MENU
klinika

"Përballë Ramës duhet një figurë e pakonsumuar"

Gara për kryetar në PD/ Mentor Nazarko: Shehaj mund të fitonte nëse…

31.05.2021 - 16:58

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në Syri Tv me gazetaren Juli Krisafi ka analizuar vendimin e Gjykatës për emërimin e ish-ministrit të jashtëm si dhe garën për kryetar në PD.

Nazarko ka diferencuar Agron Shehajn, si kandidatin favorit, duke argumentuar se përballë Ramës duhet një figurë e pakonsumuar, që nuk ka veset e ekzekutivit.

Intervista e plotë:

Krisafi: Do doja ta nisnim bisedën me vendimin e gjykatës ka qënë një vendim unanim 7 me 0 dhe i ka dhënë të drejtë presidentit të Republikës Ilir Meta përsa i përket rastit të ish ministrit të jashtëm, ish zv. ministrit të jashtëm Gent Cakaj, keni një koment për këtë?

Mentor Nazarko: Do ta shohim të plotë vendimin kur të zbardhet. Ai ka disa pjesë, një pjesë është kjo që thoni ju e cila i njeh tre autoriteteve, kryeministrit, presidentit dhe parlamentit të drejtën që të shqyrtojnë procesin e emërimit dhe shkarkimit të një ministri. Unë gjithmonë e kam patur bindjen që presidenti e ka një kompetencë thelbësore në këtë proces. Kjo bindje e imja mbështetet në tekstin e shkruar të kushtetutës në modelet e kushtetutave të republikave parlamentare por edhe në zakonin kushtetues d.m.th në mënyrën sesi e kanë zbatuar kushtetutën presidentët paraardhës të zotit Meta. Në republikat parlamentare ka disa modele p.sh. Republika italiane e cila është ajo më e ndritshmja ose më e shquara si republikë, presidentit nuk i njihet kompetencë në emërimin e ministrave por thuhet; presidenti dekreton ministrat, përdoret fjala dekreton duke i dhënë përmbajtje jo domethënëse jo substanciale rolit të presidentit. Mirëpo në Itali kemi patur raste që presdienti ka refuzuar ministrat, ka qënë rasti i ministrit të financave para dy vjetësh. Ndërkohë që në Kosovë presidentit nuk i njihet rëndësia e këtij roli në emërimin e ministrave, nuk ka dekret presidencial për emërimin e tyre pra ata kalojnë në parlament, votohen bashkë me programin e tyre dhe kalojnë. Ndërkohë që në rastet të kushtetutës së Shqipërisë teksti thotë emërim pra presdienti emëron dhe shkarkon. Fjala emërim do të thotë kompetecë substanciale, natyrisht historia e presidentëve në këtë kushtetutë ka treguar që përgjithësisht presidenti mund të ndërhyjë vetëm në verifikimin, shqyrtimin e kushteve që duhet të plotësojë ministri që janë ekuivalente me ato të deputetit, mos të ketë bërë shkelje të ligjit etj. Janë disa kushte që duhet të plotësojnë deputetët. Në këtë kuptim është një vendim i ekuilibruar i cili e rrit besueshmërinë e përgjitshme tek gjykata kushtetuese e cila po rikthehet në jetën tonë institucionale me fuqi të re.

Krisafi: Ka pasur një këmbëngulje nga ana e mazhorancës përsa i përket kësaj cështjeje janë këshilluar gabim nga ana juridike përderisa një pjesë edhe e jurisë e kanë interpretuar ndryshe këtë klauzolë?

Mentor Nazarko: Këmbëngulje sepse nga një vendim i tillë do të vendoset një precedent ose një sfidë tek e cila pastaj nuk do kapërcehet më nga presidentët e tjerë.

Krisafi: Është e paprecedent në fakt asnjë nga presidentët nuk ka pasur të tilla refuzime.

Mentor Nazarko: N gjykimin e një neni të tillë do duhet të mbështetesh në atë çka është shkruar, te zakoni pra si presidentët e kanë aplikuar këtë nen dhe pastaj tek precedentët tek modelet e vendeve të tjera. Presidentët në përgjithësi kanë ofruar modele të ndryshme p.sh Mejdani me të cilin kam punuar ka kërkuar konsultim për tre ministra, 3 ministri me të cilët i duhej të bashkëpunonte. Kanë qënë ministri i Jashtëm, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Mbrojtjes. Ka patur president të tjerë që nuk janë konsideruar janë vendosur emrat e ministrave edhe ai ka qënë i detyruar vetëm t’i firmosë. Ka protestuar, po ka protestuar në heshtje që pse nuk është konsultuar, për këtë nisur nga precedent i Mejdanit. Sepse Mejdani është presidenti i parë që ka funksionuar me këtë kushtetutë të miratuar më 28 nëntor 1998. Kemi patur raste që presidenti Nishani nuk ka dashur që të firmosë zotin Xhafa por ama e ka firmosur duke thënë që mua nuk më njihet një kompetencë që ta kundërshtoj përveçse për kushtet që duhet të plotësojë njëlloj si deputetët.

