MENU
klinika

Votimet për drejtuesin e PD-së

Emrat që janë propozuar për Komisionin Zgjedhor, kryetari dhe anëtarët

16.05.2021 - 18:51

Kryesia e PD ka propozuar emrat për Komisionin Zgjedhor që do të mbarëvajnë procesin e votimit të kryetarit të selisë blu, që pritet të mbahet më 13 qershor.

Jemin Gjana është propozuar për kryetar ndërsa për anëtarë Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Eno Bozdo, Mimoza Hasekiu, Albert Avduli dhe Gjokë Vuksani.

Ndërkohë që Ervin Minarolli dhe Lulzim Omuri janë propozuar për të qenë ndihmës/anëtarë në këtë Komision. Më herët Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi i propozoi Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar mbajtjen e zgjedhjeve në 13 qershor, sipas parimit “një anëtar një votë”.

Bardhi ka deklaruar se procesi hapet në 16 maj dhe vijon deri në 22 maj, ndërsa në datën 23 maj paraqiten kandidaturat. Fushata për lidershipin e selisë blu zgjat deri në 11 qershor, ndërsa në 13 qershor anëtarët demokratë u drejtohen kutive për zgjedhjen e kreut të partisë.

Ndërkaq me replika u zhvillua mbledhja e sotme e Kryesisë së PD, ku kryedemokrati Lulzim Basha replikoi me kandidatin për drejtimin e kësaj partie Fatbardh Kadilli.

Ndërsa ky i fundit i kërkoi dorëheqjen, Basha iu përgjigj duke i thënë se zgjedhjet treguan se “shqiptarët e duan ndryshimin me zemër, dhe e duan këtë ndryshim sot më shumë se kurrë”. Fatbardh Kadilli ka shpallur dy javë më parë kandidaturën për udhëheqjen e PD-së, ndërsa në garë do të jetë po ashtu drejtuesi i selisë blu Lulzim Basha.