MENU
klinika

Ekonomia humbi rreth 43 mijë vende pune!

Guvernatori: Rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme…

06.05.2021 - 07:42

Pavarësisht lehtësimit të masave apo edhe vaksinimit që është intensifikuar në javët e fundit, rimëkëmbja ekonomike vijon të mos jetë e plotë.

sejko“Pasojat e pandemisë në ekonomi mbeten të dukshme, në nivelet ende të ulëta të kërkesës agregate, në rënien e punësimit dhe në rritjen e papunësisë. Po ashtu, inflacioni mbetet nën objektivin tonë prej 3%”, vuri në dukje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dje pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës.

ECURIA

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, Sejko tha se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, vëllimi ekonomik në vend u rrit me 3 për qind. “Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve dhe u pasqyrua në përmirësimin e aktiviteteve prodhuese dhe atyre të shërbimeve. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë të vitit aktual janë vetëm indirekte, por ato sinjalizojnë vijimin e gjallërimit të ekonomisë, sikundër ilustrohet nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, i llogarive fiskale dhe i flukseve tregtare”. Por s’mund të thuhet e njëjta gjë për pjesën tjetër të vitit 2020, ku ekonomia u tkurr me 3.3 për qind, ndërsa u shkurtuan jo pak por 43 mijë vende pune.

“Edhe pse në rritje, kërkesa agregate mbetet ende poshtë niveleve të regjistruara në periudhën përpara pandemisë dhe e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë faktorët e prodhimit. Për rrjedhojë, aktiviteti ekonomik në vend u tkurr me 3.3% gjatë vitit 2020, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Po ashtu, ritmi i rritjes së pagave dhe kostove të tjera të prodhimit erdhi në ngadalësim”, shtoi guvernatori Sejko.

MASAT

Një rol me rëndësi kanë luajtur edhe masat e ndërmarra, si lehtësirat e krijuara në shlyerjen e kësteve të kredisë, duke iu dhënë disa muaj kohë familjeve dhe bizneseve për kryerjen e pagesave. “Stimujt monetarë e financiarë kanë pasur një transmetim të mirë. Për rrjedhojë, kushtet monetare në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten akomoduese. Tregjet financiare operojnë të qeta dhe normat e interesit vijojnë të jenë pranë minimumeve historike, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra. Po ashtu, kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm. Në veçanti, sektori bankar ka vijuar të financojë bizneset dhe familjet, duke pasqyruar si shëndetin e bilanceve të sektorit bankar, ashtu dhe reagimin e duhur të tij ndaj goditjes”. Në muajin mars 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 8%, duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar prej vitit 2009. Kredia për sektorin privat, sipas Bankës së Shqipërisë, njohu një rritje mesatare vjetore prej 7.5% në tremujorin e parë. Kjo rritje shfaqi një bazë të gjerë, e nxitur nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve.

PROJEKSIONET

Edhe më pozitivë paraqiten skenarët e rimëkëmbjes. Vijimi i procesit të vaksinimit, stimuli monetar dhe fiskal, si edhe rikthimi i besimit do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik përgjatë këtij viti. “Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim. Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022″, theksoi Sejko.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive

COVID-19/ Nga përballimi i emergjencës tek...

Pesë sfidat e biznesit dhe sektorit bankar