Krisafi: Ndoshta ka të bëjë edhe me llojin e ministrisë sepse ju e thatë pak më parë në këtë rast ishte ministria e jashtme dhe ka një sensibilitet tjetër.

Mentor Nazarko: Sepse zakonisht presidentët bashkëpunojnë me ministrin e Jashtëm, d.m.th ne jemi shtete të vegjël të cilët në një situatë si ajo kur ministri i Jashtëm nuk i flet presidentit ose nuk e takon ose nuk konsultohen për ambasadorët, për qëndrime, për plotfuqi, për marrëveshje ndërkombëtare është një rast që demostron mungesë serioziteti në funksionimin e shtetit dhe në imazhin tonë ndërkombëtar. P.sh për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis presidentit dhe ministrit të jashtëm Caka ne kemi patur situata në të cilat presidenti ka shkuar në një vizitë jashtë ndërkombëtare dhe nuk ka qënë i shoqëruar, ka qënë një vizitë shtetërore, vizitë që është në nivelin më të lartë që zyrtarët e një shteti bëjnë tek një shtet tjetër dhe si rregull duhet të shoqërohet patjetër nga ministri i jashtëm. Ai ka shkuar vetëm madje nuk ka patur as zv.ministër të jashtëm. Imagjinoni një president që s’bashkëpunon me ministrin e jashtëm nuk bashkëpunon me qeverinë dhe çfarë politike të jashtme përfaqëson, të kujt shteti, ka një politikë të jashtme dhe jo një politikë të jashtme që bën presidenti një që bën qeveria, një politikë të jashtme të harmonizuar. Republikat parlamentare kanë modele të ndryshme. Në kushtetutën tonë presidentit nuk i njihet ndonjë lloj roli i rëndësishëm në politikë të jashtme por ama kushtetuta e Kosovës i njeh shumë kompetenca në politikë të jashtme. Kjo ka shumë rëndësi në lidhje me dialogun psh dialogun Kosovë-Serbi p.sh unë i mëshoj pikëpamjes që presidenti ka kompetenca thelbësore pra ai duhet të përfshihet në procesin e dialogut.

Krisafi: Duke marrë shkas nga ky precedent mund të kemi përsëritje në rastin e qeverisjes së re p.sh në shtator mund të refuzojë Meta ndonjë ministër nga qeveria Rama?

Mentor Nazarko: Edhe unë e besoj por presidenti Meta është dikushi që unë i kam quajtuar sjelljet e tij veçanërisht në këtë vitin e fundit të mandatit të tij të imponuara nga rrethanat në të cilat gjendet Shqipëria pa opozitë në parlament pa opozitë në pushtetin lokal dhe ai është përpjekur që të balancojë ekuilibrat dhe atë zhdukjen e kufirit midis shtetit dhe partisë që flet raporti i OSBE ODHIR, ai ta ekuilibrojë. Nuk e ka bërë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme ndonjëherë retorikisht nuk ka qënë ashtu si duhet por besoj që në kushtet e një parlamenti normal meta që ka një eksperiencë të gjatë institucionale i cili që herët në moshë të re ka qënë kryeministër. Meta do t’i rikthehet një sjelljeje inistitucionale sipas së cilës ai mun d të kundërshtojë vetëm ata kandidatë për ministra që nuk plotësojnë kushtet e të qënit deputet. Kjo është hapësira që i lë kushtetuta për të refuzuar.

Krisafi: Si e përkthen vendimin 7 me 0?

Mentor Nazarko: Ky është tregues i qartë i asaj që norma Kushteutese nuk lejon interpretime të ndryshme apo interpretime divergjente, pra një grup të mendonte kështu dhe një grup ashtu.

Por e përsëris që kur ta shohim të zbardhur ne do ta kuptojmë ç’do të thotë ajo pjesë e vendimit, sipas të cilit kompetenca e emërimit dhe shkarkimit ndahet midis kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, apo ajo pjesë tjetër e vendimit, ku thuhet që procesi i emërimit dhe shkarkimit të presidentit duhet të mbështetet mbi dy parime, parimin e luajalitetit kushtetues, domethënë përputhshmërisë me Kushtetutën, dhe ekuilibrin, ndarjen e pushteteve. Këto janë pikat që kemi në dorë për te interpretuar këtë vendim. Gjithsesi, siç e thashë, është një rast kur Gjykata Kyshtetuese rishfaqet me autoritet të ri, të plotë, Vendime si ky ia rrisin besueshmërinë, rolin në zhvillimet e ardhshme, që siç tha zonja ambasadore, Gjyjatën Kushtetyese e presin detyra të vështira.

Krisafi: Le të vijojmë tek gara në Partinë Demokratike, e cila është përfshirë nga fushata për zgjedhjen e kryetarit të ri. Janë 4 kandidatë, 3 përveç zotit Basha. Në këndvështrimin tend, cili është më me aftësi për të qenë kryetari i ri apo dhe i vjetër i Partisë Demokratike?

