MENU
klinika

PD denoncoi me emra “blerësit” e votave në Vlorë

KAS refuzoi për herë të tretë demokratët për të marrë prova shtesë!

19.05.2021 - 08:00

Për herë të tretë radhazi me tri vota kundër dhe dy vota pro, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve refuzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të marrë prova nga institucionet shtetërore për pretendimet e opozitës për krime zgjedhore.

Dje, në përfundim të mbledhjes ku u shqyrtua ankimimi për qarkun e Vlorës, KAS me votat e anëtarëve të propozuar nga maxhoranca rrëzoi kërkesën për të marrë prova nga institucionet shtetërore.

Në seancë Partia Demokratike kërkoi pavlefshmëri të zgjedhjeve në qarkun e Vlorës, pasi sipas tyre, deputetë dhe drejtorë të PS-së u angazhuan në shkelje të ligjit për të deformuar vullnetin e qytetarëve. “KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së PD-së për marrjen e informacioneve shtesë nga institucionet dhe entet tjera publike dhe pranimin e kërkesës së LSI-së lidhur me informacionin se sa pajisje PEI kanë funksionuar në qarkun Vlorë. Me kërkesën e dy anëtarëve do të kërkohet dhe informacionin i kryqëzimit të të dhënave të pajisjes PEI për qarkun Vlorë.

Mbledhja u shty për ditën e mërkurë”, njoftoi dje KQZ. Ndërkohë, sekretari për çështjet zgjedhore të PD-së, Ivi Kaso, përmes një deklarate nga selia blu pas mbledhjes së KAS, akuzoi Komisionin e Ankesave që vazhdimisht është e pozicionuar politikisht dhe refuzon të bëjë transparencë. Kaso tha se nëse do të merren provat që kërkohen prej tyre nga institucionet shtetërore, do të vërtetohet masakra elektorale. PD është e kufizuar në marrjen e informacionit, pasi është jashtë sistemit.

“Provat e kërkuara nga ana jonë janë prova thelbësore për të provuar masakrën zgjedhore të 25 prillit, sepse faktojnë dhe dëshmojnë çdo aspekt të sjelljes së institucioneve në këtë proces zgjedhor. Sjellje e cila sipas të gjitha evidencave që disponojmë ka qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin dhe në shkelje flagrante dhe të vetë vendimmarrjeve të vetë KQZsë.

Ky refuzim që iu bë sot kërkesës sonë për marrjen e provave nga ana e KAS është më e domosdoshëm dhe më e nevojshme se kurrë, për të zbuluar dimensionin e plotë të asaj qe ne me plot gojën e kemi quajtur masakër zgjedhore në zgjedhjet e 25 prillit. Pasi për shkak të provave të tjera që po merren në këtë proces apo të kërkuara nga opozita, apo të marra me iniciativë të dy anëtarëve të KAS, ditë pas dite po dëshmohen parregullsi dhe shkelje të ligjit që e kanë karakterizuar këtë proces.

Aq më tepër sot u vendos një standard i dyfishtë, kur vetë anëtarët e KAS artikuluan nevojën për të kryer hetim të plotë dhe të gjithanshëm të pretendimit të PS-së lidhur me zgjedhësit të cilët dyshohen që kanë votuar më shumë se një herë dhe po nga ana e tyre, me një vendimmarrje konsekuente, për të tretën herë refuzuese, nuk është pranuar kërkesa e opozitës për të marrë prova të domosdoshme, të cilat gjenden sot në disponibilitetet të institucioneve shtetërore”, tha Kaso.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ambasadorja Kim flet për 25 prillin: Partitë të njohin rezultatin e zgjedhjeve

Intervista e plotë/ “Lulzim Basha e ka bërë të qartë, PD do jetë në Parlament në shtator”