MENU
klinika

"Dielli"

Filozof i vetëm një feje, asaj të poetit!

07.05.2021 - 12:07

         Janë 160 vjet më parë, më 7 maj 1861, kur lindi poeti, filozofi, patrioti dhe mendimtari i famshëm Rabindranath Tagore, në Jorasanko Thakurbari në Kalkutë. Përvjetori i lindjes së humanistit, përkon me ditën e 25-të të muajit Bengali të Boishakh dhe quhet gjerësisht “Pachishe Boishakh”.

Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka nxjerrë India, kontributi i të cilit, nuk ka të çmuar në letërsinë bengaleze dhe angleze. Poeti, romancieri, eseisti, filozofi dhe muzikanti, është pjesë e jetës së përditshme të shoqërisë së mesme bengaleze, një nga ata mjeshtra të mëdhenj të letërsisë, veprat e të cilit vështirë se lënë emocion njerëzor të paprekur. Në hyrjen e “Gitanjali”, për të cilin, Rabindranath Tagore u laureua me çmimin “Nobel” në 1913, WB Yeats shkruan: “Ne shkruajmë libra të gjatë, ku mbase asnjë faqe nuk ka atë cilësinë që ta bëjë të shkruarin një kënaqësi, duke qenë të sigurt në një dizajn të përgjithshëm, njëlloj siç luftojmë, pasurohemi apo e lodhim kokën me broçkulla politike – të gjitha gjëra të mërzitshme, ndërsa z.Tagore, si vetë civilizimi indian, ka qenë i kënaqur të zbulojë shpirtin dhe t’i dorëzohet spontanitetit të tij”./Konica.al

Rabindranath Tagore ka shkruar mbi 2,000 këngë, të njohura si “Rabindra Sangeet”; kirjimtaria e tij përfshin qindra romane, tregime të shkurtra, koreografi-drama, poezi, ese dhe kujtime udhëtimi. “Gora”, “Gitanjali”, “Rakta”, “Karabi”, “Ghare Baire”, “Shesher Kobita”, “Raja O Rani”, “Dena Paona”, “Shanchayita”, janë disa nga veprat më të mira, shumë prej të cilave përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Po ashtu, Tagore kompozoi himnet kombëtare të tri kombeve: “Jana Gana Mana Adhinayaka Jaya He” për Indinë, “Amar Shonar Bangla” për Bangladeshin, si dhe himni kombëtar i Sri Lankës bazohet gjithashtu në poezinë e Tagores. Thuhet se, poema “Bangla” u përkthye në sinhalesisht dhe u miratua si himni kombëtar në 1951.

Tagore ishte i pari joevropian që fitoi çmimin “Nobel” në letërsi në 1913, romanet, tregimet, këngët dhe dramat e tij u vlerësuan, por edhe u kritikuan për lirizmin dhe ligjërimin e tyre bisedor. Njihet lidhja e veçantë që ndante Gandi dhe Tagore. Sidoqoftë, pak njerëz e dinë se ishte “Gurudev” ai që i dha titullin “Mahatma” Atit të Kombit.

Po ashtu, Tagore kishte miqësi me Ajnshtajnin. Ata jo vetëm e respektonin njëri-tjetrin, por ndanin interesin e përbashkët për muzikën dhe kureshtinë për botën në përgjithësi. Duke përshkruar Ajnshtajnin, Tagore shkruan: “Nuk kishte asgjë të ngurtë tek ai – nuk kishte asnjë largësi intelektuale. Ai më dukej një njeri që vlerësonte marrëdhëniet njerëzore dhe ndaj meje, tregoi një interes dhe mirëkuptim të vërtetë”. Tagore udhëtoi në mbi 30 vende në pesë kontinente, në pak më shumë se pesë dekada, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Sa më shumë udhëtonte, aq më shumë dashurohej me konceptin e internacionalizmit./Konica.al

 

Mos e fshih

Sekretin e zemrës tënde

Miku im

Ma thuaj mua

Vetëm mua

Në besim

Ti që buzëqesh kaq me mirësjellje

Thuama ngadalë

Zemra ime, do ta dëgjojë

Jo veshët e mi

Nata është e thellë

Shtëpia e pazë,

Çerdhet e zogjve

Heshtin në gjumë

Tregoma mes lotësh ngurruar

Mes buzëqeshjesh drithëruar

Mes dhimbjesh e turpi të embël

Sekretin e zemrës tënde.

 

Laureati i parë “Nobel” i Indisë, s’do harrohet kurrë në Indi, ndërsa krijimtaria e tij poetike jehon në zemrat dhe shpirtrat e tyre në formën e himnit të tyre kombëtar. Poet, filozof, patriot dhe aktivist shoqëror, të gjitha në një, Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka prodhuar India. Ai ndjeu se natyra është një thesar i mençurisë, prandaj edukimi duhet të ndodhë në një mjedis natyror. Mbështeti idealet e natyralizmit, humanizmit, internacionalizmit dhe idealizmit, duke u dhënë frymë këtyre koncepteve në universitetin “Shanti Niketan”, shkollën që ai themeloi. I ati e quajti Rabindra, dielli, sepse: “Më vonë, si dielli, kur ai të kalojë nëpër botë, e gjithë bota do të ndriçohet prej tij”, – thoshte. Jeta dhe vepra e Tagore vërtetoi parashikimin e babit, pasi ai u bë ky i mençur, ky poet i njohur botërisht, “Gurudev” për bashkëkohësit, një udhërrëfyes. Gjatë gjithë jetës u lëkund midis ndrojtjes dhe veprimit. Kundërshtar i sistemit të kastave dhe tiranisë së zakoneve, i preokupuar për një evolucion të domosdoshëm shoqëror, nga fati i fshatarëve te situata e grave, Tagore mori pozicione të guximshme në lidhje me kohën kur jetoi. Në vitin 1913, atribuimi i çmimit “Nobel” i dha një audiencë ndërkombëtare. Partizani i Pavarësisë së Indisë, ai që Gandi e quante “Mbrojtësi i Madh” do ta refuzonte gjithmonë dhunën, sepse ideali i tij ishte harmonia – harmonia midis njeriut dhe natyrës, harmoni midis njerëzve, midis kombeve, midis arteve.

Rabindranath Tagore, the 1913 recipient of the Nobel Prize in Literature, standing in a group. (Photo by Michael Nicholson/Corbis via Getty Images)

Humanisti me dhembshuri dhe tolerancë, Rabindranath Tagore shpreh bindjen se, mençuria më e lartë nuk vjen nga librat, megjithëse të shenjtë, por nga zemra. “Feja ime është feja e poetit. Gjithçka që ndiej, vjen nga vizioni im dhe jo nga njohuritë e mia”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN