MENU
klinika

"Gati ekipi i përbashkët shqiptaro-turk"

Hapet të enjten Spitali Memorial i Fierit, Manastirliu tregon detajet

24.05.2021 - 15:48

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka takuar stafin e përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk në Spitalin e Ri Memorial të Fierit, ku ka deklaruar se do të hapet ditën e enjte

“Bëhemi gati me stafin e përbashkët shqiptaro-turk për të hapur Spitalin Memorial të Fierit ditën e enjte, pra me datë 27. Sigurisht do të jetë një hapje graduale, me faza, duke filluar nga shërbimi i urgjencës. Gradualisht fillojmë vëmë në funksion këtë spital, këtë vepër të madhe të premtuar për ofrimin e shërbimeve cilësore në nivel terciar”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se në këtë spital, shërbimet do të jenë sipas sistemit të referimit, ashtu sikurse janë në të gjithë spitalet tona publike.

Duke e konsideruar një qendër ekselencë, Manastirliu bëri me dije se Spitali Memorial i Fierit do të ofrojë shërbim për qytetarët e tre rajoneve të jugut, për shërbime që deri tani i kanë marrë në QSUT, duke ulur edhe kohën e pritjes për ekzaminimet.

“Të gjithë qytetarët e rajonit të jugut, nëpërmjet sistemit të referimit me urgjencën kombëtare do të marrin shërbim të nivelit terciar në këtë spital, por edhe ata të cilët do të referohen nga struktura të tjera, duhet të kalojnë nëpërmjet sistemit të referimit. Ashtu sikurse ndodh për të gjithë spitalet e tjera në vend. E rëndësishme për të theksuar në këtë fazë, është që edhe rastet e referimit të urgjencës do të bëhen nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës, por edhe rastet e ndërhyrjeve apo ekzaminimeve apo konsultave dhe shtrimeve të planifikuara do të bëhen vetëm me referimin e mjekëve të spitaleve rajonale, spitaleve terciare, apo spitaleve bashkiake kur nuk ofrohen këto shërbime në spitalet rajonale. Duke qenë se është një spital i nivelit terciar dhe do të jetë vërtet një qender ekselence për këto shërbime”, nënvizoi Manastirliu.

 

 

Ministrja Manastirliu vlerësoi bashkëpunimin e stafeve mjekësore për transferimin e dijeve.
“Risia në këtë spital është që do të menaxhohet nga një staf i përbashkët shqiptaro-turk. Është bërë përzgjedhja qoftë e stafit mjekësor, qoftë e stafit infermieror, me një komision ad-hoc të ngritur me prezencën e ekipit turk dhe atij shqiptar. Por nga ana tjetër ky spital do të vlejë shumë për transferimin e dijes dhe teknologjisë. Dhe për këtë arsye kanë mbërritur në këtë fundjavë, edhe një ekip i mjekëve që do të organizojnë punën sipas shërbimeve të përcaktuara”, deklaroi Manastirliu.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.