MENU
klinika

Amfiteatri i Durrësit

“Martesa” e Çehovit komedi në qiell të hapur!

12.05.2021 - 16:53

        Me regji nga Driada Dervishi, së afërmi, komedinë e Çehovit, “Martesa”, mund ta ndiqni në amfiteatrin e Durrësit.

Teatri “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, bën me dije se shpreson që vepra e Anton Çehovit dhe regjinë e Dervishit, të çelë siparin e skenave. “Martesa” parashikon të fillojë shfaqjet në ambiente të hapura dhe shpresojmë të shërbejë si një hapëse e siparit të skenave teatrore”, – thuhet në faqen e Teatrit të Durrësit, që ka publikuar dhe një material të shfaqjes së suksesshme.

Komedia është menduar të shfaqet për publikun, më datë 14 maj, por kjo do të jetë e kushtëzuar edhe nga moti.

“Shumë shpejt në amfiteatrin e qytetit, në arenën më të madhe të Ballkanit. Premiera: 14 maj, ora 20:00. Por, datat e sakta të shfaqjes, varen nga kushtet metereologjike”, – vijon lajmërimi.

Komedia “Martesa” u shpërblye me çmimet “Regjia më e mirë, në “KoKo Fest 2016”, aktorja më e mirë joprotagoniste në “KoKo Fest 2016” dhe çmimi i publikut në “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Moisiu On”.

Përshtatja e tekstit dhe regjia: Driada Dervishi, koreograf: Elton Cefa, drejtor fotografia: Daniel Dervishi, kostumografia: Driada Dervishi dhe Adelina Muça. Udhëheqëse vokale, mazzo-soprano Olta Juba. Në role, vijnë: Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Andia Xhunga, Gjergj Doçi, Alesia Xhemalaj dhe Jaho Guma. Kjo komedi është përmbledhja e 5 pjesëve: “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën.

Një nostalgji lirike, që përshkruan gjithë krijimtarinë e dramaturgut të mirënjohur rus Anton Çehov, që vjen nën regjinë e Driada Dervishit, duke pasur parasysh interesimin e madh dhe të vazhdueshëm të publikut.

Vepra e Çehovit

Komedia “Martesa” erdhi premierë për publikun, në vitin 2015, nga regjisorja.
Më herët, Dervishi shprehej se komedia “Martesa”, përmes 5 pjesëve nga Çehovi, vjen plot ritëm. “Në çdo pjesë në komedi, ka 1-2 protagonistë kryesorë, është marrëdhënia mes çiftit, etj. Nuk janë vepra të lehta, sepse ka dhe momente të reflektimit, apo ngrihen probleme të ditës, ndërsa kjo komedi vjen përmes një loje gazmore”, – ka pohuar ajo.
Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë, nga të kurdisurat për interes nga, e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac.
Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar sesi do të jetë pas një viti martese, jeta e tij.
Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën e që për ironi, bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit.
Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja.
Anton Çehov ishte një dramaturg dhe shkrimtar rus, i cili konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të trillimeve të shkurtra në histori. Karriera e tij si dramaturg, solli katër klasikë dhe tregimet e tij më të mira, të shkurtra, vlerësohen shumë nga shkrimtarët e kritikët. Çehov u lind në 29 janar të vitit 1860 dhe u nda nga jeta më 15 korrik të vitit 1904. Bashkë me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore, në lindjen e hershme të modernizmit në teatër.