MENU
klinika

E pashmangshmja ka filluar...

Inflacioni, bëhuni gati

30.05.2021 - 13:16

Rezerva Federale duhet të shpjegojë si do të përgjigjet ndaj rritjes së inflacionit. Sistemi i “shënjestrimit të inflacionit mesatar” mbetet i paqartë

E pashmangshmja ka filluar, shkruan The Economist. Indeksi i çmimit të konsumit (CPI) në Amerikë, në mars, ishte 2.6% më i lartë se një vit më parë, kur çmimet ranë pasi goditi pandemia. Rritja e inflacionit nga 1.7% në shkurt ishte më e madhja që nga viti 2009, hera e fundit kur ekonomia po rimëkëmbej nga një goditje e thellë. Priten muaj të tjerë me shifra të larta, sipas standardeve të vendeve të pasura. CPI mund të arrijë mbi 3.5% deri në maj. Në indeksin e veçantë të çmimeve të përdorur nga Rezerva Federale, inflacioni së shpejti do të rritet mbi objektivin e Bankës Qendrore prej 2%.

Rezerva Federale nuk është e shqetësuar nga inflacioni më i lartë, i cili reflekton atë çfarë ka ndodhur një vit më parë. Megjithatë, banka qendrore ka një problem inflacioni, i cili do të bëhet shqetësues kur rimëkëmbja ekonomike të ushtrojë trysni të vazhdueshme mbi çmimet. Korniza e re e politikës monetare që u miratua në gusht, tregon se ajo do ta shtyjë inflacionin përkohësisht më lart se sa ka synuar zakonisht pas recesioneve, në mënyrë që të kompensojë humbjet. Problemi është se askush nuk e di se sa shumë, ose për sa kohë, ajo dëshiron që inflacioni të tejkalohet pas pandemisë. Me rreziqet e një episodi inflacionist të madh, paqartësia është një burim i pasigurisë.

Ideja prapa “shënjestrimit të inflacionit mesatar” është të sigurohet që inflacioni të qëndrojë mesatarisht 2% gjatë ciklit të plotë ekonomik, në vend që të mbetet i ulët me kalimin e kohës, për shkak të recesioneve. Ky është një korrigjim i mirë i sistemit të vjetër, të cilit iu desh shumë kohë për të rimëkëmbur ekonominë pas krizës financiare globale, pjesërisht për shkak të një frike të gabuar të inflacionit.

Megjithatë, korniza e re mbetet e paqartë. Richard Clarida, nënkryetari i Rezervës Federale, ka sugjeruar se ajo nënkupton të pritet për njëfarë kohe, që të arrihen objektivat e inflacionit dhe punësimit, para se të rriten normat e interesit, dhe pastaj të operohet si normalisht – pak a shumë, si një shofer që pret dhe nuk frenon derisa makina të shfaqet përpara, pavarësisht nga distanca e ndalimit. Zyrtarë të tjerë të Rezervës Federale kanë lënë të kuptohet se duan të fitojnë më shumë terren nga humbjet e shkaktuara.

Por është e paqartë nëse matjet duhen kryer duke filluar nga marsi 2020, kur goditi kriza e tanishme, apo nga gushti, kur hyri në fuqi sistemi i ri. Nëse përfshihet pranvera, ka mungesa; nëse matjet kryhen nga gushti, nuk ka asnjë mungesë, sepse çmimet janë rritur me një ritëm vjetor prej më shumë se 2% që nga vjeshta. Rezerva Federale, nga ana tjetër, mund të argumentojë se, për sa kohë që pritshmëritë afatgjata të inflacionit qëndrojnë pranë objektivit të saj, nuk ka nevojë të tejkalohet shumë, sepse objektivi është vendosur tashmë mesatarisht në 2%. Politikëbërësit gjithashtu nuk bien dakord se sa larg objektivit është e arsyeshme të shkohet përkohësisht, në emër të fitimit të humbjeve.

Bankierët qendrorë shpesh kanë mendime të ndryshme në lidhje me gjendjen e ekonomisë, ose ndikimin e mundshëm të vendimeve të tyre në politikën monetare. Më i pazakontë është dështimi për të artikuluar atë që kanë për synim. Paqartësia po kontribuon në pasigurinë mbi inflacionin dhe normat e interesit dhe ajo është rritur gjithashtu nga rrethanat e reja të pandemisë dhe stimulit të madh fiskal nga presidenti Joe Biden.

Është hapur një hendek midis tregjeve financiare, të cilët presin që Rezerva Federale të rrisë normat e interesit në vitin 2022 dhe midis politikëbërësve të zakonshëm monetarë, të cilët nuk presin që normat të rriten deri në vitin 2024. Investitorët gjithashtu po peshojnë rrezikun në rritje që inflacioni mund të qëndrojë mbi objektivin e Rezervës Federale për disa kohë.

Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, ka thënë se po shmang qëllimisht angazhimin ndaj një rregulli numerik. Ndonjëherë bankierët qendrorë duhet të shmangin specifikën e tepruar. Por herët a vonë, Rezerva Federale duhet të vendosë se çfarë dëshiron teksa rritet inflacioni. Duhet ta bëjë këtë së shpejti. /Monitor

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Financial Times/ Amerikanët, nervozë në lidhje me rritjen e çmimeve

Frika e inflacionit turbullojnë ndjenjat e konsumatorit amerikan