MENU
klinika

"Toka e premtuar"

Turqia e Erdoganit dhe Rusia e Putinit!..

12.05.2021 - 14:21

         Bombardimet midis Izraelit dhe Gazës vazhdojnë, duke iu frikësuar një luftë e re. Konflikti izraelito-palestinez vazhdon prej dekadash. Bombardimet midis Izraelit dhe Rripit të Gazës, që vazhdojnë prej të hënës 10 maj dhe që tashmë kanë shkaktuar shumë viktima të pafajshme, rrisin frikën e një përshkallëzimi të dhunës mes grupeve të armatosura palestineze dhe ushtrisë izraelite.

Dhe kjo situatë mund të përkeqësohet deri në atë pikë, sa të shpërthejë sërish një luftë e vërtetë, pavarësisht se Liga Arabe kërkon ndërhyrjen e OKB-së.  Prej dekadash, izraelitët dhe palestinezët pretendojnë të drejtën për të përcaktuar fatin e tyre në të njëjtin rrip toke. Mosmarrëveshja e tyre ka ndarë miliona individë dhe, nëse Lindja e Mesme është “unaza e botës”, siç e përcaktoi historiani Yuval Noah Harari, kjo ndodh për shkak të këtij konflikti të gjatë dhe të pazgjidhur. Çfarë ndodhi? Dhe pse?/Konica.al

Premtime dhe mosmarrëveshje

Në fund të shekullit të 19-të, intoleranca ndaj hebrenjve u rrit. Si kundërpërgjigje, disa intelektualë krijuan sionizmin, një lëvizje politike që bënte thirrje për kthimin në Palestinë, “tokën e premtuar” të Biblës. Emri rridhte nga lartësitë e “Sionit”, bërthama origjinale e Qytetit të Shenjtë, Jeruzalemi. Një pikë e fortë referimi, mirëpo popullsia e zonës, e kontrolluar nga perandoria osmane në shpërbërje dhe pa një entitet shtetëror, ishte kryesisht arabo-mysliman. Në fund të Luftës së Parë Botërore fuqitë evropiane (duke tradhtuar pritjet e arabëve) modifikuan Lindjen e Mesme.

Tmerret e Holokaustit

Britania e Madhe, e cila prejt vitit 1917 ishte në favor të një shteti hebre, mori Mandatin e Palestinës: në lindje themeloi Transjordaninë (më vonë Jordani), ndërsa në perëndim u ra dakord të mbroheshin vendbanimet hebraike, ndërsa siguroi arabët e pranishëm ose palestinezët. Si rrjedhojë, u intensifikua edhe pelegrinazhi hebre Aliyah. Pas valëve të para nga Evropa Lindore, mijëra hebrenj, me ngritjen e regjimeve fashiste, u larguan nga Evropa Perëndimore për të zbarkuar në tokën e paraardhësve. Së pari, grupet radikale u ngritën duke pretenduar identitetin palestinez dhe, më pas, midis 1936 dhe 1939, shpërtheu një revoltë e madhe. Britanikët e shtypën revoltën dhe njëkohësisht kufizuan emigrimin hebre, mirëpo tmerret e Holokaustit përmbysën çdo skenar. Në të vërtetë, gjenocidi nazist s’bëri tjetër veçse përforcoi kauzën sioniste dhe, me pak fjalë, “toka e premtuar” u kthye në mollë sherri. Në këto rrethana, Mbretëria e Bashkuar vendosi të tërhiqet nga Palestina dhe ia delegoi çështjen OKB-së.

