MENU
klinika

"I kaploi paniku i dashurisë!"

Letra e Thaçit nga burgu për Ramën, reagon Kimete Berisha

01.05.2021 - 13:30

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci i ka dërguar një letër urimi kryeministrit Edi Ramës me rastin e fitorës në zgjedhjet në Shqipëri, shkruan Gazeta Online Veriu.info.

Pas kësaj letre reagimet ishin të shumëta e ndër to reagoi edhe publicistja Kimete Berisha duke ironizuar, se i kaploi paniku i dashurisë.

Kujtojmë se Thaçi gjendet në burgun e Hagës që nga nëntori i vitit të kaluar si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Veriu.info

Postimi i Kimete Berishës:

I kaploi paniku i dashurisë!

Veç çka s’e kanë thirr në Hagë Edi Ramën me dëshmu që gjatë luftës Hashimi u strehu në shtëpinë e tij!

‘Aty tek ne ka ndejt, në shtëpinë tonë, aman, Aneta na ka gatu’, ia pata lshu dhomën e Gregorit (i cili e do si xhaxhi), bile ngajëherë e çojshim Hashimin me ble bukë, se u mërzitke shumë për Kosovën.

Këqyrni mirë se e keni përzi’ me dikë tjetër se ky Hashimi, ky vëllai im, nuk ka qenë në luftë, lali’.

Është me interes të madh për popullin kjo dashuri e paepur mes tyre. Të gjithë duhet të marrin mësim qysh duhet m’u dasht hakikat, pa hile.

S’di kur u lidhën kaq shumë a çka u bë me ta, veç çka s’janë shkri për njëri-tjetrin, e m’u fliju!
Vlla, vlla, vëlla, s’di sa herë e quajnë shoqi-shoin vëlla brenda një fragmenti, gjynah, i ka kaplu paniku i dashurisë.

Njëherë thash: sa letër të bukur urimi i paska dërguar Rama vetes.

Urimin e Ramës për ditëlindjen e Hashimit dhe urimin e Hashimit për fitoren e Ramës i lidh dhe i zbulon fjala ‘tavan’!

P.S. Vuajtja të bën njeri më të mirë.
Hashim Thaçi e kish pranuar në letër se pushteti e ka bërë arrogant!

Letra e Thaçit dërguar Edi Ramës:

Vëlla Edi,

Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im.

Sot, dielli ngrohte zemrën e Shqiptarit brenda meje.

Sot, për Shqipërinë kam mall, dashuri, e nostalgji. Sot, si jo-rrallë herë kohëve të fundit, u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës.

U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare.

Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtarë të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndërgjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës.

Me gjithë ndërgjegjen e pastër e luftën e dinjitetshme për t’u bashkuar me Shqipërinë, mu kujtua se vetëm atëherë kur Kosova u çlirua, ne e kuptuam se bashkimi ishte larg dhe i pamundshëm.

Shqipëria e poezive dhe librave ishte dëshirë e ideal, e jo pasqyrë e realitetit të kohës. Unë edhe kam luftuar për kët’ ideal me Kosovën brenda Shqipërisë. Kur mundësitë u kufizuan, unë luftova për Kosovën shtet – krenarinë e jetës time.

Jam munduar shumë për Kosovën, por edhe kam gabuar – dikur me entuziazmin e idealistit, e më vonë me arrogancën e pushtetarit.
Ama, vëllau im Edi, kurrë s’kam gabuar me raportin të cilin kemi krijuar bashkë.

Ti je vëlla i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukura. Je Kryeministri i Shqipërisë që idealizova, dhe vëllau shqiptar për të cilin me entuziazëm luftova. Sot, Shqipëria që ti aq shumë punove ta ndërtosh, është Shqipëria për të cilën dikur u betova të luftoj. M

Është Shqipëria e poezive të Naimit – Shqipëria me malet e bukura e lisat e gjatë që sot, në tavanin e qelisë së burgut, më vizatohen e më rrin n’mend dit’ e natë.

Pra, vëllau im Edi, ti që bëre Shqipërinë të cilën e idealizova si i ri e u betova si ushtar, po të them i bindur se fitoren tënde e gëzojnë shqiptarët. Me ta, u gëzova edhe unë pa masë.

Prandaj, me librat që më shoqërojnë në vetminë e këtyre ditëve ku koha refuzon të nxitojë, unë të përqafoj dhe uroj vëllazërisht nga larg për shkak të pamundësisë për të festuar bashkë. Është e shëmtuar që nuk mund të jem aty, por përtej afshit revolucionar të kujtimeve të mia si ushtar dhe pragmatizmit prej politikani që m’godet herë-pas-here në formë kujtimesh, sot nuk të uroj si miku me të cilin ndave copa të rrugëtimit politik, por si vëllaut tim nga gj aku.

Me shpresën që do të mund të takohemi përsëri duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën, po të uroj të vazhdosh të japësh gjithçka nga shpirti yt për Shqipërinë. Kjo sepse edhe kur në ditët ku drita e diellit nuk depërton në muret e mbyllura të qelisë, dielli ngroh zemrën time vetëm at’herë kur Shqipëria dhe Kosova janë mirë.

Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët.

Me dashuri,

Vëllau yt,

Hashimi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot entuziazmin”

“Vëlla Edi…”, Hashim Thaçi mesazh Ramës për fitoren në zgjedhje