MENU
klinika

Rritet niveli i varfërisë në vend

Gjysma e popullsisë shpenzojnë më pak se 5.5 dollarë në ditë

15.05.2021 - 12:07

Niveli i varfërisë në Shqipëri është rritur me 4% gjatë 2020. Që në gjysmën e parë të vitit të shkuar Banka Botërore parashikonte varfëri të lartë për vendin tonë, por me sa duket ky tregues është thelluar edhe më tej në pjesën e dytë të vitit, pasi u mbyll sezoni turistik dhe shumë qytetarë mbetën sërish pa punë. Në një raport të publikuar ditën e djeshme, Banka Botërore tregon se në pjesën e parë të 2020 varfëria u rrit me 1%, kur numri i të varfërve u shtua me 28 mijë, por deri në dhjetor ky nivel u rrit në ritme të shpejta. Kështu në përmbyllje të vitit 2020 vendit tonë i janë shtuar 112 mijë të varfër, pra 4% më shumë se parashikimet fillestare. “Në gjysmën e parë të vitit 2020, niveli i varfërisë në Shqipëri parashikohet të jetë rritur me 1 pikë përqindje, pra 28,000 të varfër të rinj. Ndërkohë përllogaritje e një skenari më të ashpër për vlerësimin e varfërisë parashikojnë një rënie më të madhe të të ardhurave për punëtorët në klasat 2-4 të shpërndarjes së të ardhurave, krahasuar me parashikimin standard bazuar në PBB, duke rezultuar në një rritje të vlerësuar të varfërisë prej 4 pikë përqindje, e përkthyer në shifra: me 112,000 të varfër të rinj”, raporton Banka Botërore. Raporti tregon se niveli varfërisë parakrizës prekte vetëm 35.6% të popullsisë, ndërsa deri në fund të 2020 të dhënat tregojnë për gati 50% të popullsisë. Banka shton këtu se ky 50%-sh nuk arrin të shpenzojë dot as 5.5 dollarë në ditë, duke treguar kështu se gjysma e popullsisë po shkon drejt një varfërie ekstreme. “Kriza u thellua gjatë vitit, thellohet si pasojë e rritjes së papunësisë. Prezenca e pandemisë gjatë gjithë vitit kërkoi një periudhë më të gjatë masash kufizuese, çka penguan kështu rikuperimin e shërbimeve dhe prodhimit. Kjo gjë i shtyu më shumë bizneset në falimentim dhe varfëria e moderuar pritet të rritet me rreth 5 pikë përqindje. Aktualisht, ky tregues përfshin gati gjysmën e popullsisë. Sepse pas krizës, rreth 45.5% e popullsisë po shpenzojnë më pak se 5.5 dollarë në ditë. E gjithë kjo ka ardhur sepse, sektori i turizmit, një faktor kyç i rritjes, ka qenë shumë i prekur, ndërsa konsumi dhe vendimet për investime kanë qenë pasive”, thuhet në raport

Niveli më i lartë i varfërisë në Ballkan

Ndër të tjera në këtë raport Banka Botërore tregon se vendi ynë ka arritur nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan për shkak të pandemisë. Sipas Bankës, vendi ynë regjistron nivelin më të lartë të varfërisë për shkak se ishte në përpjekje për ta reduktuar këtë nivel para se të merrte goditje të njëpasnjëshme nga fatkeqësitë natyrore. Kështu pas goditjes nga tërmeti në nëntor të 2019 dhe pandemisë përgjatë gjithë viti 2020 vendi ynë nuk mundi të reduktonte aspak numrin e të varfërve në dy vitet e fundit. Fakti që ekonomia u gjend e papërgatitur për të përballuar këto katastrofa natyrore bëri që varfëria në Shqipëri të rritej në ritme më të shpejta se vendet e tjera të Ballkanit. Këtë e tregojnë edhe shifrat e publikuara nga BB për vendet e tjera. Kështu nëse, varfëria në vendin tonë përfshin gati 50% të popullsisë në Serbi ky indikator regjistrohet vetëm në 20%. Serbia është shteti që vlerësohet se ka pasur rritjen më të ulët të varfërisë dhe niveli e kësaj shtrese atje vlerësohet në 17.4%. Nga ana tjetër Kosova thuhet se është goditur më shumë nga pandemia, pasi varfëria atje vlerësohet se është rritur me 4-5% dhe shtresës së varfër i janë shtuar 70-90 mijë të varfër të rinj, e ndikuar më shumë nga humbjet e mëdha të punës tek shërbimet dhe industria. Edhe në Malin e Zi varfëria ka arritur në 20% nga 14.5 që ishte përpara fillimit të pandemisë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë shtuar 25-92 mijë të varfër sipas parashikimeve optimiste dhe konservatore. Gjithashtu, nga këto të dhëna evidentohet se, numri i të rinjve të varfër në Shqipëri është shumë më i lartë se i atyre në vendet e tjera të Ballkanit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vlera e saj në treg arrin në 35 miliard dollarë për 3 ditë

Një tjetër kriptomonedhë bie në sy të investitorëve