Berati ishte qarku i dytë i ankimuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në këtë qark, mandati i pestë i Partisë Socialiste dhe mandati i Parë i Lëvizjes Socialiste për integrim varet nga 77 vota. Për këtë arsye, LSI depozitoi në KAS dy ankimime për këtë qark, një për pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe një për rinumërim të disa qendrave të votimit.
Sipas avokatit të LSI në mbledhjen e djeshme në Qarkun e Beratit ka pasur parregullsi të shumta me procesin. Në disa raste nuk ka korresponduar numri i fletëve të votimit në kuti me numrin e votuesve të printuar nga pajisja elektronike. Ndërsa në disa raste të tjera, sipas avokatit të LSI, z. Kaziaj, raporti i pajisjes elektronike të identifikimit elektronik (PEI) nuk është gjetur fare, çka përbën një shkelje.
Megjithatë, nga ana e përfaqësuesit të Partisë Socialiste, Eridian Saliani, u prapësuan gjetjet, duke thënë se nga hetimi paraprak i bërë nga PS gabimet kanë qenë njerëzore dhe për rastin e raportit të PEI ato nuk janë futur në kutinë me fletët e votimit, por në kutinë/valixhen e pajisjes elektronike.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ ka paraqitur argumentet dhe prova, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve. Sipas PD, kandidatët e PS, Hatixhe Konomi dhe Nasip Naço, kanë ngritur një skemë kriminale të blerjes së votës me 50 mijë lekë për person.
“Në qarkun e Beratit ne kemi denoncuar në 7 prill në SPAK një skemë kriminale të ndërtuar nga drejtues politik të PS, konkretisht shtetasja Hatixhe Konomi, e renditur e para, së bashku me shtetasin Nasip Naçon, i renditur i 4 në listën shumëemërore të PS.
Këta shtetas në bashkëpunim me shtetasin Mirel Konomi, drejtues i Njësisë Administrative Nr. 1, dhe Lorenc Toroveli ka pasur raste të blerës së votës të personave të ndryshëm. Hatixhe Konomi së bashku me kunatin e saj, që është drejtues i njësisë administrative, kanë blerë vota ose përmes të hollave, ose përmes kuponëve të ID.
Ndërsa Nasip Naço dhe Toroveli kanë blerë vota kundrejt shumës 50 mijë lekë të vjetra”, tha përfaqësuesi i PD-së, Marsha Logu. Ndërkohë, teksa i kërkoi KAS që të administronte prova të tjera nga institucionet shtetërore Logu iu drejtua konkretisht Rusmajlit që të mos ngurojë për të bërë transparencë, teksa ky i fundit e pyeste për shifra konkrete.
DEBATI NË KOMISIONIN E ANKESAVE
Ilir Rusmajli (Anëtar i KAS): Ju keni referuar në kërkesën tuaj ankimore për raste të blerjes së votës. Mund të na thoni për rrethin e provave për sa raste bëhet fjalë?
Marash Logu (Përfaqësues ligjor i PD): Besoj që patëm edhe një diskutim tjetër dje, por megjithatë, përderisa bëni pyetjen, do të thotë se nuk jeni mjaftueshëm i sqaruar deri në fund. Ne, në fakt, për të gjitha rastet e shitblerjes së votës, të cilat përbëjnë shkelje të nenit 78 të Kodit Zgjedhor, por edhe të dispozitave penale, kemi depozituar kallëzimet penale.
Ilir Rusmajli: Ju keni depozituar kallëzime penale për blerje të tjera. Mua më duhen sa raste keni për blerjen e votës, më duhet një numër jo një fjalim? Apo nuk e keni si numër?
Marash Logu: I nderuar, ne kemi konstatuar raste të shumta të blerjes së votës, të cilat janë denoncuar nga ana jonë. Kjo është arsyeja se përse ne kërkojmë nga ky komision….
Ilir Rusmajli: Unë e mora përgjigjen, pra, rastet janë të shumta.
Marash Logu: Unë nuk e dhashë përgjigjen. Ndaj, të lutem shumë, të jap përgjigjen time dhe të Partisë Demokratike?
Ilir Rusmajli: Do të japësh shifër në vend të fjalës tani?