Mentor Nazarko: Unë mendoja që Basha është më i kuotuari, mirëpo, kjo vjen për shkak të ekperiencës së akumuluar gjatë drejtimit të PD, për shkak të viteve që ka patur role ekzekutive, të rëndësishme, ministër i brendshëm, ministër i jashtëm, ministër i transporteve, kryetar i Bashkisë Tiranë. Megjithatë, përballë një Rame si ai, që ka arritur të rishpikë veten, që koston e vetëkuptueshme të një njeriu që qëndron në pushtet për tetë vjet, ka arritur që ta modifikojë, ta moderojë sadopak me truke komunikative, me fushata moderne, me komunikim intensiv, duhet dikush që po ashtu është i vendosur mirë në skakierën rajonale, dikush që i njeh të gjithë ata që kanë qenë dhe janë në pushtet, në Ballkan, në Evropë.

Krisafi: Është Lulzim Basha?

Mentor Nazarko: Jo, e kisha fjalën, përballë Ramës duhet një figurë e pakonsumuar, që nuk ka veset e ekzekutivit. Idealisht për mua do të ishte një 35-vjeçar, sepse që nga viti 2005 kur Basha ishte sugjestiv apo 2011 kur ai konkurroi përballë Ramës, në mënyrë pajtuese, moderne, duke thënë “Rama bëri për Tiranën, por pastaj u bë kryetar i PS dhe ia vari Tiranës”. Që nga viti 2011 janë ndërruar shumë ujëra, kanë hyrë shumë votues të rinj, brezi i ri kërkon një figurë të re. Idealisht, për mua do të ishte një figurë 35 vjeç, 40 vjeç. Nga këta që janë, mua më duket Shehaj, përfaqëson atë figurë që në një analizë tërësore por dhe në një analizë preferenciale, plotëson disa kushte, që për mua duhet t’i ketë, ai që kandidon përballë Ramës. Pra, në fillim të zgjidhë detyrën e thjeshtë që në fillim të mundë Bashën, që pastaj të mundë Ramën. Shehaj është dikush i bërë vetë. Kjo e kuoton atë të parin në preferencat e mia përballë Bashës. Është një njeri që pasurimin e tij ia detyron suksesin në biznes në një vend të huaj, siç është Italia. Ka studiuar jashtë. Shpeshherë preferencat e publikut ndërtohen mbi disa besime, bindje që ndonjëherë kanë karakter estetik. Ju e shikoni për shembull sesa popullor është ai në Facebook, apo rrjetet sociale. Ndoshta i ngjan figurave të këtyre telenovelave italiane, me të cilat gratë tona, shtëpiaket, janë familjarizuar. Natyrisht, ai ka një problem, që për disa mund të jetë problem, po që mund të jetë diferencial i mirë, për disa të tjerë që është shkrirja në mënyrë harmonike e dialektit me ndikimin e italishtes. Nuk ka hipoteka, domethënë nuk ka pika të cilat mund ta sulmojnë, për shkak të të kaluarës së tij. Dhe mbi të gjitha, ka kaluar një nga provat më të vështira, votimi brenda partisë së tij, ku ështe një nga figurat më të votuara.

Krisafi: E mund zotin Basha mendon? Ia del?

Mentor Nazarko: PD është një parti hermetike. Që do të thotë, ne me instrumentat vëzhguese nga jashtë, nuk arrijmë dot në përfundimin e mund apo nuk e mund, sepse unë nuk jam nga ata që dua ta paragjykojë Bashën, mbi ato terma që e paragjykojne kritikët e tij, që thonë që ai kontrollon strukturat, ai ka listat e anëtarësisë, etj.

Krisafi: Të cilën nuk e dorëzon. Të duket e drejtë kjo?

Mentor Nazarko: Unë besoj që Basha ka handikap të madh, Basha që akuzon Ramën për kushte të pabarabarta të lojës në nivel kombëtare, duhet t’ia garantonte këtë rivalëve të tij. Por unë nuk mund ta them këtë me siguri. Mendoj që në kushte të barabarta, Shehaj mund të fitonte.

Krisafi: Por kushtet nuk janë të tilla në fakt….

Mentor Nazarko: Unë besoj që nuk janë, duke parë profilet, po të ishin, them që po, do të fitonte ai. Me këtë nuk dua të them që e ka të garantuar fitoren, as të nënçmoj cilësitë e kandidatëve te tjerë. Kishte kaluar një kohë e gjatë nga përplasjet, garat reale, të partive shqiptare, si ajo e Olldashit me Bashën, apo Rama me Nanon, Mejdanin, që ishin gara reale. Me këtë që po ndodh, PD jep një lloj shembulli, sado të vogël, të emancipimit, për partitë e tjera ne Shqipëri. Do të ishte mirë të plotësoheshin kushtet për kandidatët e tjerë, për më shumë kohë, apo modalitetet e zhvillimit të garës. Ka shumë gjëra që nuk funksionojnë në mënyrën e të bërit garë. Partitë janë pjesët më reaksionare të shoqërisë. Gjithë ato probleme që ne shohim në garën kombëtare, vijnë nga problemet që kanë partitë në jetën e tyre.

/konica.al