfred Lela, se ai nuk ka pasur asnjë problem me qeveritë amerikane, dhe tentoi të hedhë mjergull.

Duke përdorur gjysmë të verteta dhe përmendur emra që nuk jetojnë më, në mënyrë që të mos kenë mundësi për të replikuar përmendjen me emër.

Përmendi të ndjerin Richard Holbrooke, të ndjerin Robert Frowick që tashmë nuk jetojnë më, duke i citur si dëshmitarë të ngjarjeve të fragmentarizuara.

Por fakt është që Sali Berisha që në fillimet e tij në krye të shtetit shqiptar ka pasur marrëdhënie të ndera dhe problematike me qeveritë dhe administrata e SHBA-së, si kur ka qenë në qeverisje, si kur ka qenë në opozitë. Si me administrata republikane, ashtu edhe me administrata demokrate.

Sali Berisha ka pasur shansin që ka hyrë dy herë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, por që pikërisht këto dy mundësi të “arta” për çdo politikan, nuk ka ditur t’i shfrytëzojë pikërisht për marrëdhëniet me SHBA-në.

Acarimi i marrëdhënieve të Berishën me SHBA nisën që kur në Tiranë mbërriti ambasadori Joseph Edward Lake, i cili dukshëm kishte misionin e tij që të vëzhgonte situatën e të ndërhynte që Shqipëria të mos rrëshqiste në autoritarizëm.

Ishte pikërisht ambasadori Lake, i cili realizoi vizitën e parë politike të drejtuesve të opozitës shqiptare në Departamentin e Shtetit dhe Kongres. Nga PS-ja shkuan në SHBA, Servet Pëllumbi, Pandeli Majko, Kastriot Islami etj, në disa vizita në kohë të ndryshme. Ishte koha kur lideri i opozitës Fatos Nano ishte në burg, e që SHBA ndikoi që gjyqësori shqiptar të ishte i lirë dhe jo i ndikuar nga politike në vendimet për rastin Nano. E kur pati vendime që e shfajësuan Nanon, ndërhyri brutalisht Berisha dhe prishi vendimet me një vendim tjetër të ndikuar.Ndërkaq SHBA u acarua me Berishën për dënimet e gazetarëve të “Koha Jonë”: Aleksandër Frangaj e Martin leka, si edhe dhunën apo presionin ndaj medias në vend.

Në këtë kohë SHBA mbështeti fort kryetarin e Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi, i cili tentoi që të rezistonte ndaj presionit të Berishës.

Në dhjetor të vitit 1994, dhe janar 1995, Berisha tentoi t’i heqë imunitetin Zef Brozit, pas një vizite që ky i fundit zhvilloi në SHBA. Në këtë rast ndërhyri fuqishëm administrata amerikane dhe e ndaloi që t’i hiqej imuniteti Brozit.

Në këtë pikë Berisha përplasjej direkt me SHBA pasi Uashingtoni kishte kërkuar që të mos merre një vendim politik ndaj 5 minoritarëve të arrestuar.

Por Berisha nuk e ndali këtu përpjekjen dhe tentoi ta ndalonte Brozin, ku si fillim i sekuestroi pasaportën diplomatike, por ambasada amerikane u mor me shoqërimin e kreut të Gjykatës së Kasacionit në SHBA, ku dhe ju dha azili.

Prej asaj kohe, Berisha ka pasur marrëdhniet e ndera me SHBA. Edhe pse shkoi në zyrën Ovale e takoi Bill Clinton, Presidenti i atëhershëm i SHBA mori paralajmërim dhe kërkesë të qartë për të demokratizuar vendin dhe jo një “bekim” për të vijuar në rrugën e tij.

Një vit më pas në vitin 1996, Berisha ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me SHBA, që vijuan edhe në 1997, por edhe kur doli në opozitë. Në vitin 1998, SHBA parlajmëroi Berishën pas pushtimit të kryeministrisë se nuk do të njohë një pushtet të marrë me dhunë. Në vitin 1998 në Shqipëri vjen si i Ngarkuar me punë një superdiplomat si Robert Frowick, i cili kishte qenë dhe interlekutor me qeverinë komuniste në vitin 1968 kur Enver Hoxha u largua nga traktati i Vardhavës. Misioni i ambasadorit Frowick ishte të siguronte një detantë politike në Shqipëri meqë bëhej fjalë për luftën e Kosovës. Frowick negocoi personalisht që t’i merrte Berishës dëshminë e tij për vrasjen e Azem hajdarit, dhe ishte kjo dëshmi që shërbeu edhe si bazë e hetimit të Prokurores norvegjeze fhe grupit shqiptar që e çoi çështjen në gjykatë.

Deri në vitin 2005, Sali Berisha ka qenë i izoluar politikisht nga SHBA, edhe pse e ka vizituar Uashingtonin disa herë, ku gjithsesi kalanet që ai komunikonte i kërkonin të ndryshonte politikën.

Shansi i dytë që ju dha në 2005, ishte gjthsesi një provë që është pjesë e politikës amerikane për të mbështetur shqiptarët dhe vullnetin e tyre politik.

Gjatë qeverisjes së parë, Berisha nuk pati probleme me SHBA, deri në momentin kur nuk shkaktoi probleme në Shqipëri.

E sapo ato i nisi, siç ishte rasti i Katastrofës së Gërdecit dhe sulmit të drejtësisë, gjithçka u acarua. Tashmë dihen kabllogramet e ambasadës së SHBA për Gërdecin dhe azilin politik që ju dha Shefit të Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Luan Hoxhës.

Pastaj më vonë për 21 janarin 2011 dihet tashmë përplasja e hapur me SHBA, që nëpërmjet FBI-së siguroi provat balistike të plumbave që krerët e Gardës kishin qëlluar ndaj 4 qytetarëve.

Berisha përmendi edhe fjalimin e vizitën e Hillary Clinton në 2012, si një marrëdhënie e tij, por që në fakt nuk ishte kështu.

Clinton vizitoi Shqipërinë në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, si një angazhim shtetëror të SHBA për miqësinë dhe mbrojtjen e Shqipërisë. Clinton në Parlament i përmendi Berishës hapur korrupsionin, klimën e egër politike dhe zgjedhjet e lira. Madje ajo takoi personelin e ambasadës së SHBA në Tiranë, ku i emëroi vëzhgues in primis të zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. Pra SHBA i bëri të ditur Berishës se nuk do të lejonin manipulim si në të shkuarën.

Ish-Presidenti dhe ish-kryeministri përmend në intervistën e brendshme si dëshmitarë dy zyrtarë që nuk jetojnë më si Hollbrooke e Frowick, por në fakt dëshmitë më të qarta janë eventet e kronika e këtyre marrëdhënieve.

Edhe Bushi i madh që erdhi në 1996 në Vlorë për të takuar Berishën së bashku me Colin Powel privatisht ishin për ta paralajmëruar. Kurse Presidenti George W Bush erdhi në Tiranë jo për të nderuar Sali Berishën, pavarësisht se qeveria e tij do të përfitonte në mënyrë logjike nga kjo vizitë, por për të shpallur pavarësinë e Kosovës si opsion politikisht i vulosur. Dhe kishte zgjedhur një datë simbolike siç është 10 qershori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Tek ne çdo zyrtar ka dashur ta përdorë mbështetjen amerikane për favore personale, por sa herë e kanë bërë janë ë ndëshkuar, që nga Berisha, Majko, Meta, Nano etj. SHBA realisht nuk ka mbështetur persona të veçantë, ata janë votuar nga shqiptarët së pari. Por SHBA e ka thënë mendimin dhe qëndrimin e saj për çdo zyrtar që ka shkelur ligjet, standardet demorkatike dhe marrëdhëniet me Amerikën. E Berisha është i pari dhe më i rëndësishmi që e kanë bërë. Kjo është vulosur qartë me shpalljen permanente Non Grata, që realisht është një vendim që as nuk mund të relativizohet, e as anashkalohet…