Marash Logu: Unë do të jap shifër dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për këtë proces. Kjo është arsyeja i nderuar që ne i sjellim këto kallëzime penale dhe ju themi që ne i kemi denoncuar që në datën 7 prill dhe sot jemi në 14 maj. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion me siguri ka kryer hetime në përputhje me kodin e procedurës penale dhe ne ju kërkojmë vazhdimisht ju që merrni informacion nga Prokuroria e Posaçme, merrni informacione nga prokuroritë e rretheve dhe të jeni të sigurt që do të merrni të dhëna dhe shifra konkrete. Sepse Partia Demokratike nuk është as polic dhe as Prokuror dhe as gjyqtar . Cila është arsyeja që ju i nderuar refuzoni ti merrni këto prova nga prokuroritë, sepse do të merrni edhe të dhënat.
Ilir Rusmajli: Këtë nuk e dini ju! Mos i paragjykoni anëtarët e KAS
Marash Logu: Ne e dimë sepse kemi dhënë fakte dhe të dhëna konkrete.
Ilir Rusmajli: Këtë nuk e dini, ju sepse edhe mund t’i marrim.
Marash Logu: I nderuar, kallëzimi i rremë është vepër penale, kështu që nuk bëjmë ne kallëzime të rreme, kështu që informohuni pranë Prokurorisë dhe do të merrni përgjigjen e saktë.
Ilir Rusmajli: Nuk e devijon dot vijimin, as me fjalim dhe as me…
Marash Logu: Atëherë, pse refuzoni që të merrni prova nga Prokuroria?
Rusmajli i drejtohet drejtuesit të seancës: Do t’ia mbyllësh pak mikrofonin atij? Atëherë, refuzimin apo pranimin e merrni përmes vendimit të këtij komisioni. Jo nëpërmjet debatit që bën me anëtarë të veçantë të trupës. Ke dhënë dy përgjigje; ke dhënë kemi raste të shumta dhe ke dhënë dhe përgjigje nuk kemi shifër kërkoja prokurorisë. Mua më ndihmojë për të krijuar gjykimin tim. Tani le të shkojmë më tutje. Te kapitulli i përdorimit të shtetit për fushatë. Ju keni përmendur 22 raste, nuk kemi nevojë të shkojmë në Prokurori. Këto 22 raste, a mund t’i konvertoni në vota? Këto 22 raste sa vota kanë tjetërsuar?
Marash Logu: Për 22 rastet që ne kemi folur, kemi referuar të gjitha provat që kemi pasur në dispozicion. Foto, video, artikuj mediatik. Një pjesë të tyre e kemi vënë në dispozicion edhe linqe, të cilat janë të aksesueshme lehtësisht, dhe kjo është bërë për të lehtësuar punën e KQZ. Nga ana tjetër për të kuptuar përmasat reale të këtyre fenomeneve, kjo është arsyeja se përse kemi kërkuar që të merren informacione zyrtare raste pas rasti për të kuptuar ndikimin që kanë pasur vendimet. Kuantifikimet që ju kërkoni mund të dal nëse ju pranoni të administroni prova që janë kërkuar nga Partia Demokratike dhe nuk ka asnjë arsye ligjore se përse duhet të refuzoni të bëni këto përveçse të mohoni transparencën.
KAS vendos sot për provat shtesë
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ do të vendosë sot se cilat prova do të marrë në shqyrtim kryesish për qarkun e Beratit. Dje, kryesuesi i seancës, Elvis Çefa, u shpreh se për shkak të materialeve të shumta, KAS i duhet kohë për të dalë në një vendim ndaj u shty për sot.
Ndërkohë që njësoj si Gjirokastra të njëjtin fat pritet të ketë edhe Berati. Me shumicë vote të anëtarëve të propozuar nga PS në KAS, pritet të refuzohen kërkesat e PD dhe LSI për të marrë informacione shtesë nga institucionet shtetërore.
Kujtojmë që PD ka kërkuar nga KAS që të marrë informacione të tjera që vërtetojnë akuzat e PD për shitblerje të votave. PD është e kufizuar në sigurimin e këtyre të dhënave, pasi për shkak se është jashtë Parlamentit dhe Bashkisë nuk ka burime për sigurimin e tyre.