Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nis sot shqyrtimin e 9 ankimimeve të Partisë Demokratike. Selia blu kërkon nga KAS që të shpall të pavlefshme zgjedhjet në 9 qarqe të vendit, nga 12 në total dhe të ripërsëriten zgjedhjet.
Ankimimi i PD-së mbështetet në 5 shtylla kryesore, që sipas grupit të juristëve të PD-së, përbëjnë arsye të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e tyre. Si akt pararendës PD ka depozituar para, gjatë fushatës dhe pas votimeve 180 kallëzime penale, ku 130 prej tyre në gjykatat e rretheve dhe 50 në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Ndërkohë, burime pranë Partisë Demokratike bënë me dije se kanë marrë njoftim nga SPAK për nisjen e hetimit për disa nga kallëzimet penale.
ARGUMENTET E PD
Siç është bërë e ditur tashmë, PD kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Shkodër. Shtylla e parë në të cilën PD mbështet argumentet e kërkesës së saj, sipas ankimimeve të depozituara në KAS, është blerja e votës nëpërmjet: 1. Bashkëpunimit të drejtuesve të qarqeve të PS-së me individë me rekorde të tmerrshme kriminale; si dhe 2. Përdorimit të burimeve shtetërore dhe kompanive publike. Ndërkohë, në dosjet e PD-së të depozituara në SPAK gjenden denoncime konkrete për qarkun e Shkodrës, ku sipas PD-së, kryetari i PSD-së, Tom Doshi, është në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ky i fundit, sipas PD-së, ka zgjedhur edhe kandidatët e tij persona që kanë mbështetje nga njerëz me të shkuar kriminale. Dosja e PD-së përmban me emra konkret rastin e Meri Merkicit, për të cilën në dosjen e selisë blu të zbardhur nga gazeta “Panorama” është bashkëshortja e Artur Hatës. Për këtë person partia kryesore në opozitë thotë se ka informacion që ky person në vitin 1992 ka vrarë në Lagjen Rus në Shkodër Bashkim Katicen dhe ka plagosur shefin e Policisë në Shkodër, Nderim Muja. “Artur Hata është përfshirë në blerje votash në bashkëpunim me një tjetër person të dënuar për vrasje”, shkruhet në dosjen e PD-së. Për qarkun e Elbasanit në dosjen e PD-së si persona me biografi të errët që janë përfshirë në fushatë për të blerë vota për llogari të PS-së përmenden Klemend Xhaferri dhe Suel Çelaj. Ndërkohë, Aqif Rakipi, për të cilin Basha ka thënë në mbledhjen e fundit të deputetëve të rinj se e refuzoi për dy vite rresht, në dosjen e PD-së përmendet për blerje votash në Tiranë dhe në Peqin.
SHTETI NË DISPOZICION TË PARTISË
Shtylla e dytë në të cilën PD mbështet kërkesën e saj për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 25 prillit është heqja e vizës ndarëse midis shtetit dhe partisë. Ekspertët juridik të PD-së në dosjet e tyre kanë listuar disa argumente, që sipas tyre, tregojnë se i gjithë shteti u vendos në dispozicion të PS-së. Në dosjen ankimore theksohet se gjatë vitit 2020 u firmosën 705 kontrata publike, me vlerë 505 milionë euro, ndërkohë mesatarja e pesë viteve të fundit ishte 116 milionë euro. Po ashtu, rindërtimi është përdorur për zgjedhjet. Demokratët marrin si shembull ilustrues rastin e Durrësit, ku sipas të dhënave të publikuara nga “Open Data”, tri ditë para zgjedhjeve u shpërndanë 6 milionë euro, ose 89 herë më shumë se 15 muajt e fundit, që janë dhënë në Bashkinë Durrës në javën e fundit të zgjedhjeve.
Ndërkohë, nuk mungojnë akuzat dhe paraqitja e fakteve nga ana e PD-së në KAS për rastet e përdorimit të administratës publike për llogari të maxhorancës. Në dosjet voluminoze të depozituar nga ekspertët Marash Logu dhe Marinela Ziu pak ditë më parë në KQZ ka fakte konkrete, por mësohet se ndër të tjera opozita u kërkon sot anëtarëve të KAS-it edhe disa informacione të tjera nga agjencitë shtetërore. Databaza me të dhënat personale të qytetarëve dhe deklaratat e dhëna nga drejtuesit e PS-së janë përdorur gjithashtu në ankimimin e PD-së për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Sipas PD-së, nëse një gjë e tillë do të ndodhte në një vend me drejtësi normale, disa prej zyrtarëve shtetërorë do të ishin para drejtësisë. Në dosjen e PD-së parashtrohet edhe mohimi i të drejtës së votës për emigrantët.
Ata argumentojnë që shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit jo vetëm që nuk iu krijuan kushtet për të votuar atje ku jetojnë, por që pak ditë para zgjedhjeve u vendos kusht që shqiptarët që vinin nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia të karantinoheshin, duke u hequr kështu mundësinë për të votuar. Sipas opozitës, nga ky vendim është penalizuar PD e LSI në Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë. Në shtyllën e 5-të PD argumenton ndryshimet e njëanshme kushtetuese në tetor të vitit të kaluar.