JO-ja e palestinezëve

Në 1947 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën 181 (plani i ndarjes së Palestinës) dhe tregoi rrugën që duhej përshkuar: dy shtete njëkohësisht, një hebre (i cili do të mbulonte 55% të zonës dhe gjithashtu të priste 400 000 palestinezë) dhe tjetri arab (pak më i vogël, por thuajse tërësisht mysliman), me Jeruzalemin nën kontrollin ndërkombëtar. Udhëheqësit hebrenj, të cilët tani përfaqësonin 600 000 individë, pranuan. Palestinezët, të cilët përfaqësonin një milion e 250 mijë, jo. Kështu, kur më 14 maj 1948, para tërheqjes britanike, Jishuv (komuniteti hebre) deklaroi pavarësinë e shtetit të Izraelit me aprovimin e shumë vendeve, përfshirë SHBA-në dhe BRSS-në, shpërtheu lufta. Shtetet fqinje të Ligës Arabe, të cilat e shikonin sionizmin si ndërhyrje të huaj, sulmuan Izraelin, i cili nga ana tjetër kundërsulmoi.

Katastrofa

Arabëve u shkoi ters. Në 1949, u nënshkruan disa armëpushime (por, jo marrëveshje paqeje), pas të cilave, Izraeli fitoi edhe më shumë territore, sesa ato të parashikuara nga marrëveshjet e OKB-së, përfshirë pjesën perëndimore të Jeruzalemit. Sikur të mos mjaftonte kjo, zonat e destinuara për palestinezët u pushtuan nga shtetet arabe: rripi bregdetar i Gazës nga Egjipti, pjesa lindore e Jeruzalemit dhe e ashtuquajtura Çisjoradani (në perëndim të lumit Jordan) nga Jordania. Shumë ia mbathën dhe shumë u çrrënjosën me nxitjen e izraelitëve, të cilët kishin frikë nga depërtimi i armikut dhe nuk i njihnin këto njësi të reja. As arabët nuk i integruan ata me të drejta të plota; kjo do të thoshte legjitimimi i Izraelit. Një tragjedi e quajtur “Nakbah” (“katastrofa”): 700 000 shtëpi të shkatërruara, njerëz të të dashur, punë; shumë përfunduan në kampet e refugjatëve të OKB-së./Konica.al

Kriza e Suezit

Për hakmarrje, shtetet arabe dëbuan 700 000 hebrenj në vitet në vijim. Edhe ata u zhvendosën në territorin izraelit, duke u bashkuar me 250 000 të tjerë që erdhën nga Evropa. Një shtet gjithnjë e më i fortë dhe më i populluar i Izraelit mund t’i vinte flakën inatit të shteteve arabo-myslimane. Dhe në fakt ajo shkoi në armë. Në tetor 1956, gjatë krizës së Suezit, Izraeli u bashkua me ekspeditën anglo-franceze për të goditur Egjiptin; vetëm kërcënimet e SHBA-së dhe BRSS-së parandaluan luftën e hapur. Për palestinezët, ishte mbushur kupa. Në vitin 1964, grupe militantësh propozuan të zhduknin shtetin hebre dhe më 1964, me mbështetjen e Ligës Arabe, u krijua OÇP: Organizata për Çlirimin e Palestinës.

Zgjerimi i vazhdueshëm

Për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq, Izraeli filloi një sulm paraprak kundër Egjiptit në qershor 1967. Siria dhe Jordania ndërhynë. Ushtritë arabe u mundën shpejt (“Lufta gjashtëditore”) dhe Izraeli pushtoi territore të reja, duke pushtuar Jeruzalemin Lindor, Çisjordaninë, Rripin e Gazës, lartësitë Golan dhe gadishullin Sinai. Këshilli i Sigurimit të OKB-së bëri thirrje për respektimin e kufijve, për një paqe “të drejtë dhe të qëndrueshme”, por më kot. Në vitin 1973, gjatë festës hebraike të Yom Kippur, Egjipti dhe Siria pushtuan Sinai dhe lartësitë Golan për të larë hesapet. Po ndodhi ngërçi. Vendet prodhuese të naftës në Lindjen e Mesme bllokuan eksportet e naftës bruto, për të dëmtuar mbështetësit e Izraelit, që çoi drejt një krize energjetike që po rrënonte Perëndimin. Vetëm në 1978, me marrëveshjet e “Camp David”, situata u lehtësua. Izraeli u largua nga Sinai dhe Egjipti njohu shtetin hebre

