MENU
klinika

nga më të goditurit e krizës së pandemisë

Fasoni kërkon mbështetje për inovacion dhe ciklin e mbyllur

15.05.2021 - 11:39

Sektori i fasonit, nga më të goditurit e krizës së pandemisë, kërkon në këtë mandat qeverisës politika nxitëse dhe mbështetje financiare drejt përparimit teknologjik, që do të sigurojë ciklin e mbyllur. Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonëve Shqiptarë, tha, se qeverisa i përfshiu disa kërkesa themelore tek industrisë fason në programin e këtij mandati, por ai shpreson që ato të zbatohen.

Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve përfaqëson grupin më të madh të eksportit në vend me 38% të totalit të eksporteve në vitin 2020. Por shitjet e këtij grupi jashtë vendit ranë gjatë vitit të kaluar me 13%, si rrjedhojë e krizës së pandemisë dhe kufizimeve në lëvizje në vendet e BE-së që sollën rënien të kërkesës për veshje dhe sidomos për këpucë.

Zekja tha se qeveria duhet të zbatojë një plan për rimëkëmbjen e industrisë, i cili duhet të përqendrohet në transformimin e proceseve të prodhimit, duke mbështetur në blerjen e makinerive të industrisë nëpërmjet rritjes së indeksit të amortizimit nga 20 deri në 40%. Kështu do të lehtësojmë barrën tatimore dhe kompanitë do të kenë më shumë likuiditet.

Unioni i Fasonëve kërkoi nga qeveria një fond kreditimi prej 50 milionë eurosh për manifakturën, në rastet e ndryshimit të porosive për të përballuar kostot e ndërrimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja (switching costs).

Fasonët kërkojnë që të zbatohet një program për “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë”, i cili do të sigurojë trajnime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim të produkteve fasone nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100%. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si dyfish të tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar përfituesi.

Industria kërkon rritje të bashkëpunimit midis ndërmarrjeve të manifakturës, duke përfshirë edhe Universitetin Politeknik të Tiranës për të përshpejtuar transferimet teknologjike. Zekja u shpreh se shumë prej këtyre kërkesave janë përfshirë në programin e qeverisë për këtë mandat por, fabrikat kërkojnë të zbatohet me urgjencë.

Pandemia e ka përfshirë në një cikël të gjatë krize sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, i cili përfaqëson grupin më të madh të eksportit në vend, me 38% të totalit. Pritshmëritë për rimëkëmbje janë shtyrë përtej vitit 2022, si nga tregjet brenda edhe nga ato jashtë vendit, si pasojë e zgjatjes së pandemisë dhe masave të karantinës, teksa ecuria e ngadaltë e vaksinimit ka shuar shpresat për rigjallërimin e kërkesës edhe këtë vit.

Dobësitë më të mëdha janë shfaqur në fabrikat e prodhimit të këpucëve, të cilat po vuajnë rënien drastike të kontratave të porosive prej kufizimeve në lëvizje në shumicën e vendeve të BE-së.

Në vitin 2020, të ardhurat nga shitjet e sektorit fason ranë me 16 miliardë lekë, ose rreth 130 milionë euro. Humbjet në fabrikat e këpucëve ishin 11,3 miliardë lekë, ose rreth 91 milionë euro, ndërsa prodhuesit e veshjeve humbën rreth 4,6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro, sipas Shoqatës së Eksportuesve.

Rënia e eksporteve më 2020 ishte 13%, por për fabrikat e këpucëve ishte më e lartë, me rreth 20%. Në dy muajt e parë të këtij viti, shitjet ishin 2,1 miliardë lekë (19 milionë euro) më pak se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm. Si pasojë e ecurisë së dobët, pesha e eksporteve të veshjeve dhe këpucëve në raport me totalin e eksporteve ishte 37.6% në vitin 2020, nga 39.6% në vitin 2019 dhe 43% në vitin 2017.

Albert Mantho, i cili drejton fabrikën e prodhimit të veshjeve “Bena”, tha se kriza e pandemisë do të japë efektet negative në industrinë e fasonit të paktën në pesë vitet e ardhshme. Humbjet e krijuara vështirë se rikuperohen në tre vitet në vijim, ndërsa me përfundimin e krizës shëndetësore, sjellja konsumatore nuk pritet të jetë si më parë. Kriza si kjo, sipas zotit Mantho, lënë pasoja afatgjata, ndërsa Shqipëria, me një treg të vogël më pak se 2.8 milionë banorë, nuk mund të konkurrojë në kosto me prodhimet që vijnë nga vende të mëdha si Kina.

 

Burimi: INSTAT

Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN