Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka nisur sot ankimimet për procesin zgjedhor të 25 prillit. Në nisje të mbledhjes, relatori Ledio Braho tha se tre kërkesat ankimore nga LSI, PD dhe kandidati i pavarur Kreshnik Merxhani do të shqyrtohen bashkë.
Përfaqësuesi ligjor i LSI, Altin Kaziaj ka kërkuar në mbledhje që të shpallen të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve në bashkinë Dropull dhe Gjirokastër.
Në argumentin e tij, ai u shpreh se në kundërshtim me vendimin e Komitetit Teknik për karantinimin e personave që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë hyrë mbi 500 persona, që sipas tij shumica janë mbështetës të PS.
Kjo, tha Kaziaj, ka ndikuar drejtpërdrejt dhe është përdorur qëllimisht për të goditur forcën politike LSI.
“Kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave themelore të njeriut, që është e drejta për të zgjedhur apo për tu zgjedhor. Kjo shkelje ka ardhur në bazë të urdhrit të ministrisë së Shëndetësisë për tu karantinuar personat që vijnë nga Greqia apo Maqedonia.
Janë rreth 500 persona që kanë hyrë në Shqipëri. Mënyrat ne nuk i dimë si kanë hyrë dhe për këtë kërkojmë hetim të thelluar nga Komisioni. Ata janë persona që pjesa më e madhe janë mbështetës së PS dhe kanë pasur funksione në komisionet zgjedhore, në KQV dhe vendet e numërimit të votave.
Kandidati jonë Tavo ka kallëzuar emra të posaçëm të shtetasve shqiptarë që kishin ardhur pas këtij urdhri dhe ishin përfshirë në procese zgjedhore. Kjo tregon se orientimi ka qenë për të goditur LSI. Ka qenë vetë ministri i Brendshëm, që ka ndikuar për nxjerrjen e këtij urdhërim. Kjo ka sjellje ulje të votuesve në bashkinë e Dropullit.
Në brendësi të dokumenteve keni edhe statistikat që tregojnë që LSI ka qenë force e parë në Dropull.
Ju kemi vënë në dispozicion materiale që mbrojnë të drejtat e qytetarëve.
Në faqen 5, janë të gjitha statistikat në lidhje me zgjedhjet vendore. Tregohet qartë se pse urdhri i ministrisë ka pasur qëllimisht të godasë drejtpërdrejt LSI.
Kërkojmë që ky vendim të prishet. Kërkojmë shpalljen e pavlefshme të rezultateve të bashkisë Dropull dhe Gjirokastër”, argumentoi përfaqësuesi ligjor i LSI.