SHBA DHE BRSS

Kështu, Lindja e Mesme arriti të irritonte një botë të ndarë nga interesa të kundërta. SHBA-ja u radhit krah Izraelit, ndërsa BRSS mbështeti arabë, mirëpo askush nuk kishte kontroll të plotë të aktorëve në fushë. “Përmes konflikteve arabo-izraelite dhe momenteve të panumërta të krizës, – shpjegon Paolo Soave, profesor i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bolonjës, – çështja e Lindjes së Mesme ishte e lidhur me Luftën e Ftohtë dhe e kushtëzoi atë shumë më tepër sesa dialektika midis SHBA-së dhe BRSS-së mund të ndikonte në rajon”.

Pranverat arabe

Luftërat pushuan, por hebrenjtë dhe palestinezët nuk u pajtuan. Në Izrael, i cili kishte ndërtuar një demokraci solide, rrymat politike ekstremiste filluan të margjinalizonin ato të moderuara. Sulmet e guerilëve palestineze ndezën shpirtrat tashmë të përflakur dhe çuan në pushtimin e Libanit, në 1982, me qëllim që të godisnim bazat e OÇP-së (Organizata për Çlirimin e Palestinës). Kështu filluan të përplaseshin dy forca të paluajtshme: vullneti i hebrenjve për të mbrojtur ëndrrën e një atdheu dhe dëshira e palestinezëve për ta marrë atë përsëri. Me kalimin e kohës, fuqitë rivale si Arabia Saudite dhe Irani gjetën një kundërshtar të përbashkët në Izrael dhe ndërsa PLO tregoi gatishmërinë për kompromis (me fillimin e zgjidhjes së dy shteteve) grupet radikale islamike, të tilla si Hamas dhe Hezbollah, morën armët. Në 1987 dhe 2000, dy “Intifades” (revolta) palestineze tronditën zonat e Gazës, Çisjordanisë dhe Jeruzalemit. Papajtueshmëria e Izraelit u bë më e dukshme. E ardhmja e Lindjes së Mesme mbetet ende për t’u shkruar. “Armiqësia ndaj Izraelit, – përfundon Soave, – ka pasur përherë rol unifikues, por i ka dhënë lindje një fronti heterogjen. Pas Luftës së Ftohtë, Lindja e Mesme u përshkua nga linja të tjera fragmentarizmi, veçanërisht shpërthimi i tensioneve midis shiitëve dhe sunitëve”.

Nga e djeshmja tek e sotmja

Nyja e Izraelit mbetet në sfond, një flamur që të gjithë po e valëvitin me bindje të alternuara. Rajoni gjallërohet kryesisht nga kërkimi i vazhdueshëm për një pikë ekuilibri politik midis komponentëve të brendshëm, transversal në vendet e ndryshme dhe i ndjeshëm ndaj faktorëve si terrorizmi, çështja ekonomike-sociale dhe ajo bërthamore. Paqëndrueshmëria e vendeve të tilla, si Iraku dhe Libia, kriza siriane, “pranverat arabe” dhe shqetësimet iraniane, konfirmojnë tipiken e një zone, sistemet politike të së cilës vazhdojnë të qeverisen vetëm nga përqendrimi i fuqisë politiko-ushtarake në disa duar”. Me Shtetet e Bashkuara, më pak të interesuara në zonë dhe Bashkimi Evropian i dobët dhe i përçarë, lojtarë të tjerë, janë shfaqur në skenën e Lindjes së Mesme: Turqia e Erdoganit dhe Rusia e Putinit./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Golgotha Shqiptare”, Si u gjet libri i holokaustit?

‘Serbët vranë 500 000 shqiptarë’

Trump, shenjë barazie mes gjenocidit serb dhe Kosovës

“Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për kaq shumë vite, unë iu thashë…”

Netanyhahu: Trump duhet të urohet

“Kush prek Izraelin do goditet fuqishëm”

INTERVISTA/ John Bolton: Se di a është paguar!

“Pas idesë së shkëmbimit të territoreve qëndron…”